Përvjetori i 30-të i aktit historik të vrasjes masive të frikës nga shqiptarët, është përkujtuar nga shumëkush, si akti i parë i madh i lirisë pas 45 vitesh diktaturë komuniste. Për Shqipërinë, 2 korriku i vitit 1990 kur mijëra qytetarë pushtuan territoret e ambasadave të huaja në Tiranë, është po aq i rëndësishëm sa 9 nëntori i vitit 1989 për botën e lirë, që shënoi rrëzimin e Murit të Berlinit dhe fundin e Luftës së Ftohtë mes perëndimit kapitalist dhe Europës Lindore komuniste.
Pavarësisht distancës kohore, duket sikur disa nga ngjarjet e mëdha që pasuan atë të ambasadave për ta ndryshuar njëherë e përgjithmonë historinë e Shqipërisë, kanë ndodhur dje. Kanë qenë ditë, javë, muaj e vite të vrullshme ato, që sollën jo vetëm pluralizmin politik, por edhe lirinë e mendimit, pronës e më pas atë të lëvizjes. E kështu me radhë, deri në ditët e sotme, kur jemi dy shtete shqiptare në Ballkan dhe Shqipëria pas anëtarësimit në NATO, ka çelur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Pas tri dekadash nga “rrëzimi i murit shqiptar të Berlinit”, duket sikur mbetet ende aktuale një nga mesazhet më të fuqishme të asaj kohe të dhëna nga intelektualët shqiptarë, të cilët i paraprinë përmes shkrimeve dhe intervistave të tyre, zhvillimeve që ndodhën më pas në dhjetorin e 1990, me nisjen e lëvizjes studentore në Tiranë. Një nga shkrimet që ka bërë veçanërisht bujë, jehonat e të cilit vijojnë ende, është shkrimi i Profesor Ylli Popës, me titull: “Në kërkim të kohës së humbur”, si një refleksion me okelion “koha dhe intelektuali”.
Botuar në gazetën “Zëri I Popullit” më 29 prill 1990, vetëm 2 muaj e pak ditë përpara mësymjes nëpër ambasada, shkrimi më shumë sesa për titullin mbahet mend për një frazë gati të strukur në mes të tij: “Doktor te secili nga ne ka nga një mur që duhet shembur dhe një urë që duhet ndërtuar!”. Duke u bërë në këtë mënyrë, pa e kuptuar edhe aq qartë fillimisht, një nga simbolet më të mëdha referuese të shoqërisë shqiptare përgjatë erës së re të lirisë që nisi nga 2 korriku i 30 viteve më parë.
E ndërsa Europa sapo e kishte grisur dhe flakur tutje Perden e saj të Hekurt, përmes rrëzimit të murit që e ndau mespërmes pas Luftës së Dytë Botërore, shoqëria jonë kishte nevojë ulëritëse për të shembur muret e mëdha që koha, ideologjia dhe historia kishte arritur të lartësonte brenda vendit, për të ndërtuar në vend të tyre urat e mëdha të komunikimit e të bashkëpunimit me njëri- tjetrin.
Po çfarë ka ndodhur pas kësaj? A u rrëzuan të gjitha muret që ekzistonin mes nesh? A u rrëzun muret që na kishte imponuar regjimi komunist? A u rrëzuan muret që e kishin ndarë shoqërinë shqiptare, me të shkuarën e saj historike, të përpara 29 nëntorit 1944? A u rrëzuan muret e reja që u ndërtuan me “armiqtë” që regjimi prodhoi me shumicë për 45 vite me radhë? A u rrëzuan muret që e ndanin shoqërinë e pafajshme nga ata që bënë krime në emër të popullit?
Një gjë është e sigurtë, se pothuajse askush nuk u ndëshkua. Askush nuk u gjykua. Askush nuk u pendua. Askush nuk kërkoi falje.
Mirë muret që nuk u rrëzuan, por çfarë ndodhi me urat? A u ndërtuan ato? A u ndërtua një apo disa të tilla? A kanë nisur të ndërtohen, apo thjeshtë mbetën projekte në letër, apo në ëndrrat dhe dëshira e gjithësecilit? A jemi sot me të lidhur me njëri tjetrin përmes urave, më shumë se 30 vjet më parë? A janë ndërtuar urat e reja që do të na lejonin jo vetëm të kalonim por edhe të bashkonim mendimet tona të kundërta? Gjykimet tona të ndryshme? Argumentat tona aspak të njëjta? Bindjet tona jo edhe aq të ngjashme? Vlerësimet tona larg njëra tjetrës?
Një gjë është e sigurtë, se pas 30 vjetësh shumë mure janë rrëzuar. Shumë ura janë ndërtuar. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Por ende shumë e më shumë mbetet për tu bërë, për të arritur që të prekim ëndrrën e asaj periudhe që nuk ishte as më pak e as më shumë, por thjeshtë: Ta bëjmë Shqipërinë, si gjithë Europa!
Ironia është se të njëjtët që e shpërdoruan politikisht atë ëndërr dhe atë shpresë mbarëpopullore, vazhdojnë ta bëjnë edhe sot, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. A thua se nuk kanë kaluar 30 vjet? A thua se nuk kanë qenë gjysmën e kësaj periudhe në pushtet!
Megjithatë një gjë është e sigurtë. Shqipëria e 2020, nuk është më Shqipëria e 1990. As 2 korriku i sotëm, nuk është më 2 korriku i tri dekadave më parë. Sepse edhe shqiptarët, nuk janë më të njëjtët, në çdo aspekt. Sepse mbi të gjitha, të paktën ia kanë dalë që të shembin muret brenda vetes dhe të ndërtojnë urën e tyre për të ardhmen!