Futbolli italian ka vite që nuk po arrin të zhbllokohet në Europë, ku skuadrat historike të Champions League, Inter dhe Milan kanë mbi 4 vjet që nuk marrin pjesë në këtë kompeticion dhe trofeu i fundit i fituar ka qenë në vitin 2010 nga Inter në finalen e Madridit përballë Bayern Munchen. Juventusi është i vetmi ekip që e mban gjallë Italinë në futbollin elitar europian, duke arritur në 2 finale brenda 3 vitesh, të dyja këto të humbura përballë Barcelonës në vitin 2014 dhe Real Madridit në vitin 2017.
Napoli, skuadra me futbollin më të bukur në Europë.
Napoli është cilësuar si skuadra me futbollin më të bukur në Europë. Me futbollistë të cilët bëjnë diferencë si Insigne, Mertens, Milik e deri tek Hysaj, napolitanët janë shndërruar në një skuadër e cila i ngjason asaj të Barcelonës së famshme të Guardiolas. Një skuadër me karakteristika të ndryshme nga skuadrat e tjera italiane, që kanë sjellë revolucion në futbollin modern të Serie A.
Por Napoli po tregon krejt të kundërtën në Champions. Rasti i fundit ku u eleminua në grupin e përbërë nga Feynoord, Shakhtar Donetsk dhe Manchester City, skuadra e Sarri-t do të përfundonte në vendin e tretë duke mos arritur të kualifikohej në fazën e 1/16. Eksperienca në kompeticionet europiane duket se ka penalizuar napoletanët, duke kërkuar kështu më tepër kohë për integrim.
Inter, skuadra e Tripletës.
Inter ka plot 5 vjet që nuk merr pjesë në Champions League, duke filluar një rënie të lirë që pas vitit të tripletës në 2010-ën. Inter gjatë viteve 2012-2016 ishte në një krizë totale, duke filluar që nga ndryshimi i pronësisë nga Moratti tek Thohir e më pas tek Sunning Group, ka qënë në një revolucion total duke filluar nga trajnerët e deri tek lojtarët. Sezoni 2017-2018 pritet të jetë ai decisiv për skuadrën zikaltër ku ndodhet përkohësisht në vendin e parë, dhe gjasat për një vend në Champions tashmë janë një objektiv serioz.
Milan, krenaria e Italisë në Europë.
Milan, skuadra historike italiane përsa i përket përfaqësimit në Champions League ka mbërritur në një krizë totale duke nisur që nga viti 2012, pas largimit të legjendave si Seedorf, Gattuso, Nesta, Zambrotta etj. Skuadra e Milanos bëri shpenzime të bujshme merkaton e verës pas kalimit të pronësisë nga Silvio Berlusconi tek Yonghong Li duke afruar lojtarë me kualitet të mesëm dhe të lartë, por që deri tani nuk kanë dhënë rezultat.
Juventus, skuadra e finaleve të humbura.
Juventus ka mundur të ringrihet që pas mega skandalit të Calcioppolit, duke fituar kështu 6 herë radhazi kampionatin e Serie A. Por të njëjtat suksese nuk po mund t’i përsërisë edhe në Champions League, duke u bërë kështu skuadra me më tepër finale të humbura, plot 8 të tilla. Arritja më e madhe e bardhezinjve është kalimi 2 herë brenda tre vitesh në finale, të cilat konsistojnë të dyja të humbura.
Kjo krizë e futbollit italian jep sinjalet e një problemi të madh.
Problemi i futbollit italian duket se është moskoordinimi me modelin Europian, duke përdorur modelin e vjetër të rimëkëmbjes së ekipit, duke afruar lojtarë të rangut mesatar dhe atyre që cilësohen si talente, e për pasojë rezultatet në vijim të janë në një pikëpyetje të madhe, duke parë kështu që skuadrat më të mëdha Europiane vazhdojnë të transferojnë lojtarë që japin siguri dhe eksperiencë në ekip duke i ‘miksuar’ me talente, por pa prishur frymën e organizimit të lojës.
Ndërsa për ekipet në Itali, kjo duket se do të kërkojë më tepër kohë të arrihet, duke përjashtuar kështu deri diku vetëm Juventusin, i cili ka bërë disa afrime kyçe në skuadër.
E mesa duket, do të jetë Juventus ajo që do të mbajë ende mbi shpatulla përfaqësimin dinjitoz të futbollit italian në Europë.
Përgatiti: AlpeNews.al


