Prezantimi i Alketa Vejsiut në “Sanremo” vijon të mbetet një pike e “nxehtë” debati, veçanërisht në rrjet ku komentet janë të shumta. Gjithçka duket e ndarë në “dy kampe” me ata që e mbeshtetën e përgëzuan dhe ata që e sulmuan e kryqëzuan për të folurën e deri tek veshja.
Në një prenoncim për ALPEnews.al, sociologia Entela Binjaku thotë se ky debat është i pritshëm por ajo që e habit është si arrin një temë krejtësisht jashtë nesh, të marrë përmasa të gjera, dhe si arrin ajo që është e përditshmja të kalojë në plan të dytë.
Çfarë mendoni per pjesëmarrjen e Alketa Vejsiut në “Sanremo”?
E kam pritur me gëzim lajmin për daljen e Alketës në Sanremo. Ajo është pjesë e medias shqiptare dhe si shumë profesionistë të tjerë ka ushqyer ëndrrat e saj dhe tani erdhi koha të realizohej një e tillë. Sanremo është një skenë sado e vogël, mjaft e madhe në vlerën që ka. Dhe të mësoje se në 10 gratë e përzgjedhura për prezantimin e një edicioni jubilar si 70- vjetori ishte dhe një shqiptare, ishte një kënaqësi e madhe.
Alketën e kisha parë edhe në një dalje drejtëpërdrejtë në Raiuno në “La Vitta in Diretta” disa javë më parë kështu që pak e shumë kisha parë aftësinë e saj për të folur në një media të madhe, për miliona shikues, e për më tepër në një gjuhë që nuk është gjuha e saj.
Unë bëj pjesë në atë grup njerëzish nga Shqipëria që e kam ndjekur thuajse çdo vit Sanremon që kur nisa të kuptoja për muzikën italiane dhe çfarë dilte nga ky Festival. Bëj pjesë në atë grup që i jam mirënjohëse muzikës italiane për formimin e shijeve të mia.
Këtë vit kisha një arsye më shumë për ta parë Festivalin veçanërisht natën që do dilte prezantuesja nga Shqipëria. Me të njëjtin emocion e kam parë daljen në këtë skenë të shqiptarëve të tjerë: si Elsa Lilës kur prezantonte Pipo Baudo dhe të Ermal Metës vite më vonë. Ermali mbetet krenaria më e madhe sipas meje sepse që jo vetëm fitoi Festivalin e Sanremos, por edhe ka përfaqësuar Italinë në Eurovizion.
Po ashtu jam ndjerë shumë mirë kur kam mësuar për origjinën shqiptare të asaj këngëtareje që dikur më mbërthente me daljet në Sanremo: Ana Oxës.
Alketa ishte aty me detyrën e saj, siç artistet që përmenda më sipër kanë qenë me detyrën e tyre. Pra e gjithë predispozita ime ishte pozitive para daljes së saj, dhe ashtu vazhdon të jetë edhe sot. Ajo arriti të plotësonte një ëndërr dhe të realizonte kulmin në karrierën e saj. Cili prej nesh nuk do ta dëshironte për veten një gjë të tillë? Që në dalje dha mesazhin se kur beson çdo gjë eshtë e mundur, dhe unë si shumë të tjerë kemi nevojë të dëgjojmë mesazhe të tilla motivuese.
Sa i takon mënyrës sesi ajo paraqiti veten, besoj se ishte në ujrat e veta: ju prezantua publikut italian që nuk e njihte dhe ju paraqit publikut shqiptar që e ndiqte nga ekrani, duke i treguar po atë Alketë që ai njeh: aktive, që flet shpejt, që edhe këndon përveçse flet, profesioniste.
Sa i takon si e kanë parë italianët, mediat italiane shkruan vetë, psh korriere.it veçonte “të folurën që të mbërthente dhe buzëqeshjen ngjitëse, italishten e persosur duke vlerësuar monologun e saj ku ajo foli për lidhjet mes dy vendeve tona dhe mirënjohjen.
Duke u rikthyer tek pyetja juaj, ajo u dallua që në lehtësinë që zbriti shkallët, ato shkallë që kanë stepur e frikësuar edhe ato prej të cilave kanë mesuar breza të tëra gazetaresh e prezantuesesh. Kishte siguri në skenë, nuk u shfaq aspak nën presion nga ajo skenë që nuk është e thjeshtë, madje të dukej sikur ishte në Tiranë. Foli një tekst që e mbante mend përmendsh, krejtësisht e pavarur, e folura me saktësi, per ne që e kuptojmë italishten, pa u ngatërruar. Ajo ju drejtua me mirënjohje shtetit italian ku janë 520 mijë emigrantët shqiptarë, por edhe me një ndjenjë krenarie për ku kanë arritur emigrantët shqiptarë në Itali. Kjo ishte çfarë unë pashë se paraqiti Alketa në Festivalin e 70-të të Këngës Italiane në Sanremo. Sigurisht dalja e pas orës 2 të mëngjesit mund të tregojë edhe për vendin që i kishin lënë, por ajo arriti të marrë vëmendjen edhe pse ne atë orë.
