Ambasada Amerikane ka inkurajuar pjesën e shëndoshë të trupës aktuale gjyqësore, që të bëhet pjesë aktive e procesit të ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ky institucion është një hallkë kyçe e sistemit të ri të drejtësisë, që pritet të shërbejë si një filtër për emërimet e reja.
Një proces ky i vështirë, po të kemi parasysh jo vetëm anën proceduriale të hapave që duhen hedhur deri në konstitucimin e KLGJ, por edhe komplikimin që i ka bërë procesi i deritanishëm i vettingut, çështjes së burimeve njerëzore që duhet të jenë pjesë e saj. Pra, kandidatëve potencialë nga ana e gjyqësorit.
Çfarë ka ndodhur?
Në njoftimin e Ambasadës së SHBA thuhet se “Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie të vërtetë që i shërben interesave të qytetarëve të saj. I bëjmë thirrje gjykatësve të ndershëm, patriot dhe me integritet nga Gjykatat e Apelit që të bëjnë përpara dhe ti shërbejnë vendit të tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Bëhuni pjesë e të ardhmes së Shqipërisë”.
Në pamje të parë kemi një thirrje inkurajuese dhe plot shpresë për të ardhmen e drejtësisë së re por edhe të atyre vetë, që do të bëhen pjesë e saj, nëpërmjet aplikimit për vendet vakante të Këshillit. Kërkesa i është drejtuar gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së dytë, të cilët deri më sot, nuk kanë kaluar ende nëpër filtrat e vettingut.
Po pse ngurrojnë atëherë gjyqtarët e Apelit për të aplikuar, deri në atë pikë sa detyruan selinë diplomatike amerikane që ti inkurajonte ata publikisht për tu bërë pjesë e procesit?
Besoj se ka disa arësye për këtë, por më kryesoret mund të përmblidhen:
E para, frenimi lidhet me vendimet e deritanishme nga ana e institucioneve të vettingut (KPK dhe KPA) ndaj gjyqtarëve që kanë kaluar deri tani nëpër filtrat e tyre. Siç dihet, rreth gjysma e tyre, kanë dalë jashtë sistemit të drejtësisë, duke mos u rikonfirmuar për vijimin e detyrës.
E dyta, pak javë më parë gjatë një séance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Verifikimit të Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë, Shkëlqim Ganaj tha se gati gjysma e njerëzve të sistemit të Drejtësisë rrezikon të mbetet jashtë nga procesi i rivlerësimit, vetëm për shkak të njerit prej tre kritereve, atij që lidhet me pasuritë e deklaruara. “Pjesa e gjyqtarëve të Apelit është pjesa që ka përqindjen më të lartë të problematikës. Kështu që duke parë se Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, Gjykata e Lartë ka mangësi të mëdha, mendoj se vitin tjetër ne, me këtë trend, do të jemi dhe pa Gjykata Apeli”,- tha ai.
Kjo panoramë e zymtë që me sa duket i prêt sëshpejti gjyqtarët e Apelit, i ka frenuar shumë ata që të aplikojnë për tu bërë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Po më tej çdo ndodhë?
Pothuajse në të njëjtën kohë që Ambasada Amerikane nxirte njoftimin e saj, Parlamenti i Shqipërisë publikoi listën e kandidatëve për njërin nga shtatë vendet e mbetura bosh në Gjykatën Kushtetuese. Bëhet fjalë për vakancën e krijuar pas shkarkimit të Fatos Lulos nga vettingu.
Kjo është procedura e dytë e Kuvendit për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, pas asaj të hapur për zëvendësimin e Vladimir Kristos, i cili dha dorëheqjen me mbarimin e mandatit. Më herët, edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta ka hapur procedurat për zëvendësimin e dy ish-anëtarëve Sokol Berberi dhe Besnik Ymeraj, të dy të larguar me dorëheqje nga Gjykata Kushtetuese.
Por ky process nuk pritet të jetë i lehtë, sepse deri në plotësimin e vakancave, procedura e do që ato të kalojnë nëpërmjet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky këshill është jo funksional, sepse katër nga 9 anëtarët e tij, përfshi dhe një anëtar zëvendësues nuk e kaluan dot vettingun. Katër të tjerët që kanë mbetur, ende nuk kanë hyrë në proces verifikimi.
Përveç Këshillit të Lartë Gjyqësor për të cilin bëri thirrje ambasada amerikane dhe Gjykatës Kushtetuese për të cilën Parlamenti vijoi me publikimin e listave të kandidatëve, një tjetër gjykatë është paralizuar. Nga 17 anëtarë, Gjykata e Lartë aktualisht ka mbetur me vetëm katër gjyqtarë.
Megjithatë procesi i ecjes përpara të çmontimit të sistemit të vjetër të drejtësisë, nuk ka kthim pas. Me sa duket, tani që shtatori po troket, ngritja e institucioneve dhe nisja e funksionimit me kapacitet të plotë të sistemit të drejtësisë së re, do të mbetet kryesfida e vitit të ri politik dhe legjislativ që po nis.
Do të jetë një vit i vështirë, plot sfida, kurthe dhe përplasje. E sigurtë është që shtatori tjetër, do e gjejë Shqipërinë në një stad krejt tjetër të zhvillimeve, sidomos në drejtësi. Jo më kot Ambasada e SHBA e mbyll thirrjen e saj për gjyqtarët: Bëhuni pjesë e të ardhmes së Shqipërisë!