Jo vetëm skeptikët dhe kritikët, por as drejtuesit dhe bashkëpunërorët e tij më të afërt në LSI, nuk e shohin më sot Presidentin e Republikës në lartësinë e të qenit një faktor kredibël, në lartësinë e sfidave politike të vendit. As përgjigja pozitive ndaj kërkesës së partive të vogla aleate të PD dhe LSI në opozitë, për tu takuar të martën e javës së ardhshme “në funksion të zgjidhjes së krizës politike në vend” dhe as thirrjet Hyjnore për “dialog, mirëkuptim, bashkëpunim e vllazërim” të lëshuara prej tij në fundjavë, nuk arrijnë dot që ta bëjnë Ilir Metën një pikë referimi në këtë situatë.
Ka shumë arësye për këtë!
Megjithëse i zgjedhur me votat e deputetëve të PS në Parlament, kur ishte në aleancë qeverisëse me LSI, Ilir Meta nuk po ia del që ti shtojë profilit të tij politik, edhe penelatat presidenciale. Ndryshe nga periudha kur e drejtoi Parlamentin, vetëm pak muaj pas qëndrimit në zyrën e kreut të shtetit, e flaku tej maskën e “qetësisë dhe dashurisë” e shumë shpejt, me veprimet dhe mosveprimet e tij, u bë jo vetëm i njëanshëm por edhe i padobishëm për të gjitha palët politike në qytet.
Në muajt e parë të Presidencës, Ilir Meta u mundua që të ekspozonte në publik anën e tij institucionale, ndërkohë që në jetën përtej kostumit zyrtar, nisi të shfaqte afinitete dhe lëvizje që tregonin se përtej ujërave të qeta, diçka kishte nisur që të luhej… Fillimisht turbullira u shfaq në formën e mosfirmosjes së dekreteve për ligjet e mazhorancës dhe më pas, me mosdhënien e plotfuqishmërisë ministrit të Jashtëm për të nisur negociatat e zgjidhjes së çështjeve të bartuara historike me Greqinë. Kjo u pasua me mosdekretimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi dhe më vonë u thellua me mosdekretimin e shkarkimit të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe mosemërimit të ministrit të ri të propozuar nga Kryeministri Rama, Gent Caka.
Kjo qasje e nxorri për herë të parë krejt zbuluar në publik, profilin “e anshëm” të Presidentit të Republikës, duke e bërë atë një aktor gjithnjë e më të pabesueshëm për të qëndruar në vijimësi të zhvillimeve politike, si “arbitër” mbi palët. Si të mos mjaftonte kjo, Ilir Meta shfaqej shumë i zëshëm kur vinte puna për të mbajtur qëndrime publike mbi protestën e studentëve në fillimin e dhjetorit 2018, por krejt i heshtur në raste të tjera, kur fjala e Presidentit mund të bënte diferencën në qëndrimet e kundërta të palëve.
Ilir Meta jo vetëm që nuk bëri përçapjet serioze, por sjelljet e tij ranë në sy kur nuk ndërmori hapat e duhura për të parandaluar aktin e paprecedentë të partive të opozitës, për të djegur mandatet e deputetëve, duke dalë nga sistemi parlamentar i vendit. Deklaratat e tij në këtë periudhë, për “një hap pas nga opozita dhe dy hapa prapa nga mazhoranca”, më shumë shërbyen për të bërë lojën politike edhe më komike, sesa për të çdramatizuar atë. Gjë që do të ndihmonte në rikthimin e opozitës në hullitë institucionalë, duke e bërë krejt të mundur, nxitjen e klimës së dialogut mes palëve.
Ishte kjo periudha kur veprimet dhe mosveprimet e Presidentit të Republikës në lidhje me zhvillimet politike në vend, filluan që të lexohen nga shumë njerëz, si të njëanshme e shumë pranë axhendës së lidershipit opozitar. As mungesa e konsensusit ndërkombëtar për aksionin politik të PD, LSI e aleatëve të tyre; as refuzimi nga SHBA, BE dhe Berlini zyrtar i aktit të daljes nga sistemi politik i vendit; as dënimi i dhunës së opozitës në protesta dhe thirrja e vazhdueshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, nuk u reflektuan në axhendën e angazhimit të Presidentit të Republikës.
Kjo bëri që të kuptohej gjithnjë e më mirë e të shihej gjithmonë e më qartë, se Ilir Meta nuk ishte në lartësinë e zbatimit praktik, të gërmës dhe frymës së Kushtetutës së Shqipërisë. Në rastin më të keq, sjellja e tij u lexua sikur të ishte palë dhe pjesë e lojës politike të lidershipit të opozitës së vjetër. Ndërsa në rastin më të mirë, si një qasje prej një arbitri që është tifoz me njërën nga të dyja skuadrat, që historia i dha për të gjykuar.
Të gjitha këto, por edhe disa faktorë të tjerë jo publikë, çuan në defaktorizimin e shpejtë politik të Presidentit në këtë situatë. Ndaj as tryeza e partive të vogla opozitare e thirrur “post mortum” prej tij, plot 8 ditë pas përfundimit të afatit zyrtar të regjistrimit të tyre në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit dhe as lutjet drejtuar Zotit që të vijë e të bëjë atë që duhet ta bëjnë njerëzit që e drejtojnë këtë vend, nuk e ndryshojnë dot këtë realitet ku ndodhet sot Ilir Meta. Përkundrazi!