Shtyhet seanca për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristanit dhe financierin Ilir Dervishi në lidhje me çështjen e “lobimit rus” pasi Prokuroria ka vendosur të apelojë vendimin e Gjykatës së Tiranës për të pushuar çështjen.
Kujtojmë se Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua më 13 janar vendosi pushimin e çështjes së lobimit mirëpo prokuroria nuk ishte dakord dhe vendosi ta apelojë vendimin.
Sot Apeli i Tiranës vendosi ta shtynte seancën në pamundësi për ta zhvilluar.
Senaca gjyqësore u shty për 9 prill për shkak të situatës së krijuar prej koronavirus, që deri më tani në vendin tonë ka shënuar 6 viktima dhe ka infektuar 146 persona.
Kreu i PD, Lulzim Basha dhe dy zyrtarë të tjerë të PD, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi akuzohen për pastrim parash dhe falsifikim dokumentash, në lidhjen me financimet e lobimit rus për zgjedhjet e 2017.