Përhapja e gjerë në Europë dhe në Ballkan e variantit të ri indian të COVID-19, njohur si varianti Delta, ka shkaktuar një valë paniku në popullatën shqiptare. Nga ana e saj ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi në parlament se në Shqipëri nuk ka asnjë të infektuar me variantin e dytë Indian, porse frika është e madhe dhe qeveria deklaron se është në alertë dhe me këtë argument vijon të mbajë në fuqi masat kufizuese.
Por për ekspertin epidemiolog, Ilir Alimehmeti nuk ka vend për panik pasi varianti delta është shumë më pak vdekjeprurës se variantet e mëhershme të COVID-19. Eksperti i referohet studimeve serioze të kryera nga Qendra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, E.C.D.C, si dhe treguesve të pandemisë në Britaninë e madhe ku varianti delta zë mbi 90% të totalit të infektimeve.


