Kryelajmi i javës që sapo lamë pas në Shqipëri, ishte me siguri vendimi i Gjykatës për Krimet e Rënda të shkallës së pare në Tiranë, për sekuestrimin e një liste pronash që figurojnë në emër të ish Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Adriatik Llalla. Vendimi u mor pasi dyshohet se këto prona me vlera marramendase, janë vendosur në rrugë kriminale. Ajo që binte në sy pak ditë më pas, me zbardhjen e plotë të vendimit të gjykatës, lidhej me rolin e medias dhe gazetarëve në këtë histori. Një rol i dorës së parë, në sajë të të cilëve, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, ish Nr. 1 i organit të akuzës është sot nën hetim për veprat më të rënda penale që parashikon ligji.
Sipas vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda, “çështja penale ndaj Adriatik Llallës është regjistruar kryesisht, mbi bazën e të dhënave të publikuara në media, ku ndër të tjerat flitet për jetën e luksit që bënte ish Prokurori i Përgjithshëm dhe familja e tij.”
Në pranverë të këtij viti, një serial i pazakontë shkrimesh investigative, të shoqëruara me foto ekskluzive të familjarëve të ish kreut të organit të akuzës, por edhe dokumenta e prova të tjera krahasimore, ekspozuan për herë të parë një anë krejt tjetër e të panjohur deri atë kohë, nga publiku shqiptar. Cikli i shkrimeve hidhte dritë të plotë mbi jetën e shfrenuar mes luksit të paparë të fëmijëve dhe ish Kryeprokurorit vetë. Një standard jetese ky, i krahasueshëm vetëm me ato të sheikëve, oligrakëve apo familjeve mafioze, e i paarritshëm nëpërmjet pagave modeste të dy nëpunësve shqiptarë, siç kanë qenë gjatë gjithë jetës së tyre, çifti i bashkëshortëve Llalla.
Si të mos mjaftonte vetëm kjo, vendimi i Gjykatës për Krime të Rënda shpjegonte se përmes medias, janë informuar gjithashtu se ish kreu i organit të akuzës kishte kryer disa transaksione të errëta financiare, mes të cilave edhe me një të dënuar me vendim të formës së prerë për vrasje, të cilit Llalla “i bleu” 3 000 metra katrorë tokë për 1.5 milionë lekë dhe pasi e rivlerësoi e shiti atë me një vlerë 20- 30 herë më të lartë, ose 249 mijë euro. Në të njëjtin vend, pak më pas ai ka blerë një tokë prej 4 500 metrash katrorë për 4.5 milionë lekë dhe pak më pas, e ka shitur përsëri me një çmim mbi 10 herë më të lartë.
Ky vendim për një nga ish zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, siç shihet, është një vepër ekskluzive e mediave dhe e punës investigative të gazetarëve. E tillë është edhe çështja e nisur nga Prokuroria ndaj ish krahut të djathtë të Llallës, ish Drejtoreshës së Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe e Dekriminalizimit Rovena Gashi dhe bashkëshortit të saj, ish Kryeprokurorit të Elbasanit Dritan Gina. Ata sot janë duke u hetuar zyrtarisht nga Prokuroria e Fierit për fshehje dhe mosdeklarim pasurie në bashkëpunim dhe dyshohen edhe për vepra të tjera më të rënda penale. Ky hetim nisi pasi media zbuloi dhe publikoi prova dhe fakte, se dy ish prokurorët kishin fshehur 16 prona në emër të një të afërmi të tyre familjar.
Gjatë kësaj jave që sapo lamë pas, edhe njëri prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi në seancën e parë ndaj tij në procesin e vettingut, u shpreh në Komisionin e Poçëm të Kualifikimit se “përmes komunikimit publik më është bërë me dije përbërja e trupës gjyqësore. Dhe unë kam shprehur konsideratën për të tre anëtarët. Por nisur nga faktet që kanë ndodhur rishtaz dua të nisë hetimi disiplinor ndaj kësaj trupe sepse në Televizionin “Top Channel” është transmetuar një kronike ekskluzive ku jep te dhëna sensitive. Unë kërkoj pezullimin e seancës dëgjimore sepse do i kërkoj ONM (Operacionit Ndërkombëtarë të Monitorimit) të nisë procedurë disiplinore sepse janë përdorur të dhëna konfidenciale”.
Këto tri-katër shembuj të kohëve të fundit, që nëpërmjet punës së gazetarëve kanë detyruar organet kopetente të nxjerrin jashtë sistemit disa prej ish drejtuesve dhe personazheve kryesorë drejtësisë së vjetër, tregon se me gjithë problemet, defektet dhe kritikat që i adresohen, media mbetet gjithësesi një pushtet ende i rëndësishëm. Një pushtet, i cili nëse përdoret si në këto e në shumë raste të tjera të dobishme për shoqërinë, mund të jetë një partner edhe më i fortë e i besueshëm publikisht, në forcimin e tre pushteteve të tjera në Shqipëri.


