Debati mes të majtëve dhe të djathtëve për votimin elektronik si pjesë e reformës së re elektorale në Shqipëri, më riktheu pas në kohë. Atëherë kur 13 vjet më parë larg prej këtu, në anën tjetër të Atlantikut, pashë dhe na shpjeguan për herë të parë se çfarë ishte votimi dhe numërimi elektronik i votave në një proces elektoral. Nuk jam shumë i sigurtë, por në mos e para, me siguri ajo që mësuam duhet të ketë qenë ndër rastet e parë në botë kur u aplikua futja e teknologjisë në ndihmë ose si pjesë e një procesi zgjedhor. Kjo çështje u rihap këto ditë sërisht në Tiranë, në prani edhe të ndërkombëtarëve, përfshi ambasadorin e SHBA, Lu.
Fletët prej letre mbi të cilën shkruhen emrat e kandidatëve në garë, subjektet që përfaqësojnë, dhoma e fshehtë dhe kutia e votimit, ishin zëvendësuar me disa kompjutera. Ose e thënë më saktë, me disa ekrane kompjuterash me “touch screen” ku votohej po aq thjeshtë me një të prekur të ekranit, duke goditur lehtë me anë të mollëzës së gishtit tregues, në hapësirën e duhur.
Ishte e marta e parë e nëntorit të vitit 2004, në Tallahasi. Sëbashku me një grup gazetarësh të tjerë shqiptarë, pata fatin të ndiqja nga afër ditën e votimeve për zgjedhjet presidenciale në SHBA, në garën mes Xhorxh W. Bushit për një mandat të dytë dhe sfidantit të tij demokrat Xhon Kerri.
Për shkak të problemeve që kishin çuar në një proces dramatik gjyqesh për rinumërim votash në garën mes Xhorxh Bush dhe Al Gorit në vitin 2000 pikërisht aty në Florida, ishte kërkuar që të aplikohej një mënyrë tjetër votimi. Pas shumë diskutimesh, për të shmangur situatën e katër viteve të shkuara, ishte vendosur për votimin elektronik. Kjo mënyrë e re e të votuarit nuk kishte eleminuar gjithësesi edhe ato më të vjetrat e tradicionalet, të cilat në SHBA vazhdojnë të aplikohen ende. Nga votimi me postë si njëherë e një kohë, e deri tek kjo më e fundit, me ndihmën e teknologjive digjitale.
Në të gjitha shtetet që kanë ligje elektorale po aq të avancuara sa edhe sistemet e tyre demokratike, ka edhe sisteme votimi dhe numërimi efikase. Të cilat mundësojnë nxjerrjen e rezultetit vetëm pak orë pas mbylljes së procesit të votimit. Një rezultat që bën të përcaktohet shpejt jo vetëm fituesi dhe humbësi i zgjedhjeve, por ai të jetë edhe pa kontestime nga palët dhe pa krijuar konfuzion apo tensione me anë të akuzave dhe kundërakuzave.
Përgjithësisht, në këto shtete dhe në këto demokraci, më i rëndësishmi në ciklin e mbyllur të të gjithë procesit elektoral, përcaktohet që të jetë numërimi elektronik i votave. Një proces që mundëson jo vetëm daljen e shpejtë të rezultatit, por edhe numërimin e saktë dhe pa shtrembërime të asaj çfarë është shprehur me votë nga vullneti i zgjedhësve.
Në Shqipëri, ndryshe nga herët e tjera kur është votuar me nxitim në fund, që në fillim të këtij mandati të ri parlamentar, është ngritur një komision parlamentar bipartizan për reformën e re elektorale. Objektivi kryesor është shpallur që të jetë adresimi në ligjin e ri zgjedhor, i të gjitha problematikave dhe vërejtjteve të bëra në raportet e OSBE- ODIHR për garat e fundit elektorale. Një nga kushtet që kishte vendosur PD për të marë pjesë në zgjedhjet e 25 qershorit, ka qenë pikërisht futja e teknologjisë në procesin e votimit dhe numërimit të votive.
