I ftuar në emisionin e mëngjesit të Enkel Demit në Radio Televizionin Publik Shqiptar, një hop mbeta pa përgjigje, ku pas një bisede të këndshme për faktin se romani im “Sarah” ishte shpallur libri më i shitur i javës, më pyeti se me se do meresha pas kësaj. Në majë të gjuhës, më erdhi fillimisht ti ktheja përgjigjen: Jam një i pa punë!,- sic kanë thënë disa ish kolegë të mij deputetë. Por pas pak ditësh, kur të lancoja projektin tim të ri, do mbetesha keq përpara mikut tim të vjetër, me të cilin kemi ndarë shumë lajme për njëri- tjetrin. Ndaj, hezitimit të parë, i zuri vendin përgjigja që ishte bërë lajm në mediat online, ende pa dalë nga studio e tij.
Përpara se t’ju informoj për disa nga detajet e projektit tim mediatik, do të doja të sqaroja që në krye të herës se rikthimi im aktiv në profesionin e përhershëm, nuk presupozon aspak largimin tim nga politika. Përkundrazi! Kjo do të thotë se do vijoj angazhimin shumë aktivisht në të gjitha pozicionet aktuale në PS, për të dhënë kontributin tim. Edhe përgjatë më shumë se katër viteve të kaluara, brenda ose jashtë Parlamentit, angazhimi im ka qenë i lidhur më së shumti me mediat, arsimin, kulturën dhe komunikimin publik.
Nga ana tjetër, dua të saktësoj se projekti im i ri mediatik, nuk ka asnjë lidhje me politikën. Ai është e do të mbetet gjithmonë, një projekt krejt privat, i cili do të funksionojë sipas të gjitha rregullave dhe normave të ekonomisë së tregut, kërkesë- ofertës dhe parimeve më të mira e universale të gazetarisë, për informimin, argëtimin dhe edukimin e opinionit publik.
Ky është një projekt i bazuar tërësisht tek gjenerata e re e gazetarëve dhe e teknologjive digjitale. Pra, do të operoje në fushën e mediave të reja online, duke risjellë përvojën time më të mirë cerekshekullore profesionale, bazuar në parimet më të vyera të gazetarisë së kohëve “të vjetra”: Profesionalizmi, e vërteta, dy burimet brenda një lajmi dhe prevalimi në cdo kohë e në cdo rast, i interesit publik mbi cdo interes tjetër.
Alpenews.al, më shumë sesa dy germat e para nistore të emrit dhe mbiemrit tim, të kujton Alpe-t e Shqipërisë apo të Europës po të doni, si një simbolikë e majave dhe lartësive që ruajnë shenjtërinë e këtyre parimeve, jo rrallë të munguara në xhunglën dhe kënetën e sotme mediatike. Ku lexuesi, dëgjuesi e shikuesi, pra qytetari i zakonshëm në përgjithësi, shpeshherë e ka të vështirë të kuptojë qartë kufirin që ndan informimin e paanshëm profesional, me komentin, opinionin, analizën dhe gjykimin personal të gazetarëve, opinionistëve apo analistëve. E nga ana tjetër, të kuptojë kufirin që ndan të vërtetën nga e pavërteta, informimin nga propaganda, lajmin nga interesat e ngushta personale të botuesve, protagonistëve publike dhe atyre që mund të fshihen jo rrallë prapa tyre.
Nisur nga këto dhe shumë gjëra të tjera që do jenë pjesë e sqarimeve dhe kuptimeve tona të përditëshme në rrugëtimin e pandalshëm tashmë, alpenews.al ndryshe nga mediat e tjera online, do të funksionojë mbi tri kolona.
Kolona e parë, është ajo që e kanë të gjitha website-t, pra faqet e sotme të internetit: word press-i. Ose e thënë me më shumë fjalë, “fjalët e shtypura”, lajmet me tekst të shoqëruara me foto apo video herë pas here.
Kolona e dytë e kësaj platforme përbëhet nga BLOG-u, ose hapësira e dedikuar totalisht opinioneve tuaja. Kjo hapësirë e re e lirisë së shprehjes, eshte aplikuar me shumë sukses në shumë media të reja online të perëndimit, por ende në asnjërën nga mediat shqiptare. Ajo është platforma që synon ti japë zë të gjithë atyre që kanë dicka për të thenë, por që deri më sot i kanë patur të mbyllura dyert e studiove, emisioneve, redaksive dhe cdo hapësirë tjetër te mediave te strukturuara si te tilla, për të thënë fjalën e tyre.
Ndaj, janë të ftuar për të shkruar në AlpeBlog.al të gjithë ata që duan që nëpërmjet saj, të shfaqin publikisht mendimet, gjykimet, komentet, analizat, sygjerimet, denoncimet dhe opinionet e tyre. Nga qytetari më i thjeshtë, e deri tek njerëzit me një status të caktuar publik e shoqëror. Kuptohet, që ky nuk është një kanal i ri sharjesh e fyerjesh, por një mundësi e munguar lirie, një trampolinë e organizuar profesionale për t’u shfaqur e për të kontribuar në debatin publik shqiptar. I vetmi kriter që duhet të plotësojë gjithkush për të qenë pjesë e saj, lidhet me faktin se opinionet e të gjithë atyre që do të postohen këtu, duhet të kenë jo thjeshtë dhe vetëm interes krejt personal, por interes të gjerë publik.
Kolona e tretë mbi të cilën synohet të qëndrojë në këmbë alpenews.al do të jet web tv. Pra, televizioni në internet. Duke filluar që nga publikimi i videove me te thjeshta si qeliza, elementi bazë televiziv, e deri tek transmetimet live televizive, nëpërmjet teknologjive të një gjenerate të re. Për të vijuar më pas me prodhimin e lajmeve, kronikave dhe emisione televizive, derisa brenda alpenews.al të mari jetë dalëngadalë web tv, me anë të programeve të strukturuara 24 orëshe si edhe te gjitha televizionet tradicione qe shihen ne aparatet e sotme televizive.
Ky projekt është vec të tjerash, një përpjekje për vijimin e kontributit cerek shekullor në shërbimin publik mediatik.
Në fund monopolin e gjykimit dhe vlerësimit për sukesin e këtij projekti, e ka opinioni publik dhe të gjithë përdoruesit e pafund shqiptarë kudo që jetojnë e punojnë, të rrjetit të gjerë botëror.
Faleminderit!
Tiranë, 28 tetor, 2017