Ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, tha mbrëmjen e sotme se dha dorëheqjen nga të gjitha për t’u përballur me drejtësinë.
“Çfarë mund të bëj më shumë unë? Të shkoj në burg vetë? Nëse ka prova do të shkoj”, tha Tahiri në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Analisti Andi Bushati e quajti Tahirin si mburojën politike të trafikut të drogës, ndërsa ish-ministri i Brendshëm në reagimin e tij tha se “nuk jemi të gjithë njëlloj. Ke mbyllur sytë ose gënjen për kanabisin, nëse ti mendon se kanabisin e kam mbjellë unë, atëherë po të them se Shqipëria ka qenë e mbushur me kanabis për 25 vjet. Dhe nëse nuk i besoni fjalës sime, merrni statistikat zyrtare nga Policia e Shtetit, jam i hapur për ballafaqim shifrash me ju dhe këdo. Gjatë kohës që unë isha ministër i Brendshëm, për 4 vjet, kishte sipërfaqe të mbjellë më pak se 1 vit i qeverisë së mëparshme”.
Lidhur me deklaratat e bëra nga ish-oficeri i policisë Dritan Zagani, Tahiri theksoi se ka shkuar në prokurori dhe ka kërkuar hetimin e tij.
Por gazetari Bushati u shpreh se kjo ishte qesharake.
“Jam i gatshëm që të enjten tjetër të përballem me shifra me cilindo, por nëse del fjala ime, atëherë ti duhet të heqesh dorë nga profesioni”, iu drejtuar Tahiri, analistit Bushati.


