Jam Lulzim Basha, kryetar i PD-së. Udhëheq forcën më të madhe opozitare në Shqipëri. Besoj më njihni mirë se kam 13 vjet në politikën aktive. I hyra politikës si KOP-ist dhe tashmë jam vetë SH(KOP) që dirigjoj opozitën shqiptare. Kur erdha në Shqipëri, pas një rrugëtimi në atdheun tim të dytë, Holandë, dhe pasi mora një dorë të mirë përvojë si përkthyes anglisht-shqip në UNMIK, isha i parrahur mirë me aktualitetin politik. Njihja vetëm Gitën, gocën e babit, e cila më hapi dyert e jetës. Jo për t’u bërë doktor, por aktor i politikës. Ishte një rol i ri për mua. Kisha provuar të bëja rolin e dixhej-it në tavernat e Amsterdamit, ku rëndom tymosej hashash Lazarati, por rol politikani as që e kisha çuar nëpër mend. Pata një shtysë të madhe, siç thashë, nga goca e atij dhe aq ishte, hop shpërtheva si një vullkan që mezi kish pritur të çante koren e malit e të derdhej vrullshëm si një ortek bore.
Mos ma kundërshtoni faktin që jam i lindur për politikan. E ndjej mor jahu që kam talent në këtë fushë. Qëllova në kohën dhe vendin e duhur këtu e 13 vjet më parë kur edhe ndriti ylli im i mëngjesit.
Eh, ç’ta zgjas, u bënë vite dhe ju e njihni gjithë rrugëtimin tim qysh atëherë e deri më sot. Nuk ka qenë e lehtë për mua. Më është dashur të ecë mes dallgësh e vështirësish të mëdha. Por i kam kapërcyer me kujdes, sepse dora atërore e atij, nuk më ka lënë kurrë në baltë. Eh sa i detyrohem babit, nuk mund ta shpreh dot me fjalë. Deputet më bëri, ministër më bëri, kryetar bashkie më bëri. Edhe në karrigen e tij për ta përfaqësuar, edhe atë e bëri.
Një herë të vetme që bëra në kokën time pa udhëzimet e vyera të tij, e hëngra. Dreqi ta hajë, dhe ishte rasti të bëhesha kryeministër. Po si nuk m’u tha ajo dorë, po si nuk nxi ajo gjuhë, kur në hapin më të madh të karrierës sime nuk dëgjova atë, por bëra siç desha vetë.
Në fakt, doja të tregoja se e kisha kaluar periudhën e adoleshencës dhe tashmë jam aq i rritur e i pjekur sa të marr vetë vendime të pavarura. Po e pashë që e djallosa. Nejse, të shkuara të harruara. Ajo që ka ikur nuk zhbëhet më. Pësimet më janë bërë mësim dhe një përvojë e mirë se si duhet t’i hedh hapat e mëtejshëm.
Ja, të shtunën kam planifikuar një protestë masive. Gjezdisa në disa qytete për të motivuar demokratët. U mundova të ngre zërin që t’i mbushja emocionalisht, aq sa të jenë gati të lënë kokën për mua. Por, teksa flisja e hidhja sytë rreth e qark, vështroja vështrimet e tyre që ishin të akullta e mosbesuese. Tek tuk tek ndonjë militant qëndrestar shihja t’i vezullonin sytë, por ata ishin pak e të pamjaftueshëm për t’i dhënë hov protestës.
Ditët kalojnë, orët shkurtohen dhe data që kam caktuar po afron. Sa më shumë afrohet protesta, aq më shumë më rritet ankthi mua. Vallë, si do të dalë ajo? Jo, unë nuk duhet ta lodh shumë mendjen me këtë idenë fikse të pjesëmarrjes. Thonë se, sa më shumë ta mbash mendjen tek diçka, ters do të shkojë ajo. Më mirë t’i lë gjërat të rrjedhin në rrjedhën e vetë.
Ajo që më ngroh zemrën është fakti që Monikën do ta kem në krahë. Është shoqe e ngushtë me time shoqe, gjë që ma lehtëson pak komunikimin. Këtu në PD nuk e honepsin dot për gjithë paudhësitë që u bëri demokratëve gjatë 4 viteve të shkuara. Gjysmën e tyre e zboi nga administrata, kurse gjysmën tjetër e rekrutoi si elektorat të sajin. Gjithsesi, tani ia kam nevojën për të më mbushur cepat e shesheve dhe do t’i bind të mitë ta kapërcejnë këtë moment. Sapo të më jepet rasti, do ta flak edhe unë si limon të shtrydhur që s’i hyn në punë askujt.
Të vetmin siklet që kam për momentin me të është se kur i hipin xhindet bëhet banale në fjalor dhe kjo gjë më vë në siklet pasi kultura ime holandeze, nuk e pranon këtë zhargon, sidomos nga gjinia femër. I druhem se po e kapi damari i keq, do shpërthejë me ndonjë fjalor rruge aty tek tribuna kundër Edi Ramës. Po i them Aurelës t’ia thotë me lezet që kështu do na prishë imazhin e kauzës për të cilën do të protestojmë.
