Me deklaratat e fundit të dhëna gjetë intervistës së tij në “Studio e Hapur” të Eni Vasilit, Ilir Meta la të kuptohet se jo vetëm që do ia japë autorizimin ministrit të Jashtëm për plotfuqishmërinë e fillimit të negociatave me palën greke, por se në gjithë këtë histori, ai nuk po luan për Sali Berishën, por vetëm për vete.
Çfarë duhet të kuptojmë me këtë?
Të luash politikisht për vete, duke qenë në pozicionin e Presidentit të Republikës, nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Një gjë nga ato që të bëjnë në Ballkan dhe në Shqipëri, të mendosh se po luan domosdoshmërisht për ca interesa të vogla, apo të mëdha personale. Në këtë rast, do të thotë se po mundohesh që nëpërmjet një dosje kaq shumë të rëndësishme, sensitive dhe e destinuar që të futet në historinë tonë dhe atë të marrdhënieve dypalëshe, ta ngresh profilin tënd politik dhe atë të institucionit që drejton, në lartësinë e momentit dhe të çështjes.
Askush nuk ka qenë aq naiv sa të besonte më 24 korrik 2017, se Ilir Meta i sapo betuar si President do të ishte në atë detyrë, si ndonjëri nga paraardhësit e kontestuar. E para, sepse ai do të ishte vetja. E dyta se duke qenë ish kryetar i një partie parlamentare dhe me karrierë ku i ka ngjitur të gjitha shkallët e tjera të pushtetit, ai do të ishte një kryetar shteti shumë më politik si profil, sesa ndoshta e parashikon edhe vetë Kushtetuta e Shqipërisë. Dhe së tretëti, duke qenë ende shumë i ri për të dalë nga skena politike pas përfundimit të mandatit presidencial, ai ka nevojë për akumulimin e aksioneve të tjera të reja, që do ta lejojnë të paktën në ambicjen e tij, për tu rikthyer sërisht skenës aktive politike.
Çështja e marrëveshjes për problemet mbi 70 vjeçare të Shqipërisë me Greqinë, nisur edhe nga roli që përcakton Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të 2010 specifikisht për kufirin detar mes dy vendeve, është momenti i parë real në këtë fillim mandati, që i jep hapësira dhe instrumenta Ilir Metës për të luajtur jo vetëm procedurialisht, por mbi të gjitha politikisht. Ndaj, një politikan si ai, në asnjë rast dhe rrethanë, nuk do të linte që ti ikte nga duart aq kollaj ky çast, sa ta bënte qeverinë të besonte se ai të vihej në rolin e një përcjellësi apo të një noteri të thjeshtë, të kësaj çështje.
Duke mos besuar gjithashtu se Meta është një President antigrek, antiintegrim dhe një lojtar që mund të pranojë që luaj në një finale si kjo me fanelën e një skuadre tjetër, pikërisht tek kënaqësia e shijimit të plotë të këtij momenti të artë politik, ndoshta duhen kërkuar edhe rrënjët e “konfliktit” të tij me ministrinë e Jashtme dhe me qeverinë për dhënien e autorizimit të plotfuqishmërisë së fillimit të negociatave zyrtare Tiranë- Athinë.
E si për të larguar me një lëvizje të vetme retë e dyshimeve nga më të ndryshme e mbi të gjitha, ato që lidhen me përpjekjen e tij për ti shpëtuar nderin përpara historisë ish Kryeministrit Berisha për marrëveshjen e 2009 për detin, Ilir Meta zbuloi atë që ndoshta e dyshon pakkush: Se ai po luan për të marë pjesën që atij vetë beson se i takon, në gjithë këtë histori. Spese vetëm kështu do arrijë që të pastrojë çdo dyshim për rolin e tij në marrëveshjen e parë kur ishte në aleancë qeverisëse me Sali Berishën. E më pas, për të vendosur mbi kokë, aq gjethe dafine sa mund ti takojnë, në kurorën e paqes së re me fqinjët tanë jugorë.
Ndryshe nga Berisha, Meta e vlerësoi negociatorin e kontestuar prej tij si spiun, duke e cilësuar si një moment pozitiv, letrën që Artur Meçollari i ka dërguar vite më pare ish Kryeprokurorit Llalla për pushimin e ndjekjes penale ndaj negociatorëve të marrëveshjes së parë me Greqinë, pas rrëzimit të saj nga Gjykata Kushtetuese.
Nga ana tjetër, Meta tha se opsioni i ri i PD për ta zgjidhur këtë çështje me Greqinë nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar, është një rrugë që e kanë ndjekur shtetet e ndryshme për probleme të ngjashme bilaterale mes tyre. Por, ai vetë respektonte dëshirën e qeverisë Rama për ta zgjidhur atë, në këtë rrugë që ajo po ndjek aktualisht.
E si për ti vënë kapakun të gjitha dyshimeve të skeptikëve për vendimet e marra dhe vonesat e shkaktuara prej tij, Meta tha se i vetmi merak që ka është ta BLINDOJE këtë proces në mënyrë që të mos ketë asnjë shans të kontestohet, qoftë nga pikëpamja proceduriale sot, e qoftë nga ajo përmbajtësore nesër.
Le të mos jemi “diabolikë” duke dyshuar për çdo gjë, tek gjithkush dhe kurdoherë. Le ti bësojmë për momentin fjalëve të Presidentit, për ta ballafaquar atë nesër, me veprat që do ndërmarrë deri në fund. Deri atëherë, lajmi i vetëm përtej këtij qëllimi të mirë të artikuluar verbalisht, është fakti se Meta këtë radhë, duket se nuk po luan për Berishën.