Me dekretimin e propozimit të Kryeministrit për ta emëruar Sandër Lleshin ministër të Brendshëm, Ilir Meta është rikthyer më në fund në pistën e duhur kushtetuese, pasi për disa javë e kishte humbur rrugën në autostradën e detyrave presidenciale. Ky hap më shumë sesa “saldim” i një krisje mes institucionit të Presidencës dhe Qeverisë, ishte një rikthim i atij që tentoi të luantë rolin e “djalit plangprishës”, në shtëpi.
Kjo histori e paprecedentë që u menaxhua me maksimumin e “qetësisë dhe dashurisë” nga ana e mazhorancës, ka brenda saj shumë prapaskena. Edhe nëse të gjitha nuk do mund të zbardhen aq shpejt sa mund të dëshirojë gjithkush, për arësyet që meren me mend, pasojat e tyre do duhet që të çmontohen sa më pare. Sepse ato mund të prodhonin një precedent, që mund ta fuste vendin në një spirale të rrezikshme.
Ky rast tregoi se më shumë se nga rreziku i “sekretarit të parë”, Shqipëria rrezikohet nga bindjet personale të qytetarit të parë.
Më shumë sesa nga mungesa e efektivitetit të Gjykatës Kushtetuese, Shqipëria rrezikohet nga mungesa e zbatimit të të drejtave dhe detyrimeve të qarta Kushtetuese.
Më shumë sesa nga formalizmat protokollare të elementëve të formës, Shqipëria rrezikohet nga mungesa e zbatimit të procedurave institucionale, që bazohen mbi thelbin e përmbajtjes.
Më shumë sesa nga delitantizmi i komentuesve të procedurave ligjore dhe neneve të Kushtutetutës, Shqipëria rrezikohet nga vendimarrja e atyre që votohen për të përfaqësuar unitetin e popullit shqiptar, përtej gardheve të familjeve të tyre politike.
Pas vendosjes së firmës nga Ilir Meta mbi dekretin për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi, Shqipëria është sot një hap larg situatave që prodhoi në Maqedoninë fqinje, vendimarrja që buronte nga bindjet personale të Presidentit. E vetmja gjë që prodhuan ato për urdhëruesit e tij politikë, ishte arratisja e ish Kryeministrit Gruevski si një bandit për ti shpëtuar drejtësisë së vendit të vet, duke kërkuar strehim në Hungari. Vendimet kushtetuese nuk kanë asgjë të përbashkët, me axhendat dhe frikërat politike të palëve që tentojnë të shfrytëzojnë pushtetin, për të rrëzuar legjitimitetin.
Rruga e Shqipërisë drejt një shteti me demokraci funksionale, ka kaluar nëpër shumë spirale të vështira dhe shtigje të rrezikshme, gjatë 28 viteve të fundit. Ato na kanë vonuar fatalisht për të mbërritur shumë më parë, në portat e Brukselit, si anëtare të barabartë të familjes së madhe europiane. Tani që jemi më pranë se kurrë për atje, duket se prova e fundit e zjarrit për elitën politike të Tiranës, mbetet qasja e palëve përballë reformës në drejtësi.
Sfida është ngritja sa më parë e institucioneve të një sistemi të ri e funksional, që nxjerr jashtë të gjithë ata që instaluan kulturën e mosndëshkueshmërisë në këtë vend. Çuarja përpara bankës së të akuzarve të të gjithë atyre që kanë kryer krime pushteti në Shqipër, është e pashmangshme. Eshtë një rrugë nëpër të cilën kanë kaluar më parë, edhe Rumania, Bullgaria, Kroacia dhe sëfundi Maqedonia. Radha me sa duket, tani është e Shqipërisë.