Këmbëngulja e jashtëzakonshme e opozitës së sotme, si dikur edhe vetë PS-së kur ishte në opozitë, për të futur me çdo kusht teknologjinë në procesin zgjedhor, është shprehje e mungesës së plotë të besimit mes vetë njerëzve, partive dhe mes palëve politike në Shqipëri. Mungesa e besimit nuk është e kotë, po të kemi parasysh historikun e 9 palë zgjedhjeve të përgjithëshme parlamentare që janë zhvilluar deri më sot në këto 27 vjet, pa lënë mënjanë këtu zgjedhjet lokale dhe referendumet.
Klima e mosbesimit ka ndikuar tek rritja e paranojës dhe e frikës deri në atë masë sa janë të bindur tashmë se kundërshtarit përballë nuk mund ti besosh më asgjë, në asnjë pikë të procesit zgjedhor, pasi ai në një mënyrë ose në një tjetër do të ta hedhi, do të të vjedhi dhe do ta deformojë vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Do ta bëjë këtë në dy rrugë kryesore: Ose duke përdorur institucionet e shtetit, administratën, blerjen, korruptimin e deri tek frikësimin e përkrahësve të vet. Ose duke manipuluar rezultatin nëpërmjet vjedhjes së votës, marifeteve, skemave, truqeve dhe gjithfarë lloj mekanizmash, të cilat në fund të fundit, bëjnë që ai që është në pushtet, me ndihmën edhe të mediave e propogandës të ketë gjithnjë propabilitetin më të madh për të fituar.
Kjo bën që e vetmja shpresë, i vetmi aleat, e vetmja mundësi për ta tejkaluar gjithë këtë mal paragjykimi dhe mosbesimi, të kërkohet nga partitë politike që të gjendet jo më tek vullnetet njerëzore e politike, por tek teknologjia. Tek sistemet digjitale. Tek kompjuterat, serverat, programet, softet, tabletat dhe gjithfarë shpikjesh të tjera, të cilat mendohet se ia pamundësojnë kundërshtarit fitoren e zgjedhjeve që që i takon atij. Pra, që i takon gjithmonë opozitës dhe kujtdo që është apo kur është në opozitë.
Kjo mund të jetë pjesërisht e vërtetë. Për aq kohë sa vullnetet njerëzore mundet që të manipulojnë edhe vetë sistemet teknologjike. Pra, nëse ka vullnet negative, ato mund të shkojnë deri atje sa të tjetërsojnë edhe programet kompjuterike dhe të ndërhyjnë në skemat e teknologjive qoftë në momentin e votimit, qoftë në momentin e transmetimit të të dhënave, qoftë në momentin e numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar.
Kjo do të thotë se ngado që të rrotullohemi, në fund të fundit, palët politike në Shqipëri ashtu si edhe në vendet e tjera me demokraci më të avancuar se ne, duhet ta tejkalojnë këtë stad dhe janë të dënuara të meren vesht mes tyre. Të ulen, të flasin, të shohin njëri tjetrin ndër sy. Nuk mund të ketë një prces idela zgjedhor me teknologji digjitale, kur politika vazhdon të operojë me mjete “manuale”. Ndaj duhen gjetur mekanizmat për të rritur besimin dhe për ta kontrolluar të dyja palët, sëbashku e në vijimësi, të gjithin këtë proces. Më pas, se votohet në mënyrë tradicionale, se votohet në mënyrë elektronike, kjo ka rëndësinë e vet më shumë për rritjen e shpejtësisë së daljes së rezultatit. Por, jo edhe për integritetin e tij. Të gjitha demokracitë perendimore kanë kaluar përpara nesh nëpër këto shtigje. Për Shqipërinë, koha është tani. Zgjedhjet lokale të 2019 janë testi i parë. Koha ka filluar.
Shkruar posaçërisht për AFP