Ajo që ka ndodhur këto dy ditë në Shkodër, ku Kryeministri Rama ka mbledhur ministrat e kabinetit dhe opozita që drejton bashkinë atje është përpjekur të bëjë protesta, janë kazusi ideal për të parë raportin mes politikës me anë të projekteve të një mazhorance dhe mënyrës sonë të të bërit opozitë. Një raport që për fat të keq, nuk sjell asgjë në fund të fundit, për qytetarët. Pavarësisht se të dyja palët, kuptohet që luajnë lojën e tyre, për t’ia fituar zemrën e më pas me anë të saj, edhe votën e tyre.
Çka ndodhur këto dy ditë?
Me anë të zv. Kryeministres shkodrane Senida Mesi dhe ministrit të linjës, Blendi Klosi në mbledhjen e Këshillit të Territorit u paraqit në prani të kryetarëve të bashkive të veriut dhe të qytetarëve ai që u quajt “Plani turistik për Alpet”. Një plan që në 15 vitet e ardhëshme kërkohet të realizohet në tri faza, duke synuar dyfishimin e numrit të turistëve në 5 vitet e para derisa nga 67 mijë vitin e kaluar, numri i tyre të arrijë në 600 mijë në vitin 2031. Një shifër kjo që synohet të realizohet pikërisht atëherë kur z. Klosi të festojë edhe 60 vjetorin e lindjes. Përfitimi ekonomik i gjithë këtij projekti u tha se do të jetë rreth 980 milonë euro, e ai do të vijë nëpërmjet shfrytëzimit të gjashtë veçorive kryesore të zonës.
Bukur shumë deri këtu. Po ta dëgjosh këtë duke patur në sfond edhe një ekran gjigand që nxjerr ca pamje me ngjyra verbuese, ca shifra, harta e grafikë të kompozuara për merak, e të shoqëruar edhe me tonet optimiste të folësve, atëherë fillon dhe ëndërron për ditë më të bukura, që pas këtaj vijnë… E aty për aty, gjithësesi dyshues siç është vetë natyra njerëzore në përgjithësi dhe ajo opozitare në veçanti, nëse je kundërshtar i qeverisë dhe je ulur si dëgjues në sallë, mund të fillosh e të mendosh.
Dakord të gjitha ato që pritet të vijnë, po për të shkuar deri tek shumëfishimi i numrit të turistëve dhe i të ardhurave prej kësaj industrie, sa rrugë do të ndërtojë kjo dhe qeveritë e tjera deri atëherë? Sa është buxheti për këtë? A është parashikuar ndonjë fond në 2018? Po për tri vitet e ardhëshme të këtij mandati qeverisës, sa do të investohen të tjera? Sa ujësjellësa, ura, prita, shtigje, rrjete furnizimi me energji elektrike apo me gaz do të investohen? Sa para do të hidhen për reklamat në mediat online, lokale dhe ato ndërkombëtare për fushatat e promovimit? A ka ndonjë strategji konkrete për mbështetjen dhe nxitjen e turizmit familjar, për mësimin e gjuhëve të huaja tek fëmijët e tyre? Sa guida do të botohen, sa aplikacione të reja në internet, sa website do hapen dhe sa do investohet për rikthimin në identitet të veprave të monumenteve të trashëgimisë sonë arkeologjike, natyrore, urbanistike, materiale, shpirtërore e kulturore në Alpe? Sa do investohet për rrugët rurale, po për pyjet, për liqenet, për përrenjtë, lumenjtë e për ruajtjen e biodiversitetit, etj, etj?
Në vend që opozita të debatojë, të diskutojë, të pyesi dhe të kërkojë të njihet me këto fakte dhe argumente duke bërë oponencën e duhur, në mënyrë që ta detyrojë qeverinë për ta realizuar siç duhet projektin në të mirë të qytetartëve dhe të krejt asaj zone, preferohet një rrugë tjetër. Një rrugë, një metodë, një qasje ku zhurma është gjithçka dhe brendia është zero. Përfundimi është se nëpërmjet saj nuk arrihet asnjëherë asgjë. Militantëve mund tu përkëdhelet sedra dhe shefat në Tiranë kur shohin një kronikë të disa njerëzve me ca kartona të shkruara kundër qeverisë, mund të kënaqen. Por qytetari nuk përfiton asnjëherë asgjë.
Nuk kam asgjë për protestat si një nga mjetet më demokratike për të shprehur qëndrimet dhe adresuar pakënaqësitë ndaj mazhorancave, qeverive, elitave dhe klasës politike në demokraci. Përkundrazi. Duhet të jemi të shqetësuar nëse nuk do të kishte të tilla. Por kur ato janë ca protesta thjeshtë dhe vetëm për protestë, atëherë kuptohet që diçka nuk shkon dhe është pikërisht kjo që të shqetëson.
Gjithësesi duhet të një shpjegim me siguri, për të gjitha ato energji negative dhe lepuri diku fle. Ndoshta organizatorët e protestës më shumë sesa hallin për të shprehur një pakënaqësi konkrete kundër qeverisë, apo ndaj projektit të saj për turizmin e Alpeve, duket sikur në Shkodër kanë hallin e zgjedhjeve të ardhëshme lokale. Duke e parë çdo investim, çdo mbledhje, çdo projekt të qeverisë së majtë atje, si një përpjekje për të parapërgatitur terrenin për fitoren për herë të parë të pushtetit lokal në kryebastionin e PD.
Edhe kjo mund të jetë dhe nëse e gjitha çfarë synohet, kërkohet të realizohet nëpërmjet projekteve, investimeve, zhvillimit, shtimit të të ardhurave, rritjes së cilësisë së jetës dhe prespektivës social ekonomike të banorëve, atëherë ka zgjidhje opozitare edhe për këtë. Mjafton që në pushtetin lokal ku je e që drejton, ti shërbesh akoma edhe më mirë sesa kaq, qytetarëve. E në fund të fundit, do të jenë ata që do ti vendosin në kandar të dyja ofertat dhe do ta dijnë më mirë se për kë do të votojnë.
Pyetja në këtë rast për opozitën e Tiranës që është mazhorancë në Bashkinë e Shkodrës, është: A e bën dot këtë lloj gare?! Nëse po, jo 27 vjet me radhë sa e djathta ka qëndruar deri më sot në pushtetin lokal atje, por deri në 2031 sa plani i ri i qeverisë për Alpet, le të qëndrojnë po ta meritojnë. Nëse jo, atëherë askush nuk mund të fshihet prapa gishtit që mban pankartën militante të një proteste false.