“E vendosur mes veriut të Greqisë dhe ujërave të kaltër të Italisë, Shqipëria duhet të jetë një “Mekë” turistike. Me një histori të mrekullueshme, bukuri natyrore dhe kuzhinë mesdhetare, Shqipëria është diamanti i pazbuluar i Europës”. Kështu e nis shkrimin e saj për vendin tonë, revista më e madhe australiane e udhëtimeve “The Journal”. Një artikull i gjatë kushtuar natyrës, kulturës dhe destinacioneve kryesore turtistike të vendit tonë.
Ky është një ndër shkrimet e fundit, në “detin” tashmë të pafund të shkrimeve që i kushtohen pothuajse çdo ditë Shqipërisë turistike. Me sa duket do të mësohemi aq shumë me këtë, sa nuk do na duhet që ti citojmë si deri më sot, në të ardhmen. E përbashkëta e të gjithë këtyre artikujve dedikuar vendit tonë, është nxitja që ato i bëjnë turistëve të vendeve të tyre dhe atyre ndërkombëtarë (sidomos kur publikohen edhe në anglisht në internet) për të udhëtuar drejt “kopshtit shkëmbor të Europës Juglindore”. Një nxitje që ka nisur të japi frutet e veta, tani që jemi duke shkuar pothuajse në zemër të sezonit veror të turizmit për 2018-tën.
Nuk janë vetëm hotelet, resortet dhe ambjentet e përshtatura për turizmin familjar përgjatë gjithë bregdetit, që kanë padyshim këtë vit, kërkesën më të lartë se çdo herë tjetër. Por është edhe dega e turizmit malor, atij urban dhe rural thellë nëpër fshatra e male kudo, gjithashtu. Kjo do të thotë, se sezoni turistik dhe turizmi përgjatë këtij viti, nuk ka lidhje thjeshtë dhe vetëm me korrikun e gushtin dhe me bregdetin, por me pothuajse gjithë popullsinë dhe hapësirën territoriale të vendit, përgjatë shumë muajve të vitit.
Drejtori i BERZH, Matteo Colangeli këshillon që Shqipëria ti rezitojë tundimit të mbindërtimeve në destinacionet e saj turistike kyçe duke u fokusuar në ruajtjen e autenticitetit dhe aseteve të saj aktuale, kulturore e natyrore. Sipas tij, agroturizmi është pika kryesore që duhet forcuar në Shqipëri, si një alternativë reale për rritjen e punësimit dhe mirëqenies në fshat dhe mbi të gjitha, për të siguruar një furnizim me produkte vendase të të gjitha hallkave të zinxhirit turistik. Për këtë, BERZH dhe BE po hartojnë një program me vlerë 100 milionë euro, që synon krijimin e një industrie të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse të turizmit në vendin tonë.
Aktualisht në Shqipëri po vijnë më shumë turistë sesa ky sektor ka mundësi qoftë në infrastrukturë, qoftë në kapacitete akomoduese e qoftë në shërbim e burime njerëzore, që të mirëpresë. Prapa këtij lajmi “të keq”, do duhet të dijmë që të dalljmë esencën e një lajmi të përkryer. Sepse ashtu si pa kuptuar, e kemi lënë pas të shkuarën e një vendi me imazh të nxirë, për aq kohë sa të huajt na kanë zbuluar dhe po nxitojnë që të na “pushtojnë”. Me siguri ky është “pushtimi” më i bukur, më i ëmbël dhe më i veçantë që I ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan, përgjatë gjithë historisë sonë.
Një “pushtim” ku të huajt vijnë jo për të na nënshtruar, por për të pushuar.
Një “pushtim” ku të huajt nuk vijnë për të na marrë lirinë e për të na plaçkitur. Por, vijnë për të na dhënë e për të na shtuar liritë tona, sidomos atë ekonomike.
Një “pushtim” ku për herë të parë, nuk janë shqiptarët ata që ëndërrojnë dhe shkojnë për të udhëtuar apo pushuar jashtë shtetit, por tani “jashtë shtetit” jemi edhe ne vetë.
Një “pushtim” ku “i pushtuari”, të shërben me qejf e me zell dhe lut e mezi pret, që të ritkhehen e të rikthen sërisht, ata që na pushtuan, për ta bërë mundësisht këtë, përgjithmonë.
Por që ky pushtim permanent të ndodhë, do na duhet që të mësohemi e të paguajmë çmimin e punës. Duke mos harruar se ajo shprehja e famshme që i atribuohet Ahmet Zogut, se qeveriste një vend me aq mbretër sa ç’kishte dhe banorë, duhet kuptuar se në industrinë e turizmit, mbretërit nuk jemi më ne, por ata që kanë ardhur e do të vijnë për të na “pushtuar”. Që do të thotë, se duhet ti përveshim mëngët, e ti shërbejmë me një standard sa më të lartë, sipas parimit universal të marketingut dhe tregëtisë: Klienti është Mbreti dhe ai ka gjithmonë të drejtë!
Kjo që po na ndodh me turizmin, shumëkënd mund ta ketë kapur të papërgatitur, pavarësisht viteve dhe dekadave pritjeje. Operatorët turistikë në radhë të parë, por edhe media, shoqëria, strukturat e pushtetit lokal dhe atij qendror, dikush duhet ti sensibilizojë e ti bëjë më shumë koshientë për atë që po na ndodh përgjatë 2018 dhe sidomos tani në verë, e më pas edhe në muajt e vitet në vijim. Në mënyrë që të përshtatemi sa më parë, me gjendjen e re të “pushtimit” të ëmbël turistik që po na ndodh, si me dritën verbuese në kufirin e një horizonti të ri, që me sa duket na ka dalë tashmë përpara, si destinacion.