Kultura e përjetimit të humbjeve si fitore dhe e festimit të tyre me triumfalizëm, është një kulturë e përhapur në rajonin tonë. Duke mos qenë shqiptare, ajo më së shumti simbolizon humbësit e përjetshëm, të cilëve u ka mbetur me kohë ora e historisë.
Kjo kulturë fatkeqësisht po përhapet gjithnjë e më tepër, edhe tek opozita në Shqipëri, e cila po e bën rrugë festimin e humbjeve politike, si fitore. Thelbi i saj, qëndon tek përpjekja për ti fshehur dështimet më të mëdha, prapa sjelljeve prej fituesi. Duke e gënjyer veten kësisoj, e duket i trajtuar shqiptarët për budallenj, duke u lutur që të ndikohen nga gënjeshtrat që as ata vetë që ua tregojnë, nuk i besojnë dot.
Kjo tendencë ka ridalë në skenë, sërisht orët e fundit, pasi u kuptua edhe prej opozitarëve tanë, se Shqipëria po shkon drejt një hapje graduale gjithmonë e më të shpëjtë si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Shenjë e qartë se jemi në rrugë të mbarë, për të tejkaluar gjithnjë e më shpejt, mbylljen për shkak të pandemisë globale.
Shifrat e reja të fluksit të telefonatave në Qendrën Kombëtare të Emergjiencave, ato të të prekurve, viktimave dhe të shëruarve, dëshmojnë për një kurbë gjithnjë e më pak kërcënuese nga virusi vrasës, ndaj jetës së shqiptarëve. Raportet zyrtare dëshmojnë se “Shqipëria, Ukraina, Bullgaria dhe Sllovakia, bëjnë pjesë në listën e vendeve me numrin më të ulët të të sëmurëve nga Covid-19, për frymë të popullsisë”.
Megjithëse askush nuk ka guximin që të shpallë triumfin e madh ndaj virusit, të gjitha shenjat dhe provat dëshmojnë se më në fund po ia dalim dhe se optimizmi është i përligjur. Duke na dhënë mundësinë që ta themi që tani, se jemi në pragun e fitores së shqiptarëve në një luftë e cila mund të kishte rezultate katastrofike, pa zbatimin prej tyre të rregullave të forta të karantinimit.
Merita i shkon mjekëve, infermierëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të sistemit shëndetësor, që u angazhuan në vijën e parë të zjarrit të kësaj lufte. E sigurisht, edhe qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, strukturave të tjera të shtetit që janë të angazhuar në këtë përballje të paprecedentë dhe faktorëve të tjerë, që ishin në anën e qytetarëve kundër Covid- 19.
Humbësit e vetëm të kësaj lufte janë opozita shqiptare, liderët e saj dhe ajo pjesë e propogandës së tyre, e cila tentoi që ta shndërronte këtë përpjekje për ruajtjen e jetës dhe të shëndetit të qytetarëve, në një luftë të pastër politike sot, me qëllime për përfitime elektorale nesër.
E pikërisht në këtë moment, kur liderët e opozitës sonë duhet të kërkonin një falje të madhe për të gjitha të pavërtetat që kanë publikuar, çështjet e rreme që amplifikuan dhe gënjeshtrat e mëdha që tentuan për ti shndërruar në kazua, kanë nisur një etapë të re. Po sillen si fitues të luftës. Si çlirimtarë. Jo duke e shpallur këtë drejtpërdrejtë. Por përmes deklaratave e qëndrimeve të reja publike që po mbajnë.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike duken më të qetë, se të paktën e kanë gjetur sebepin për të justifikuar humbjen e tyre politike, në periudhën e luftës ndaj koronavirusit. Ajo u paska ardhur nga tradhëtia e lartë që u ka bërë Presidenti i Republikës, që zgjodhi të ishte i rreshtuar këtë radhë kundër Covid-19. Ai është akuzar prej tyre, përmes një qasje “Lej Fen”-iste, sipas së cilës Ilir Meta në krye të shtetit, paska bërë ndër vite “7 të mira” për qeverinë dhe “3 të tjera” për opozitën.
E duke vijuar me këtë logjikë, PD në vend të faljes, kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme. Ndërsa përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si për ti vënë vulën kulturës së përjetimit të humbjes së tyre politike si fitore, kanë dalë me idenë e shmangies së Kryeministrit Edi Rama dhe të PS nga qeverisja, duke propozuar ngritjen e një “Task Force jo politike” për të shpëtuar ekonominë.
Karantina e paska bërë punën e vet në anën e kampit opozitar. Sepse paskan harruar që në demokraci, nuk është dëshira e humbësve opozitarë ajo që përcakton mazhorancën dhe se kur zhvillohen zgjedhjet e radhës. Ato përcaktohen nga qytetarët dhe Kushtetuta. Ndaj, bëjnë mirë që tu kërkojnë falje njëherë shqiptarëve që nuk ishin në anën e tyre në luftën ndaj Covid-19, përpara qershorit të 2021, nëse duan që të marin vota prej tyre.