Me gjithë sforcimin e jashtëzakonshëm të mediave në Beograd e Tiranë, i vetmi lajm që prodhoi ndeshja e futbollit mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut të Korçës, ishte ai i 90 minutëshit mbi tapetin e blertë; fitoren e vendasve me rezultatin 2-0. Asnjë dron nuk fluturoi mbi stadium, asnjë “provokacia” nuk pati, asnjë diegie flamujsh, dhunë fizike apo përleshje tifozerish, thyerje xhamash makine e autobuzësh nuk ndodhi, gjithashtu. Kishte thirrje nga tifozeria vendase, që me siguri do të ndëshkohet nga UEFA, e cila ka një standard të vendosur tashmë për koret raciste dhe ato me sfond politik e nacionalist.
Që nga viti i largët 1987, kur Flamurtari i famshëm i Sokol Kushtës me shokë, eleminoi Partizanin brenda në Beograd për Kupën UEFA, pavarësisht dy golave të Fadil Vokrrit (Presidenti aktual i futbollit të Kosovës!), ndeshja e sotme ka qenë ndoshta më e qeta e përballjeve sportive mes dy fqinjëve armiq për vdekje. Tri dekada më parë, ishin të tjera rrethana gjeapolitike dhe emocionet e përziera ishin shumë të forta, duke na bërë që të përjetonim një ndjenjë të pazakontë triumfi dhe ekzaltimi kolektiv, të cilin për nga përmasa mund ta krahasoj vetëm me fitoren kundër Greqisë më 4 shtator 2004 në Tiranë, pak javë pasi ajo ishte shpallur kampione e Europës.
Jo më kot trajneri i Partizanit të Beogradit, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, e specifikoi në deklaratën e tij, urimin që shqiptarët të jenë ndjerë të mikpritur duke na konsideruar miq. Sikundër vetë serbët e përjetuan më parë mikpritjen shqiptare nga korçarët, në çdo aspekt. Kjo i detyruar futbollistët dhe drejtuesit kryesorë të klubit të Partizanit të Beogradit që ta përsërisnin shpesh këtë fakt përpara ndeshjes, në media dhe në thirrjet për qetësi drejtuar tifozerisë së saj të zjarrtë.
Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, bëri përcaktimin më të saktë ndoshta, kur pas ndeshjes deklaroi se “nuk pati asnjë problem gjatë lojës, por një ambient i tillë me kaq shumë policë, është i papranueshëm për futbollin”. Kjo është shumë e vërtetë, sepse thjeshtë gjeneron psikologjikisht një ngarkesë negative artificiale, së cilës nuk i përgjigjet temperatura reale e shkallëve të stadiumit. Fusha e futbollit dhe pankinat, jo e jo.
Ka shumë ekzagjerim nga policitë e vendeve respektive në marrjen e masave të sigurisë, sesa ka situatë reale në terren. Kjo u pa edhe në Elbasan Arena, në ndeshjen e 19 tetorit, në një stadium ku ndoshta veç për ndeshjen e kuq e zinjve kundër Izraelit ku kishte të dhëna konkrete për një situatë të mundshme akti terrorist me natyre fetare, ishte i justifikuar ai nivel masash.
Ndeshja e 14 tetorit 2014 mes kombëtareve të Serbisë dhe Shqipërisë për eleminatoret e Europianit të futbollit Francë 2016, ka qenë në fakt i vetmi episod që i nxehu gjakrat në ekstrem mes palëve, duke prodhuar ato skena dhune, imazhet e së cilës do të na shoqërojnë ndoshta përjetë. Para dhe sidomos pas kësaj, asgjë nuk ka ndodhur, pavarësisht frikës, tensionit dhe një atmosfere që më shumë duket se tentohet të elektrizohet nga mediat për pak audiencë më tepër, sesa nga vetë sportëdashësit. Ndeshja e kthimit pas dronit, më 8 tetor 2015 në Elbasan Arena, ku kombëtarja e Serbisë fitoi madje duke na ndëshkuar hidhur në fund të pjesës së dytë, tregoi se “droni” në ndeshjen e parë, kishte qenë thjeshtë një episod i shkëputur.
Askush nuk mund ta mohojë se një rol jo të vogël, në relaksimin e klimës së përballjeve sportive mes ekipeve serbe dhe shqiptare, ka edhe politika. Kurrë më parë, marrëdhëniet politike mes Tiranës dhe Beogradit, nuk kanë qenë në nivelet e sotme të marrëdhënieve mes dy kryeministrave Rama dhe Vuçiç, e për rrjedhojë edhe të dy qeverive respektive, duke e kapilarizuar këtë frymë në të gjitha fushat dhe nivelet e tjera të marrëdhënieve mes fqinjëve ballkanikë.
Në përfundim të ndeshjes në Beograd, më të mërëziturit, madje edhe se futbollistët e Skënderbeut, u dukën të ishin gazetarët. Të cilët nuk arritën që ta siguronin me sa duket porcionin e pritur të lajmeve që mund të prodhonte kjo ndeshje, e cila mund të shndërrohej në një gosti sheikësh për një ditë të vakët lajmesh, si ajo që sapo mbyllëm.
Në ndryshim nga të gjitha rastet, rrethanat, ngjarjet, ndeshjet, eventet dhe pritshmëritë e tjera, ky është nga të rrallat raste kur jo prodhimi, por pikësisht mosprodhimi i një lajmi, i një sensacioni, një scoop-i, apo një thagme të madhe mediatike, përbën pikërisht një lajm në vetëvete. Madje një lajm shumë të madh. Mes Serbisë dhe Shqipërisë, gjerat më në fund janë normale. Ka të paktën mbi 600 vjet që nuk ka qenë kështu. Ky është lajmi. Por, kur ai është i mirë për shqiptarët dhe serbët, është i keq për gazetarët. Sa mirë!