trajtën e një legjende të vërtetë, e cila kalon fushë më fushë, kodër për mbi kodra, për t’u përhapur nëpër male, lugina, brigje e dete, gojë më gojë e frymë për frymë, derisa ditën e njoftuar, arrin që të realizojë efektin ortek që përpin duke marrë përpara, gjithçka gjen rrugës.
Kjo do të ishte nga pikëpamja figurative, idealja që mund të arrinte politikisht një nismë e tillë demokratike, që po përgatitet prej javësh dhe që po merr energjitë e gjithë aktorëve dhe faktorëve opozitarë. Jo vetëm të atyre që janë rreshtuar në të drejtën e vet dhe të Zotit, në njërën apo tjetrën parti politike, por edhe të tjerë që për njëmijë e një arsye, ndihen sot opozitarët me kryeministrin, me qeverinë e tij, me PS, me mazhorancën e saj dhe më të gjithë ata që identifikohen me qeverisjen dhe me pushtetin.
Fabula rreth të cilës po kërkohet që të ngrihet legjenda, lidhet me magjinë që përhap ideja se më 27 qershor, edhe nëse nuk e kthejmë dot mbrapsht rrotën e reformës në drejtësi, marrjen e datës për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, edhe nëse nuk e largojmë dot këtë qeveri, edhe nëse vërtet nuk ia arrijmë që ta frikësojmë deri në palcë këtë mazhorancë, do t’ia dalim gjithsesi që t’i krijojmë asaj një goditje aq të madhe, sa t’i shkaktojmë një krisje aq të thellë, pas së cilës godina e saj të mos qëndrojë dot gjatë në këmbë, pas “tërmetit” opozitar të kësaj të shtune.
Megjithatë për ta kuptuar më mirë legjendën, le të themi disa të vërteta të thjeshta rreth saj, në mënyrë që në fund, kushdo mund t’i vërë në balancë dhe të nxjerrë konkluzionin e vet.
E para, kjo nuk është ndonjë protestë e rrallë, e veçantë, nga ato që e çojnë përplasjen politike në një vend, deri në ekstrem si të ishte duke luajtur në të fundmen lojë. Nuk ka as frymë, as shkak dhe as legjitimitet për këtë.
E dyta, 27 janari nuk do të jetë as “21 janari”, për shumë arsye, që të gjithë i mirëkuptojnë. Pasi nuk janë as parakushtet, as atmosfera e aq më pak shkaqet që e çojnë policinë apo Gardën, deri tek vrasja e protestuesve në bulevard.
E treta, ajo e kësaj të shtune, është thjeshtë protesta e radhës, e opozitës së radhës, në një cikël të pafund që loja në një sistem të tillë politik, e ka një ushtrim të zakonshëm demokracie. Madje është një protestë e vonuar, po të kemi parasysh se është e para që opozita bën që pas “çadrës”, pra pas plot 8 a 9 muajsh.
E katërta, le ta konsiderojmë atë në këto kushte, si protestën e parë jo vetëm për vitin kalendarik 2018, por edhe për këtë mandat 4 vitesh qëndrimi në opozitë si të PD-së, ashtu edhe të LSI-së dhe aleatëve të tjerë minorë. Më shumë sesa një demonstrim kundër mazhorancës, ajo për rrjedhojë në këtë rast, po shndërrohet në një provë për kompaktësimin e opozitës.
E pesta, 27 janari do të jetë dita e parë kur do të shohim së bashku në shesh edhe militantët e PD edhe ata të LSI. Edhe ish-ministrat e PD, edhe ata të LSI. Edhe ish-drejtorët e PD, edhe ata të LSI. Edhe ish-të punësuarit politikë nga PD, edhe ata të LSI. Madje mund të jenë bashkë ata që u hoqën nga PD për t’u hapur vendet atyre të LSI, si në administratë ashtu edhe në pushtetin lokal, gjatë bashkëqeverisjes së tyre në vitet 2009-2013.
E gjashta, si gjithmonë ka qenë lideri historik i PD-së, Sali Berisha ai që i paraprin sheshimit të problemeve që nuk arrin dot t’i tejkalojë me profilin aktual Lulzim Basha, siç është rasti i balancave opozitare që i duhet të mbajë mes LSI dhe partive të tjera më të vogla, por tradicionalisht besnike dhe mbështetëse të demokratëve. Në një dalje televizive të martën, Berisha tha se PD dhe LSI dhe të gjithë faktorët e tjerë opozitarë duhet të jenë bashkë për rrëzimin e Edi Ramës. Kjo e bën mërinë brenda kampit opozitar që të fashitet dhe të gjithë të shkojnë në protestë me këmbët në tokë dhe kokën drejt horizontit të pushtetit.
Dhe e fundit, një nga të vërtetat e tjera të thjeshta mes shumë e shumë që nuk mund të përmblidhen dot të gjitha këtu, është edhe fakti se pas një jave ose më shumë, protesta do të jetë harruar. Si shumë protesta të tjera të këtij karakteri, të cilat janë të destinuara, për shkak të mënyrës sesi funksionon ky sistem, që të përfundojnë thjeshtë në numra. Në statistika më shumë për ata që do i duhet të ruajnë rendin dhe qetësinë, sesa për ata që demonstrojnë, pasi kanë marrë pjesë në aq shumë prej tyre në këto 27- 28 vjet sa nuk kanë sesi t’i kujtojnë të gjitha, edhe nëse do të dëshironin.
Ndaj le ta lëmë opozitën në të drejtën e vet që të protestojë. Le t’i lëmë qytetarët e tjerë në të drejtën e tyre universale e natyrore që të bëjnë ç’të duan atë ditë. Media, të bëjë detyrën e vet edhe për informimin e opinionit, edhe për ca klikime dhe shikueshmëri më shumë, pse jo. Asgjë nuk ka për t’u shqetësuar në të gjithën këtë që po ndodh rreth të shtunës. Vetëm në rast se nuk do të kishim protestë, atëherë po, që duhej realisht të shqetësoheshim. Kjo është ironia. E vogël, por e vërtetë gjithsesi.
Shkruar posaçërisht për “AFP”