Personalisht jam për një tjetër format prezantimi, për një të folur më të ngadaltë, me pauzat e nevojshme dhe frymëmarrjen që tregojnë se pret të kesh edhe një feedback, më shumë se fustanin roz nga “Dolce & Gabana” do të parapëlqeja të kuqin e Valdrin Sahitit. Por kur Alketa tha sepo kurorëzonte ëndrrën e saj, ky fustan shkonte me këtë ide. Mendoj se pati një moskuptim në mënyrën si u shpreh ajo për prezantimin e Festivalit të Këngës në RTSH. Ndoshta ka dashur të thojë se ishte e para grua që drejtoi e vetme një Festival edhe si drejtore artistike, kur në traditën e festivaleve tona, burri është qendrori, femrat janë shoqërueset. Ndoshta ka qenë kështu ideja, por mënyra si ajo u shpreh la vend për interpretime të ndryshme.
Sa i takon tekstit të monologut mund të ishte më i kohës, m´u duk disi i tejkaluar, nuk gjeta empati në të gjitha linjat e tij. Pra nuk e di kush e ka shkruar, por ajo e tha mjaft saktë dhe pa gabime por si përmbajtje nuk e gjeta veten plotësisht. Por ajo nuk ishte aty për mua, apo në emër të popullit shqiptar, ajo ishte aty për veten e saj dhe nëse detyrën e saj e bëri mirë, dhe na u drejtua edhe ne si publiku shqiptar nga ajo skenë me dashuri folur në gjuhën shqipe, mua kjo më dha një ndjesi shumë të mirë.
Si mund ta shpjegojmë të gjithë debatin në rrjet nëse fustani ishte i duhur, monologu aktual dhe a duhet te fliste më shpejt apo ngadalë prezantuesja shqiptare?
Këtë angazhim të madh virtual edhe mund ta presësh po të sjellësh në vëmendje që kushdo ka një mjet, zotëron një platformë, ka një kanal komunikimi dhe ka edhe marrësit e mesazheve të veta, e ka mundësinë të jetë një zë në këtë mjedis. Kur këtij mjedisi i bashkohen shumë të tillë dhe mesazhet ka të njëjtën temë bërthamë, sigurisht që amplifikohet e gjitha. Lidhur me këtë temë sërish mendimet jaë të ndryshme, secili flet nga perspektiva e vetë e të menduarit, ka parametrat e vetë të analizës, që ndërtohet mbi mënyrën si janë formuar shijet e tij, çfarë ushqimi kulturor përtyp, këndi i vështrimit është i ndryshëm: diku përqëndrohen tek forma, diku tek përmbajtja, diku tek të dyja bashkë, diku përqëndrohen tek përvoja dhe presin që paraqitja të jetë e përkorë në cdo drejtim. Nuk çuditem nga debati sepse edhe shumë studiues mendojnë se sot konfliktet lindin në 10 përqind të rasteve nga dallimet në mënyrën e të menduarit dhe 90% nga toni i zërit. Me këtë dua të them që ndoshta është forma si shprehen sesi ajo që thonë që krijon debat. Këtu duhet të sjellësh në vemendje edhe Umberto Ekon që fliste për “të drejtën që rrjetet sociale i japin edhe atij që e shumta mund të fliste në lokalin e fshatit pas një gote vere por pa dëmtuar komunitetin. E drejtë që sot ai e ka njëlloj si ai që ka fituar Nobelin”.
Kur ke marrë përsipër një detyrë të tillë edhe reagimet priten, cdokush meriton të respektohet për mendimin e tij, edhe kur ato nuk të pëlqejnë sepse fundja gjithëkush gëzon mundësinë e shprehjes.
Përse mendoni se shoqeria shqiptare i jep kaq shumë rendesi një Festivali dhe pak rëndësi elementëve të tjere që mund të ndikojnë realisht në jetën e tyre?
Kjo është vërtetë për tu diskutuar: si arrin një temë krejtësisht jashtë nesh, të marrë përmasa të gjera, dhe si arrin ajo që është e përditshmja të kalojë në plan të dytë?
Arsyet mund të jenë të ndryshme: disa gjejnë subjekt për të folur dhe kjo tregon nevojën e njeriut për tu asociuar me të tjerë, disa kanë interes për këto zhvillime dhe është rasti të shprehin mendimin e tyre, disa i kanë këto tema si arratisje nga hallet qoftë edhe për pak. Mendoj se një shoqëri që ka një pjesë të madhe të saj në nivelin e parë të hierarkisë së nevojave e ka të vështirë të mendojë të kalojë në nivelet e tjera. Ky kalim nga nevoja bazë tek nevojat e nivelit të katërt psh apo të pestë tregon nga njëra anë aspiratën e kësaj shoqërie për një standard të ndryshëm nga ky që ka, por nga ana tjetër edhe paaftësinë për t´u thelluar me të njëjtin ngulm tek përmirësimi dhe përmbushja e niveleve të poshtëme të piramidës së nevojave.
Një arsye tjetër mund të jetë se ndonjëherë është më e lehtë të flasësh për të tjerë sesa të mendosh për realitetin ku je vetë. Një arsye ndoshta duhet gjetur tek pritmënitë që ndërtojnë njerëzit dhe zhgënjimit që qëndron përtej asaj që realizohet dhe kjo krijon sërish mundësi për diskutime. Disa e panë këtë pjesëmarrje si mundësi për një tjetër nivel paraqitjeje dhe kur nuk e panë të konkretizuar ndërtuan kritikën e tyre.
Por nëse Alketa ishte në nivelin e pestë në piramidën e nevojave ku flitet për kulmin e arritjeve pra për zhvillim personal dhe kuptimi i potencialit të saj, shumë prej nesh jemi ende në nivelet e tjera ku nevojat psikologjike, ato të sigurisë, nevojat sociale i kemi shumë të papërmbushura.
ALPEnews.al