E frymëzuar nga fjalimi inagurues i mbajtur nga Steve Jobs (presidenti i Apple Computer dhe PiXar Animation Studios, por që sot fatkeqësisht nuk jeton më) në 12 qershor të 2005-ës në Universitetin Stanford, e pashë të udhës të shkruaj disa rreshta lidhur me ‘Institucionin e lidershipit” jo në kuptimin fizik por në qasjen e gjerë që ka ky koncept apo ky togfjalësh në mbarë botën, në gjithësecilin nga ne, edhe tek ata që ndoshta e përceptojmë së largu konceptin e liderit. Them se çdokush mund të dëshirojë të bëhet apo të jetë lider por vetëm të dëshiruarit nuk do të mjaftonte për të ngritur këtë Institucion nëse nuk do të formësohej përgjatë rrugëtimit me një sërë cilësish, vlerash, aftësish e karakteristikash.
Duke nisur nga vetja, më pëlqen të lexoj, më pëlqen të dëgjoj histori suksesi por gjithashtu edhe histori të dështuara që në jo pak raste kanë shërbyer si shtysë për të ecur përpara e për të çuar dikë drejt lidershipit, më pëlqen gjithashtu që në çdo shpjegim apo artikulim të nocionit të liderit/es apo tipareve të këtij/kësaj të fundit, të përpiqem të gjej ndonjë lidhje me veten time (edhe në pozitën aktuale profesionale e cila më ngarkon edhe më tepër përgjegjësi). E thënë me modesti, besoj se në jo pak raste e kam gjetur veten në disa prej tyre (ndoshta edhe të tjerë kanë bërë të njëtën gjë) dhe një gjë e tillë më jep shpresë, më motivon për të vijuar më tej në rrugëtimin që aspiroj të ndjek për tëqënë një lidere e mbi të gjitha, e suksesshme. Duke qenë pjesë e një trainimi mjaft efikas (sipas meje) për lidershipin, e them me bindje se motivimi është edhe më i madh kur mëson më tepër rreth konceptit, kur kupton se me çfarë përballesh, kur ti kupton se mund të zgjidhësh një sërë dilemash të cilat i ke hasur në jetë. Nuk do doja që në një të ardhme, nëse do më duhej të përmblidhja me një fjali jetën time, të artikulohesha me shprehjen “kam jetuar gabim”, por me bindje të thoja se ‘’kam bërë shumëçka në jetë’’, të paktën jam përpjekur.
Nuk është kurrë vonë për të nisur rrugën drejt fitoreve, për të përmirësuar diçka, për të gjetur veten e për të bërë më të mirën për të. Nuk është kurrë vonë për të qënë lider/e. Nëse mundesh ta ngresh këtë institucion madhor mbi vetëveten, për të skalitur tiparet e tij mbi veten, e mbi të gjitha nëse ke mundur të jesh i/e tillë me atributet më të mira dhe karakteristikat më pozitive që ka lidershipi, atëherë ke bërë më të mirën jo vetëm për veten, por edhe target-grupin së cilin synon të udheheqësh, i cilësdo formë qoftë ai (komuniteti familjar, shoqëror, institucional, etj etj). Thonë që përsëritja është mëma e dijes, andaj dhe ne të nisim duke i përsëritur vetes që brenda gjithësecilit ka një lider/e, të përjetësojmë endrrën, të rivitalizojmë çdo tipar të lidershipit, të përpiqemi të jemi më bindës, të jemi udhërrëfyes, largpamës e kreativë, të jemi argumentues e organizativë, të kemi vullnetin për të çuar deri në fund misionin e lidershipit , në cilëndo fushë. Kini kurajo dhe ndërmerrni iniciativa, besoni tek vetja, besoni tek qëllimi.