Në historinë e demokracive funksionale e plurale, kurrë nuk është parë e dëgjuar, një fenomen që u formësua vitet e fundit, për të marë trajtë të plotë përgjatë 2018 në Shqipëri. Fenomeni i shndërrimit të opozitës nga zjarrëvënëse e pakënaqësive popullore, në zjarrëfikëse të tyre.
Kjo ka ardhur sepse opozita jonë, nga prodhuese kauzash opozitare, është shndërruar në grabitëse të tyre. Nga inspiruese dhe përforcuese e zërave të grupeve të interesit ndaj mazhorancës, ka dalë në pozicionin e mbytëses së tyre. Nga flamurtare e nxitjes së pakënaqësive popullore, është shndërruar në shkopin e frenimit të tyre.
E ta mendosh që opozita jonë, është një nga ato forca politike, që lindi nga protestat e studentëve të dhjetorit ’90, atëherë nis dhe bën pyetje të tjera: Përse kjo opozitë është shndërruar sot në një grupim që mbyt çdo zë alternativ e qytetar, që kërkon të drejtën e vet kundër qeverisë dhe mazhorancës?
Përse opozita jonë, e cila ka rreth një vit që nuk organizon dot më qoftë edhe një miting, kërkon me çdo kusht e me çdo çmim që të manipulojë dhe të kontrollojë ato të të tjerëve? Përse opozita nuk i drejtohet popullit opozitar e ta thërrasë atë vetë në sheshe, rrugë e bulevarde si dikur?
Ka një arësye për të gjitha këto. E ajo lidhet me faktin se opozita nuk ka me sa duket mbështetjen popullore që pretendon. Ajo ndoshta më në fund po e kupton se nuk është më përfaqësuese e ndjeshmërive kryesore, e kauzave, e pakënaqësive dhe e zërave kundër.
Kjo e bën opozitën që të jetë në hall real. Një hall që e bën atë të kuptojë se ajo nuk e përfaqëson më institucionin e opozitës në këtë vend. Një institucion i sistemit demokratik e plural, që duket se po e zhvendos pikën e gravitetit të vet jashtë selive të partive tona opozitare.
Ndaj, për ta kompensuar këtë, i vjedh protestën banorëve të Kukësit për tarifën e kalimit të autombjeteve në Rrugën e Kombit. I vjedh protestën aktorëve të Teatrit Kombëtar, që janë kundër projektit të ri që çon në prishjen e godinës së vjetër. I vjedh protestën banorëve të Unazës së Re në Tiranë, që janë kundër planit për zgjerimin e segmetit tek Astiri. I vjedh protestën studentëve që dolën në Rrugën e Durrësit përballë ministrisë së Arsimit, për 8 kërkesat e tyre.
Eshtë kjo arësyeja se përse opozita jonë mërzitet kur qeveria miraton vendimet për “Paktin me Universitetin”. Kjo e bën edhe më të dhimbshme dramën e kësaj opozite, e cila duke mos patur më asnjë fuqi për të organizuar protesta vetë, nxit protestat e të tjerëve. Nga një skuadër apo ekip që përballet me palën tjetër politike, opozita jonë e ka braktisur fushën e lojës së vet, duke u bërë nxitëse e tifozëve.
Në këto kushte PD dhe LSI duke e lënë bosh fushën e betejës reale politike përballë PS dhe mazhorancës, nxit të tjerët që të përballen me të: Herë në formën e protestave, herë në formën e debateve mediatike, herë në formën e ekspozitave të improvizuara me meme, herë në formën e protestës virtuale të “diasporës” dhe herë në formën e “Republikës Autonome të Presidencës Shqiptare”.
Humbja e misionit dhe funksionit të saj në demokraci, e bën “de facto” shoqërinë shqiptare, që të vuaj mungesën e një opozite reale. Një opozite që të qëndrojë përballë mazhorancës dhe ti prijë popullit dhe të gjitha zërave kundër, në aksionet e përditëshme opozitare.
Më shumë sesa opozitën, kjo vë në pozitë të vështirë vetë mazhorancën. Asaj i duhet të mësohet tani e tutje, që të luajë në fushën e këtij sistemi politik, pa kundërshtar realë përballë. E të dëgjojë me vëmendje nga jashtë fushës, grupimin e nxitësve të tifozëve, për të kuptuar se cili nga ekipet do të zbresë në fushë, për të luajtur me të ndeshjen e radhës!
Pas kësaj, pyetja e madhe që ka shtruar viti politik 2018, me sa duket është: A i zhbëri opozita jonë protestat e qytetarëve? Apo protestat e tyre, e zhbënë me sukses opozitën tonë!