Nuk ka një gjë tjetër më serioze në këtë jetë se sa humori. Këtë aksiomë duket se shfrytëzoi edhe Ambasadori Amerikan Donald Lu, kur u shfaq në fundjavën e fundit në spektaklin e humorit televiziv, “Portokalli”. Ai shfrytëzoi batutat me aktorët, për të dhënë mesazhet ndoshta më të forta për ecurinë e deritanishme të reformës në drejtësi dhe për të nisur shigjetat “e helmit” për të nxitur ecjen e saj, me ritme më të shpejta.
“Na doli mjekra duke pritur, o burrë!”. “Gjithmonë shisni gjërat e gabuara për njerëzit”. “Do shkosh andej, apo do vish këtej?”. “Hajde burg, hajde burg!” dhe “do iki edhe për pak muaj, por nuk iki pa vënë drejtësi në tregun e madh të shoqërisë shqiptare”,- ishin disa nga batutat e kryediplomatit amerikan. Batuta këto që u pasqyruan gjerësisht në mediat kryesore shqiptare, si sinjale të qarta për organet e reja të drejtësisë në radhë të parë, për krerët e klasës sonë politike në përgjithësi e duke mos kursyer këtë radhë, as shefin e mazhorancës, në veçanti.
Këto mesazhe me siguri që janë dëgjuar nga veshët e duhur dhe kjo javë, duket se ka nisur ndryshe, jo vetëm për pushtetin ekzekutiv e legjislativ, por edhe atë të drejtësisë. Ndaj ndihet një lloj shkundje dhe tjetër ritëm. Ky moment po i pozicionon edhe më qartë palët: Ata që janë pro dhe ata që janë kundër reformës në drejtësi. Ata që janë shtysë dhe ata që janë pengesë e saj. Ata që janë në anën e së shkuarës dhe ata që janë në anën e së ardhmes. Ata që janë në anën e së vjetrës dhe ata që janë në anën e së resë.
Kjo ndoshta është edhe arësyeja se përse në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u pa qartë grupi që mbrojti gjyqtarët e propozuar për shkarkim pasi ishin gjetur në shkelje flagarante dhe ata që ishin për nxjerrjen e tyre nga sistemi. E njëjta gjë, duhet thënë edhe për vendimin e Kryeprokurores Arta Marku, të shkarkimit nga detyra të Kreut të Prokurorisë për Krime të Rënda Besim Hajdamataj.
Ambasadori Lu tha se “ky është një moment me rëndësi që Shqipëria të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike. Prokurorja e Përgjithshme thotë se ka emëruar Znj. (Donika) Prela në mënyrë që çështjet me përparësi të përfundohen në mënyrë më të shpejtë dhe më të efektshme”.
Ky reagim erdhi menjëherë pasi krerët e PD dhe LSI u shprehën me tone të ashpra kundër këtij vendimi, duke e lidhur atë jo vetëm me faktin se Hajdarmataj është njëri nga prokurorët e çështjes Tahiri, por edhe me idenë se Kryeministri Rama po “kap” drejtësinë.
“Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë. Ndjekja penale e krimit dhe korrupsionit mbetet prioriteti më i lartë për Kryeprokuroren Arta Marku”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Siç shihet, vendimi i fundit i Prokurores së Përgjithshme lidhet me “ndjekjen penale më të shpejtë dhe më të efektshme”. Një shqetësim i madh e përgjithshëm publik ky, por edhe i SHBA e BE të cilët e kanë thënë hapur prej muajsh se presin që të shohin prapa hekurave, “peshqit e mëdhenj” të politikës dhe drejtimit të institucioneve kryesore të shtetit, të zhytur në krime, korrupsion dhe abuzime me pushtetin.
Duke shtuar ritmin e realizimit të reformës nëpërmjet ngritjes së institucioneve të reja dhe ndëshkimin e fajtorëve, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që të shohin më në fund të realizuara pas kësaj, ëndrrat e tyre me drejtësi të munguar. Sepse deri më sot, nuk kishte mbetur asnjë prej tyre, pa thënë qoftë edhe një herë të vetme: “Na doli mjekrra duke pritur, o burrë”!