More, mirë që m’u kujtua kjo çështja e kauzës. Për çfarë do t’i mbledh të shtunën në bulevard protestuesit unë?! Sikur e nisa me çështjen e Prokurores së re, por më ra si kauzë se për atë çështje as gruaja ime nuk vjen nga Holanda në protestë. Për çështjen e keqqeverisjes? Po kjo qeveri 5 muaj ka në detyrë, ku u pa keqqeverisja?! Ah po, ka keqqeverisur për 4 vitet e shkuara. Mirë, mirë, por shqiptarët e votëbesuan më 25 qershor. Plus që kështu i bie që të provokoj edhe Monikës, se edhe ajo pjesë e keqqeverisjes ka qenë. Atëherë mbeten çështjet sociale dhe të kriminalitetit. Po, edhe këto, çështje fushate ishin e prapë shqiptarët Ramën votuan dhe mua më lanë me gisht në gojë.
Dreqi ta hajë, gjithë kauzat që kam, të gjitha më janë rrëzuar njëherë. Thonë se përsëritja e gjërave kthehet në komedi. Mos vallë do dukem si karagjoz? Duhet doemos të gjej një kauzë të fortë e serioze, që asnjë shqiptar të mos i rezistojë dot tundimit për të dalë në shesh. Po, ç’të jetë vallë kjo kauzë? Ku dreqin ta gjej unë atë?
Pasi i ra shtëpisë kryq e tërthor duke medituar sa nga njëra dhomë në tjetrën për të gjetur kauzën e madhe, u gjend në fund edhe në tualet. Befas, teksa shihte vetveten në pasqyrë, iu fanepsën përpara syve kronikat e dy ditëve të fundit nga vizita e Ramës në Davos të Zvicrës. Mooos thirri, e i ra ballit me pëllëmbën e dorës. Si nuk më vajti në mendje më përpara kjo gjë? E kam parë për dy ditë me radhë këtë provokim të Ramës, por nuk i paskam dhënë rëndësi.
Jo, jo, nuk mund të heq dorë unë nga një kauzë e tillë. Ai e ka bërë enkas atë gjest dhe vetëm një mendje e hollë dhe brilante si e imja, mund ta kapte atë sinjal që askush nuk e ka vënë re. O Zot, sa i rrezikshëm është ai njeri, sa i pashpirt, sa djallëzor. Vetëm një mendje diabolike si e Ramës mund t’i japë mesazhe të tilla opozitës dhe kryetarit të saj.
Tani jam i qetë, plotësisht i qetë. Do bëhem gati të mbledh tryezën e opozitës për t’i shpalosur asaj kauzën e re që kemi. Kjo kauzë do shtojë entuziazmin tek njerëzit dhe do i derdhë ata lumë nëpër sheshe. Fillimisht do t’ia them Monikës. Besoj do t’i bëhet qejfi që po e respektoj të parën. Nuk do t’ia them menjëherë, por do ta vë në lojë ta gjej vetë.
-Ke vënë re gjë ti Monika se ç’ka bërë Rama në Davos, do t’i them asaj?
-Jo, do të më përgjigjet ajo. Helbete, as që i shkon në mendje kjo gjë.
-A ke vënë gjë re ti Monika se ku ndryshon Rama nga të tjerët aty, do vijoj unë?
-Se është i çmendur, do më përgjigjet flakë për flakë ajo.
-Hahaha, do të qesh unë. Nuk qullose gjë me këtë përgjigje.
Dhe, pasi t’ia humb durimin për të gjetur përgjigjen e saktë, do t’ia them atë që është dhe kauza jonë më e madhe:
Edi Rama në Davos të Zvicrës, në ndryshim nga gjithë liderët e tjerë të botës që kartën identifikuese e mbanin të varur në qafë, ai kish zgjedhur ta mbante në xhep. Por, me simbolikën djallëzore, që litarin e kartës ta linte jashtë. Vije re në çdo takim që pati me liderë të ndryshëm botërorë që nga xhepi i mëngjër i xhaketës i varej një litar jashtë. Domethënia e atij litari është më se e qartë. Një mesazh prej killeri gjakftohtë: “Në rast se ju tentoni të më rrëzoni nga pushteti, do të përfundoni të gjithë në litar. Me armë më vratë, me litar do t’ju mbys.” Ky gjakpirës ka si synim eliminimin e opozitës duke i treguar litarin. Kauza jonë është LITARI. Jo ai që do mbysë opozitës, po ai që do t’i zërë frymën Ramës dhe gjithë klikës kriminale të tij.
Me këtë ide gjeniale që Luli beson se do kthehet në kauzë të të gjithë opozitës, u nis vrik e tek Monika plot me vetëbesim për të marrë edhe dakordësinë e saj…