Gjigandi i tregtisë me pakicë në rrjet, Amazon, ka arritur një marrëveshje me gjigandin tjetër amerikan të teknologjisë, Apple, për të shitur produktet e këtij të fundit.
Dy rivalët e teknologjisë, pasi Amazon prodhon edhe një gamë produktesh në sektor, i kanë lënë kështu pas krahëve ndasitë dhe janë fokusuar tërësisht te biznesi.
Kështu, gjatë javëve në vijim, shitësi më i madh me pakicë në botë, Amazon, do të fillojë të shesë modelet e fundit të iPhone, iPad dhe pajisjeve të tjera të mollës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë, Japoni dhe Indi.
Më parë, Amazon shiste vetëm një numër të kufizuar të produkteve të Apple, kryesisht kompjuterat Mac dhe kufjet Beats. Marrëveshja shënon kështu edhe një pikë kthese për firma si Amazon apo edhe Nike, të cilat deri pak kohë më parë refuzonin me çdo kusht të shisnin produktet e tyre nëpërmjet Amazon, ose tregtarëve të dorës së tretë, duke preferuar t`i shesin ato vetë.
Amazon do të eliminojë kështu të gjitha dyqanet e saj online që shesin produkte Apple dhe që nuk janë të autorizuara nga Cupertino.
Por, gjithsesi, produktet jo origjinale, kryesisht aksesorë të mollës, do të vijojnë të shiten në rrjetin gjigand. I vetmi produkt i Apple që nuk do të shitet nga Amazon do të jetë Apple homepod, që është një konkurrente e Alexas së Amazon.
Rreth 71% e shitjeve të Apple gjatë vitit fiskal 2018 që mbaroi në Shtator vlerësohet se janë kryer nëpërmjet kanaleve jo zyrtare në Amazon.