Ka dy kategori njerëzish që i nisën më herët se gjithë shqiptarët e tjerë, pushimet e këtij fundviti: Studentët dhe opozita. Të parët i nisën pushimet nga halli, të dytët nga malli. Të parët i kishin të detyruara, të dytët të planifikuara. Studentët ikën pranë familjeve paksa të mërzitur, të dytët duke uluritur e bërtitur.
Studentët e vërtetë i nisën më herët pushimet nga halli, sepse duke qenë në protestët me 8 kërkesat e tyre, kishin shpresë se mund ta zgjidhnin përfundimisht këtë çështje tani dhe në janar, të riktheheshin për të vijuar jetën e tyre normale univeritare.
Opozita i nisi pushimet nga malli, sepse iu zgjidh ditën e fundit edhe halli. I vetmi hall i vërtetë për opozitën tonë, u zgjidh kur ajo u rikthye pas 6 muajsh bojkoti në Kuvend, për të mos djegur mandatet. Pas kësaj, ata janë më të lumtur e më të qetë se kurrë. Sepse halli i tyre u zgjidh. Ndaj do shkojnë të bëjnë atë që dinë edhe të bëjnë më mirë; ata për vete do shkojnë të flenë e të argëtohen, pa le të rrijnë të tjerët pa gjumë po deshën tani!
Studentët nisën pushimet e detyruara, sepse përfunduan edhe ditët e planifikuara të shkollës për këtë vit akademik për ta. Administrate e universiteteve e përfundoi vitin kalendarik të punës dhe vetëvetiu auditoret, fakultetet dhe universitetet mbyllen, për tu rihapur si çdo vit tjetër, në janar.
Ndërsa opozita jonë i nisi pushimet më herët, sepse i kishte planifikuara prej kohësh. Kishin gjashtë muaj që rrinin kot, duke ardhur vërdallë nëpër selitë e partive të tyre, nëpër foltoret e konferencave të shtypit, nëpër banaqet televizive dhe në rrjetet sociale.
E kishin llogaritur që në seancat e fundit të këtij viti, kur edhe i digjeshin mandatet, se do vinin në sallë. Do bënin ta’. Do çekonin kartat. Do shpëtonin mandatet. Do mernin rroga e dieta dhe hajt tungjetjeta! I vetmi shqetësim gjatë këtyre 6 muajve të fundit për ta, ka qenë se ku e si do i kalonin Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Të gjitha të tjerat ishin shfaqje.
Studentët (ata që e kanë hallin e tyre prej vërteti, jo hallin e Lulit dhe Monës, kuptohet), i filluan pushimet paksa të mërzitur, sepse ndoshta kishin pritur që të merte fund ankthi i dialogut me qeverinë, pengmarrja e protestës nga opozita dhe do ishin të çliruar nga ky makth, për tu ulur të qetë me miqtë, shokët e prindërit. Për tu rikthyer me forca dhe energji të reja. Për një fillim të ri.
Megjithatë, kanë kohë që të reflektojnë dhe ta shohin gjithë atë çfarë ndodhi këtë dhjetor më në distance. Nga atje ku shquhen më mirë konturet e gjithçkaje, duke i dhënë mundësinë vetes, që ta shohin të ardhmen, me një dritë më realiste.
Ndërsa opozita e mbylli këtë vit duke ulëritur e bërtitur për disa arësye:
E para, për të mos e prishur traditën e krijuar prej vitesh tashmë prej saj, që seancat e fundit të çdo viti, ti shndërrojë në orët e shfaqjes së fundit të të gjitha defiçensave të saj gjithëvjetore. Të bindur se njerëzit duke u bombarduar në seancat e fundit në maksimum me imazhet e saj, do harrojnë gjithçka ka ndodhur gjatë 365 ditëve të tjera dhe do mbajnë në mendje opozitën e kësaj séance, derisa ti dali pija e vitit të ri e të nisi njjë avaz i vjetër, përsëri nga e para.
E dyta, pakkush e harron të njëjtën shfaqje, të së njëjtës opozitë, në të njëjtën sallë, në të njëjtën kohë të një viti më parë. Ishte ajo pra! Harruat?! Ishte e paharruashmja séanca e “çizmes”. Ah. Po. Tani, po. Si mund ta harronit, atë! Ishte seanca kur filluan dhimbjet e vërteta. Seanca kur iku Adriatik Llalla dhe nisi për të kulmuar vetëm pak ditë më parë, puna për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë së re, që do meret me gjithë mbrapshtësitë e tyre të vjetra.
E treta dhe ndoshta më kryesorja, vetëm pas kësaj séance të fundit të vitit në Parlament, studentët e vërtetë kishin mundësi që të shihnin shfaqjen e vërtetë, të një opozite të pavërtetë, në raport me të vërtetën e tyre të thjeshtë. Një e vërtetë që kërkon forca, kthjelltësi dhe energji të reja, për të ecur përpara përgjatë 365 ditëve të reja, të një viti të ri.
Gëzuar!