Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me arratinë e Edison Pulës nga burgu italian i Trevisos. Mediat italiane shkruajnë se i riu shqiptar, dyshohet se është ndihmuar nga një dron, i cili mendohet se ka futur në ambientet e burgut një sharrën me të cilën ai sharroi hekurat e dritares së qelisë.
27- vjeçari, i cili njihet për episodet e tij të arratisjeve nga burgu, u largua prej këtyre ambienteve bashkë me dy shqiptarë të tjerë, të cilët u arrestuan vetëm pak disa orësh.
Ilgazzettino.it shkruan se Edison Pula është pritur nga dikush jashtë burgut të cilët po e strehojnë në një vend të qetë. Sipas hetimeve mendohet se arratisja e tij ishte planifikuar. Kujtojmë se Pula është mik i Marklen Hakës, të cilit pak ditë më parë iu bë atentat në Nikël të Fushë-Krujës, por fatmirësisht arriti t’i mbijetonte 17 plumbave.
Kush është Edison Pula?
Edison Pula, anëtar i bandës së Niklës, i akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk dhe për një sërë veprash të tjera penale.
Si u arratis edhe në vitin 2017 nga policia në Fushë Krujë:
Edhe pse i prangosur dhe nën masa të rrepta sigurie 21-vjeçari në momentin që zbriti nga furgoni, mundi t’i shpëtojë policëve. Ai kapërceu murin rrethues, duke u larguar në drejtim të paditur. Arratisja ndodhi gjatë kohës së transferimit të tij nga stacioni i policisë së Fushë Krujës në të Krujës.
Uniformat blu ngritën postblloqe në rrugët kryesore dhe në të gjithë zonën për të kapur 21-vjecarin. Dy policët që e shoqëronin u treguan të pakujdesshëm dhe janë ndaluar me pas nga kolegët e tyre.
Mbi Edison Pulën rëndojnë disa vepra penale si: ‘Vrasje me paramendim e ngelur në tentativë’, ‘Shkatërrim i pronës me eksploziv’, ‘Vjedhje me dhunë’ dhe ‘Prodhim dhe mbajtje e armëve dhe municioneve luftarake’.
Pula u prangos sëbashku me 8 anëtarë të tjerë të së njëjtës bandë. Sipas policisë ai është pjesëtar i grupit kriminal që organizoi atentatin ndaj Gentjan Bejtjes në fshatin Larushk të Krujës.