Lidershipi i opozitës duket se e ka pranuar tashmë, se strategjia e rrëzimit të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama me anë të protestave, ka dështuar. Dorëzimi përpara këtij fakti, nisi që të enjten e kaluar, kur përballë Parlamentit nuk u zhvillua protesta e radhës dhe në rrethimin e saj, u panë vetëm disa pankarta të forumeve rinore të partive opozitare.
Nëse mungesën e protestës së të enjtes së kaluar, po e justifikojmë me faktin se vetëm dy ditë më pas, të shtunën e 13 prillit do të organizohej protesta e përmuajshme në bulevard, ajo që i vendos kapakun dështimit përfundimtar, është e enjtja e kësaj jave. Si zakonisht Parlamenti do të zhvillojë seancën plenare të radhës, ndërsa opozita nuk ka njoftuar për protestë.
Rikujtoj se menjëherë pas djegies së mandateve të deputetëve të PD, LSI dhe aleatëve të tyre, si Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kishin deklaruar se do protestonin përpara Parlamentit sa herë që mazhoranca do të ishte brenda asaj salle.
Edhe kur në një rast, seanca plenare nuk u zhvillua të enjten por më herët, lidershipi i opozitës dha alarmin dhe protesta u organizua me shpejtësi. E më pas, e gjitha kjo “u shit” si një tregues i mbështetjes që aksioni opozitar gëzon në popull dhe si një ushtrim organizativ i partive të “Opozitës së Bashkuar”.
Por çfarë ka ndodhur që opozita nuk bëri protestë as të enjten e kaluar dhe nuk ka njoftuar se do të protestojë as të enjten e kësaj jave përballë Parlamentit, ndërkohë që si mazhoranca ashtu edhe deputetët e rinj të opozitës që po mbushin vendet e lëna bosh nga opozita zyrtare, do të vijojnë punën e tyre normalisht?
Ka shumë arsye për këtë, por ndoshta më kryesoret janë:
Së pari, dështimi i strategjisë së protestave vërteton në praktikë, faktin se në aksionin e saj për të dalë nga sistemi parlamentar me synimin për të rrëzuar qeverinë e për ta fituar pushtetin në tavolinë, opozita jonë nuk e gëzonte dhe nuk arriti që ta fitonte as më pas, mbështetjen popullore.
Së dyti, dështimi i strategjisë së protestave tregoi se kauzat kur nuk janë të drejta dhe kur ato nuk kanë legjitimitet, sado që të mundohesh ta mbulosh aksionin politik me organizim, financa, me burime njerëzore, me mbështetje të gjerë mediatike, ato herët ose vonë janë të destinuara të zhbëhen.
Së treti, dështimi i strategjisë së protestave dëshmoi se jo vetëm qytetarët shqiptarë, por as arbitri ndërkombëtar nuk mund të mbështesë në asnjë rast, aksione politike që zhvillohen jashtë sistemit demokratik, jashtë institucioneve dhe jashtë fushës së rregullave të një loje që mund ta shndërrojnë atë në një kazuz të rrezikshëm e të papranushëm. Nëse ky hap “in extremis” që ka ndërmarrë opozita do të pranohej, pas kësaj Shqipëria do të shndërrohej në një demokraci të dështuar, në një vend të paqeverisshëm dhe në një produkt të gatshëm politik, për tu eksportuar në demokracitë e tjera, duke infektuar në këtë mënyrë me virusin e saj, gjithë sistemin.
Të ndodhur përpara këtij realiteti, lidershipi i opozitës ka nisur të takohet, të mbledhin forumet e tyre drejtuese e të lëvizë. Me sa duket, janë në kërkim të një strategjie të re, të një qasje të re, për fazën e re në të cilën ndodhet beteja e tyre vetvrasëse politike, përballë mazhorancës. Më 21 prill, përfundon afati ligjor i partive politike për tu regjistruar pranë KQZ, në mënyrë që të konfirmojnë pjesëmarrjen ose jo në zgjedhjet e 30 qershorit. Zv. Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, z. Palmer ua tha troç e qartë udhëheqësve të opozitës sonë se zgjedhje të parakohëshme parlamentare nuk ka e nuk do të ketë.
Në këto kushte, opozita jonë duket se ka gjithnjë e më pak alternativë për të zgjedhur: Ose, do të hyjë në garën për zgjedhjet lokale. Ose, do vazhdojë me linjën e radikalizimit me sa e si të mundet të situatës, deri në vetasgjesim të plotë politik. Në sallën e Kuvendit deputetët e rinj të opozitës po organziohen në grupe parlamentare dhe nëpër komisione. Jashtë sallës, grupe të reja opozitare po lëvizin me shpejtësi për të krijuar realitete të reja politike për sot dhe për të ardhmen e afërt. Këto janë deri më tani, të vetmet produkte të reja politike që ka prodhuar, dështimi i strategjisë së protestave nga ana e opozitës zyrtare. Çfarë do të ndodhë nesër? Prisni, prisni se nuk keni parë gjë akoma!