Për drejtuesin e Policisë Rrugore të Tiranë, Roven Zeka, shefin e Sektorit të Aksidenteve në Tiranë, Sokol Novaku, dhe oficerin e policisë gjyqësore, Edison Tabaku, të cilët u arrestuan ditën e djeshme (19 prill 2025), nuk ka asnjë asnjë masë sigurie nga GJKKO.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se prokurorja e çështjes, Elida Kaçkini, pritet t’i drejtohet me kërkesë GJKKO-së me orët në vijim. Report Tv ka mësuar gjithashtu se nuk bëhet fjalë për mosreferim në prokurori të një aksidenti, por mosprocedim me arrestim.
Sipas të dhënave paraprake, zyrtarët dyshohet se kanë favorizuar kundrejt një shume prej 2 mijë eurosh drejtuesen e një automjeti të përfshirë në një aksident. Kjo e fundit ka shkaktuar një aksident rrugor dhe është proceduar në gjendje të lirë, megjithse nga aksidenti 2 persona kishin marrë ndihmë mjekësore në spital.
Çështja e zyrtarëve të Policisë u zbulua nga përgjimet për një çështje tjetër hetimore.
Mësohet se gjatë mëngjesit të së dielës, punonjësit e policisë kanë dhënë shpjegimet paraprake para oficërëve të BKH-së të cilët i kanë pyetur në kushtet e izolimit në bllokun e sigurisë, ku 3 policët ndodhen prej dje.
Zeka dhe Novaku u vetëparaqiten mesditën e së shtunës në drejtorinë vendore të policisë Tiranë pasi për ta SPAK kishte lëshuar urdhër ndalimi, si të dyshuar për veprën penale korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim. Ndërsa Tabaku është arrestuar nga blutë.