Nëse ka një rast ideal për të parë në dritë të diellit, mënyrën sesi sillet dhe i trajton opozita kauzat e saj, keni rast ta bëni këtë duke parë atë që keni prej disa javësh para syve tashmë; çështjen e Teatrit Kombëtar.
Kur artistët protestonin çdo ditë për mosprishjen e godinës së simbolit të artit skenik shqiptar, opozita jonë bënte sikur kjo çështje, nuk i përkiste.
Kur komuniteti i artistëve filloi të përçahej në dy grupe të mëdha, në pro dhe kundër projektit të qeverisë, opozita filloi që të bëhej gjallë, duke u kujdesur që të qëndronte herë herë në prapaskenë, e herë herë si suflere.
Kur aktorët, regjisorët dhe gjithë frocat krijuese e kontributore të teatrit filluan të bëheshin “kashtë e koqe”, duke sharë, fyer, ofenduar dhe duke u kacafytur publikisht me njëri tjetrin, opozita bënte sikur nuk e shihte e sikur nuk i dëgjonte. I vetmi shqetësim i saj, dukej sikur ishte; veç zhruma e artistëve të mos ndërpritet. Ose e thënë ndryshe: “Zhurma gjithçka, thelbi asgjë!”
Kur intensiteti i protestave publike të komunitetit të artistëve filloi të bjerë, opozita vendosi që ta vazhdonte vetë shfaqjen, por me mjete dhe në një vend tjetër. Duke e zhvendosur atë atje, në godinën e ish KQ të PPSH, ku mblidhen komisionet parlamentare. Duke dhënë para kamerave një shfaqje falas dhe live për qytetarët shqiptarë, sikur u dhimbsej çështja, e teatrit, më shumë se artistëve vetë. Duke dhënë për disa orë një shfaqje të shëmtuar teatrale, me aktorë politikë, e duke thirrur në skenë për ti bërë “gjyqin publik”, ministres së Kulturës dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Pasi u dështoi edhe kjo përpjekje për të fituar çtë mundnin, jo për aktorët dhe për teatrin, por thjeshtë dhe vetëm për vete në sytë e qytetarëve, opozita jonë e kuptoi se projekti po shkonte deri në fund dhe u tërhoq pas. Sepse vëmendja e saj reale ishte tek takimi i ministrave të jashtëm të BE në Luksemburg. Atje ku po vendosej për çeljen ose jo të negaociatave mes BE dhe Shqipërisë. Hapja e dritës jeshile do i jepte aksione politike qeverisë, ndërsa e kundërta opozitës. Por, Brukseli u duk se nuk i dha, as atë që priste mazhorancës, por nuk e zhgënjeu deri në pikën e fundit, as edhe opozitën.
Të gjendur përpara këtij fakti, aktorët e kuptuan se mund të mbeteshin një ditë edhe pa godinën ekzistuese, por edhe jashtë të qenurit faktor në një çështje që për ta është gjithçka. Ndaj, u detyruan fillimisht një e nga një, e më pas grupe grupe që të uleshin e të bisedonin me kryenegociatorin e qeverisë për këtë çështje: Kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
E atëherë kur aktorët u ndjenë të përfaqësuar dhe të faktorizuar si komunitet dhe si individë përballë qeverisë dhe mazhorancës, filluan edhe të zbrisnin nga tribuna e prostestës. Ishte ky momenti kur opozita doli për herë të parë me aktorët e saj në skenë. Me zë dhe me figurë. Sa më shumë aktorët realë largoheshin nga fokusi i protagonizmit punlik, aq më shumë protagonistë nga radhët e opozitës i zëvendësonin dhe mbanin fjalimet që deri dje, i mbanin punonjësit e Teatrit vetë.
Ka qenë ky momenti kur mazhoranca e kuptoi se negociimi i kishte dhënë frutet e veta, ndaj nxitoi që ta çonte projekt-ligjin për votim, të enjten e kësaj jave në Parlament. Ishte një nga ato ditë kur besohej se salla e Kuvendit do të ndizej “zjarr e flakë” nga rezistenca gjithfarësh e opozitës, e cila i kishte bërë thirrje aktorëve dhe shoqërisë civile bashkë me përkrahësit e vet, që të protestonin përballë godinës së Kuvendit.
