Ish-kryeministri Sali berisha atakoi këtë të premte Policinë e Shtetit për lidhjet e saj me atë që ai e quan organizata kriminale e inceneratorëve.
Përmes një prononcimi për media nga selia blu, Berisha u shpreh se zhdukja e Alqi Bllakos për 13-orë dëshmon lidhjen e policisë me bandën e inceneratorëve.
“Çështja e dytë që unë doja të diskutoja me ju është raporti i organizatës së inceneratorëve me policinë e shtetit, Një anëtar i kësaj organizate është sot i arrestuar, por procesi i tij dëshmoi përpjekjen e qeverisë për mbrojtjen e tij. Qytetarët nuk panë asnjë sekuencë të vetme mbledhjen e Komisionit të mandateve apo parlamentit për të vendosur për imunitetin e tij. Dakord ai hoqi dorë me shkrim nga mandati, por imuniteti me ligj i takon parlamentit. Komisioni e ftonte, por dhe e përgëzonte për vendimin që kishte marrë. Nuk ishte komisioni që e mbyllte problemin, por parlamenti që votonte për heqjen e imunitetit. Organizata kriminale nuk lejoi të ndodh asnjëra prej tyre. Bllakua na zhduket. Njeriu që tha nuk kam imunitet na zhduket për 13-orë. Zërat thonë se u arratis nga Qafë Bota në Greqi, nuk e di nuk kam asnjë fakt. Thonë që u kthye me helikopter. Por ajo që dihet është se policia mori anën e Alqi Bllakos..
Po këto zëra thonë që njeriu i fundit që ka takuar Bllako në Tiranë është vetë Rama në një nga vilat qeveritare”, tha Berisha.


