Në letërsi ashtu si edhe në jetën e përditëshme kemi hasur shpeshherë shprehje që mund të na kenë mbetur ose jo në mendje. Në formën e titujve, batutave, diçiturës, epitafit apo përcaktimeve të goditura. Disa prej tyre njihen si “Nata me hënë”, “Nata e yjeve që bien”, “Nata e zimave të zinj”, “Nata e bardhë”, “Nata e Ustikës”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Nata e parë e lirisë”. Sikundër ka edhe përcaktime për ditën; “Dita e gjykimit”, “Dita e Verës”, “Dita e Tokës”, “Dita e Novruzit”, “…e punëtorëve”, “…e mësuesit”…
Ka ditë që lidhen me fenomene apo ngjarje si ajo e sotmja. Duken si një ditë finaleje ose ndeshje kontrolli. Si ditë vendimtare dhe përcaktuese për matjen paraprake të forcave, të pulsit mes palëve kryesore në lojë, përpara finales së madhe të “reformës në drejtësi” në Shqipëri.
Një ditë më parë, Kuvendi miratoi në seancën planare, kalendarin e punës për mbledhjen e së hënës, datë 18 dhjetor, ora 10.00. Ajo nuk pritet të jetë vetëm thjeshtë seanca e radhës e Parlamentit dhe e fundit për këtë vit kalendarik, por edhe seanca ku do të votohet zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm të Republikës. Ajo ose ai që do të pasojë në këtë detyrë Adriatik Llallën, të cilit i ka përfunduar mandati më 7 dhjetor.
Gjatë së premtes ndodhën aq shumë gjëra para votimit të së hënës, sa opozita lajmëroi me urgjencë thirrjen e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, për të vendosur qëndrimin e saj politik. Një qëndrim, i cili nisur nga paralajmërimet e liderëve të saj, parathotë një ashpërsim deri në ekstrem të veprimit opozitar. Ka diskutime se ajo mund të shkojë nga tentativa për bllokimin e votimit për Kryeprokurorin e ri, e deri tek bojkoti e protestat, ose kombinimi i këtyre hapave “in extremis”.
Komisioni Parlamentar i Ligjeve, nëpërmjet relatorit të çështjes Bledi Çuçi, përzgjodhi 3 mes 7 kandidaturave të vetofruara për postin e kreut të organit të akuzës shqiptare, nisur nga kriteret ligjore dhe platformat e paraqitura prej tyre. Kjo do të thotë se Prokurori I Përgjithshëm i Përkohshëm do të dali nga përzgjedhja me vote mes Ermira Tafanit, Arta Markut dhe Ferdinand Elezit.
Parlalel me këtë zhvillim, ish ministri i Brendshëm socialist, Saimir Tahiri i shoqëruar nga avokati i tij, i cili është një ish Prokuror i Përgjithshëm gjithashtu, Maks Haxhia u paraqitën në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Mësohet se u informuam rreth vendimit për bllokimin e pasaportës dhe kartës së identitetit, për të mos udhëtuar jashtë vendit. Çështja “Tahiri” ka qenë dhe mbetet kali kryesor i betejës së opozitës kundër mazhorancës, në përplasjen e tyre të madhe të javëve të fundit, rreth çështjes së Kryeprokurorit. Çështja e ish ministrit, është konsideruar nga opozita, si “shkaku” që po nxit mazhorancën që të “minojë” reformën në drejtësi, duke kërkuar që edhe me ndihmën e SHBA e BE, të “kapi” kreun e akuzës shqiptare.
Po sot, Gjykata e Tiranës ka pranuar një kërkesë të bërë për rihetimin e thelluar të çështjes së skandalit ÇEZ rreth privatizimit të OSSH-së, për të cilën dyshohet se janë dhënë miliona euro ryshfete. Një vendim ky, që refuzon kërkesën e prokurorisë për të mbyllur procesin e hetimit të kësaj afere korruptive. Nga ana tjetër, në “Ditari”-n e “Zërit të Amerikës” u transmetua një intervistë me shefin e firmës “Muddy Waters”, Carson Block, ku ai shpjegoi arësyet se përse është i bindur që marrëveshja e Rapiskanit me qeverinë Berisha për skanimin e kontenierëve në doganat shqiptare, është një rast korrupsioni. Kjo intervistë, përbën dëshminë më të fortë të dhënë deri më sot, rreth çështjes së kësaj kontrate 250 milionë dollarëshe, e cila me shumë gjasë pritet të jetë një nga dosjet e para që pret të shqyrtohet nga Kryeprokuri i ri.
Këto dhe zhvillime të tjera të rëndësishme, jashtë syrit të medias dhe vëmendjes së publikut, të ndodhura gjatë kësaj dite në lidhje me reformën në drejtësi, e bëjnë kaq shumë të veçantë atë. Kjo periudhë mes festave të nëntorit dhe atyre të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, e ka rritur në maksimum presionin dhe tensionin Brenda klasës politike shqiptare. Me sa duket, jemi në periudhën që më shumë se çdonjërës tjetër, i shkon për diçiturë thënia e Konfucit: “Turbullohu, kthjellohu!” Ndodhemi në epiqendër të turbullimit. Kthjellimi? Ndoshta fillon pasi të kemi mbaruar edhe gjelin e detit.