Imagjinojeni se si po degradojnë çdo ditë e më tepër aksioni i PD dhe LSI, pas djegies së mandateve dhe daljes nga sistemi parlamentar.
Fillimisht u tha se do të bëhej një protestë aq e madhe në Tiranë, sa ajo do të merte përpara deri edhe Edi Ramën për ta flakur në Lanë.
Pastaj u tha se protestat e mëdha do bëheshin një herë në muaj në bulevard dhe ato më të voglat, çdo të enjte para Parlamentit.
Kur u pa që protesta e tretë para Kryeministrisë dështoi, bashkë me to, u harruan edhe protestat para Parlamentit.
Me sa duket, ngaqë militantët nuk po vinin dot më nga rrethet deri në Tiranë për të mbushur sheshet, lidershipi i opozitës vendosi që të shkojë vetë, nga Tirana nëpër rrethe për të bllokuar kryqëzimet e rrugëve.
Në këtë mënyrë u harrua shumë shpejt “revolucioni popullor” dhe tani po përqafohet aksioni i ri, që po e quajnë “mosbindja civile”.
Lul Basha mblodhi krerët e degëve në SHQUP dhe vendosi strategjinë e re për ta rrëzuar Edi Ramën.
Kjo e kësaj radhe është një rrugë krejt “origjinale”: Çdo të enjte të bllokojnë qarkullimin e automjeteve të qytetarëve të zakonshëm, duke i nxirë jetën ca orë nëpër rrugë.
Me një fjalë opozita jonë u nis për të bllokuar qeverinë, tani po përfundon duke bllokuar popullin.
Shenjë e sigurtë se pas mandateve, opozitës po i digjen edhe idetë, në tymin e zi të gomave nën flakë.
Kjo jona duhet të jetë opozita e parë në botë, që vendos për ta rrëzuar qeverinë, duke protestuar kundër… qytetarëve të vet!
Hallall.
Tani po që e kanë të sigurtë, largimin e Edi Ramës…