Deputeti i PD-se Enkelejd Alibeja në një dalje për media është shprehur se Ruçi nuk pranoi mediat gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, ku po diskutohet kërkesa e Prokurorisë për heqjen e mandatit të Tahirit.
Nga Kryetari i Këshillit, Ruçi, nuk pranohet që media të vijë brenda. Mbledhja e komisionit zhvillohet me rregullore. Z. Ruçi e hodhi në votë dhe mori 5 vota nga 10, pra jo shumicën. Kjo është gjëja më delikate që shqiptarët duan të dinë dhe tani po ndodh që mazhoranca dhe Edi Rama në pakt të plotë me Saimir Tahirin duan të lënë në errësirë shqiptarët për të kuptuar të vërtetën. Por nën dritën e provave të paraqitura ka ndodhur, xhindet kanë dalë nga shishja dhe nuk duan të futen më brenda. Ata nuk duan të përballen dhe duan të lënë në errësirë shqiptarët se cila është e vërteta e këtij skandali jo vetëm e ish-ministrit të Brendshëm por edhe më lart se aq, tha Alibeaj.