Duket sikur ka një strategji të mirkoordinuar, për të penguar me çdo çmim jo vetëm ecurinë normale të procesit të implementimit të reformës në drejtësi, por edhe për të dekurajuar pritshmëritë dhe shkatërruar besimin e lartë të opinionit publik në të. Alarmin për këtë, e kanë dhënë këto ditë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Bashkimi Europian.
“Politikanët shqiptarë po punojnë kundër reformës në drejtësi, por treni të shtyp”,- paralajmëroi këtë javë prokurori shqiptaro-amerikan Gjon Junçaj, që ka punuar prej disa vitesh në Shqipëri si ekspert i OPDAT. Ndërkohë që ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi se “reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe do të mbulojë të gjitha nivelet e juridiksionit”. Çka flet hapur për një shqetësim në rritje, pasi SHBA dhe BE po kuptojnë se armiqtë realë të reformës në drejtësi, po dalin gjithmonë e më hapur tashmë në Shqipëri. Ndaj, i kanë dhënë atyre një mesazh të qartë se do të përfundojnë nën rrotat e trenit të kësaj historie.
Deri në qershor, kur të jetë zgjedhur Prokurori i ri i Përgjithshëm i Përhershëm dhe të jetë krijuar SPAK e BKH, kjo luftë do të bëhet gjithmonë edhe më e egër me sa duket. “Duhet të mbajmë parasysh se përparësia kryesore e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme është që t’i kundërvihen korrupsionit, sidomos korrupsionit në nivelin e lartë dhe krimin e organizuar”,- u shpreh Junçaj.
Duhet të mos harrohet, se paralel me këto zhvillime, deri në 30 qershor kemi zgjedhjet e përgjithshme lokale në 61 bashkitë e vendit dhe pritjen për të marrë datën e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ndër radhët e politikës, armiqtë e reformës në drejtësi, janë të gjithë ata që e kanë kuptuar se nuk do ti shpëtojnë dot këtë radhë hetimit, gjykimit dhe ndëshkimit për të gjitha bëmat dhe gjëmat që i kanë bërë këtij vendi dhe shqiptarëve, gjatë këtyre 30 viteve. Politikanët më të rëndësishëm në Tiranë që janë rreshtuar kundër reformës, po bashkëpunojnë ngushtësisht me elementët më të korruptuar që kanë abuzuar me fondet publike dhe paratë e buxhetit të shtetit, me kokat e krimit të organizuar, me gjyqtarët e prokurorët që presin të dalin shumë shpejt jashtë sistemit të drejtësisë, nëpërmjet procesit të “vettingut”.
Frika se po humbasin parajsën e tyre, të cilën e kishin ndërtuar duke sfiduar sistemin ligjor nëpërmjet instalimit të kulturës së pandëshkueshmërisë, i ka bërë tashmë të gjithë bashkë. Ndaj, po bëjnë gjithçka për ta goditur me çdo mjet e në çdo rast, ngritjen në këmbë të drejtësisë së re. Herë duke dashur të ngjallin frikë për atë që po vjen, herë duke tentuar destabilitetin, herë duke liruar e lehtësuar denimet për banditë, vrasës e kriminelë dhe herë herë, duke i bërë atentate Kushtetutës së vendit, rendit demokratik, duke goditur aleatët strategjikë të Shqipërisë e shqiptarëve dhe duke flirtuar me armiqtë tanë historikë.
Javët dhe pak muajt në vazhdim deri në fund të qershorit, do të jenë të vështira. Por, atje ku haset një pengesë e madhe ka edhe një shpresë të jashtëzakonshme. Armiqtë e reformës në drejtësi, tashmë nuk kanë përballë vetëm Shqipërinë dhe shqiptarët, SHBA dhe BE, por edhe historinë. Sado i fuqishëm ka qenë, askush deri më sot nuk ia ka dalë dhe as nuk do ia dalë dot asnjëherë, që ta ndalojë rrotën e historisë. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë, aq më më mirë është për ta. Sepse më vonë, do të jetë shumë vonë!