Një 25-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Gjermania për llogari të Interpol Tirana. Serxhio Çima ishte shpallur në kërkim në lidhje me një atentat të organizuar në Vlorë tre vjet më parë, për të cilin Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për vrasje në tentativë.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të vendimit të datës 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Vlorë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe ‘Armëmbajtja pa leje’”, sqaroi Policia e Shtetit.
ATENTATI
Serxhio Çima ishte një nga 9 anëtarët e përfshirë në një atentat ndaj 29-vjeçarit Inez Hajrullas, ngjarje e ndodhur më 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë. I riu u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.
“Më datë 10.05.2019, në lagjen ‘Uji i Ftohtë’, Vlorë, nga një automjet në lëvizje është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një grupi personash që ishin ulur në një nga tavolinat e vendosura në pjesën e jashtme të një lokali në këtë lagje. Më pas, autorët janë larguar dhe kanë djegur automjetin në fshatin Babicë e Vogël.
Nga hetimet e kryera dhe nga bisedat telefonike ka rezultuar se një nga bashkëpunëtorët e grupit të përfshirë në këtë ngjarje ka qenë S. C”, sqaroi Policia e Shtetit. Fatmirësisht, Hajrulla arriti t’i shpëtonte atentatit me armë zjarri, ndërsa nga të shtënat mbeti i plagosur rastësisht shtetasit Dajko Cenodemaj, i cili po konsumonte kafe në një nga lokalet në zonën e Lungomares.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, atë ditë Hajrulla ka qenë i shoqëruar me Ervis Matodashaj në ambientet e një lokali, kur është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij.
Autorët e maskuar u larguan me një automjet tip “Land Rover”, i cili përplasi dy automjete të tjerë për shkak të shpejtësisë, me të cilën po largohej nga vendi i ngjarjes.
PJESËMARRËSIT NË ATENTAT
Pavarësisht se atentati ndaj të riut dështoi, në të kanë marrë pjesë plot 9 persona.
Nga hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Vlorës ka rezultuar si të përfshirë në këtë ngjarje, shtetasit: Fatmir Hyseni, “Doqia”, Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit “Çipurit”, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.
Dyshohej se atentati kishte lidhje me larjen e hesapeve mes grupeve kriminale në Vlorë dhe lidhje me një ngjarje të ndodhur më 17 shkurt 2019.
Në atë kohë, u vranë shtetasit Arjan Hasanaj dhe Resti Rexho, ndërsa Armando Sulejmani mbeti i plagosur lehtë.