E atëherë kur të gjithë prisnin bllokimin e punimeve të seancës plenare, siç opozita kishte bërë prej javësh e javësh me radhë, ndodhi e pabesueshmja; opozita për 12 orë me radhë mbajti aq e aq shumë fjalime, sa nuk kishte mbajtur gjatë gjithë këtij viti në Parlament. E atëherë kur protestuesit jashtë u lodhën, opozita e freskët brenda, dha dy- tri minuta shfaqje në momentin që mazhoranca votoi me 75 vota për rrëzimin e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin në vend të saj, të një projekti të ri, nga partneriteti publik privat.
Kaq ishte. “Kjo ishte loja moreeee…” Shfaqja mbaroi. Aktorët që këtë radhë ishin spektatorë, u larguan duke qarë nga finalja e një tragjedi-komedie politike, ndërkohë që aktorët politikë, bënë sikur e kuptuan dhimbjen e tyre dhe u larguan për tu shplodhur. Duke nisur të nesërmen që të shohin të relaksuar, ndeshjet e botërorit Rusi 2018 në vazhdim, apo për të shkuar drejt bregdetit për fundjavë.
Sot lindi një ditë e re. Aktorët ende të lodhur nga e gjitha çfarë përjetuan. Ndërsa opozita, për të vijuar post shfaqjen politike. Duke bërë deklarata, kërcënime e përbetime për qeverinë, “në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar”. Ajo që u shtua, ishte thirrja drejtuar Presidentit të Republikës, për të mos e dekretuar ligjin. Me siguri që ai do ti dëgjojë këtë radhë. Ndaj, edhe mund të mos e dekretojë këtë radhë ligjin e miratuar nga mazhoranca, duke e rikthyer atë përsëri në Parlament.
Brenda këtij muaji, PS do ta riçojë ndoshta për votim në seancën e fundit plenare të këtij sezoni parlamentar, përpara fillimit të pushimeve verore dhe me siguri, që do ta votojë përsëri. Ligji pas kësaj, sipas Kushtetutës, konsiderohet i dekretuar automatikisht duke hyrë menjëherë në fuqi. Pas kësaj, opozita ikën e lumtur me pushime. Mazhoranca, po e po. Presidentit, sigurisht që i takon që të pushojë edhe ai i lumtur, gjithashtu. Aktorët do të vërdallisen nëpër qytet, sepse nuk kanë aq para sa deputetët që ta freskojnë gushtin plazheve, resorteve e ishujve ekzotikë.
Ndoshta do të jetë koha kur fadromat do fillojnë që ta rrëzojnë përtokë, përpara syve të tyre, godinën e Tetarit. Shumëkujt prej tyre, do ti rrëshqasin lotët e dhimbjes e të nostalgjisë. Ndonjëri edhe do ta ngre zëri për herë të fundit, apo do të ulërasë. Por më kot. Sepse nuk ka kush ti dëgjojë. As të bëjë, sikur po i dëgjon. Sepse do të jenë duke pushuar. Larg, shumë larg prej rrënojave të teatrit të vjetër.
Kur të kthehen në Tiranë, ata do të gjëjnë në vend të godinës së Teatrit Kombëtar, një gropë të madhe. Eshtë gropa që ndan interesat dhe nevojat e një komuniteti, me klasën politike. E kur godina e re të jetë ngritur e të inaugurohet, opozita mund të ketë ardhur në pushtet. Atëherë ata që deri sot mbajtën fjalime për tetatrin e vjetër, do të jetë duke shijuar shfaqjen në lozhat e teatrit të ri. Duke duartrokitur shfaqjen e parë, të atyre aktorëve që deri sot qanë nga hidhërimi, e atë ditë ndoshta, nga gëzimi!