Pas katër muajsh e gjysëm, në Gjermani është arritur kompromisi për krijimin e qeverisë së re, ku Anxhela Merkel do të ushtrojë mandatin e saj të katërt si Kancerlare, në një qeveri koalicioni me bazë të gjerë. Përtej teknikaliteteve dhe kurioziteteve për ditënetët e negociatave cfilitëse për të mbërritur deri këtu, tani lajmi është që do të qeverisin sëbashku, konservatorët e CDU së Merkel, CSU-ja dhe partia socialdemokrate e Martin Schulz.
Sigurisht që demokracia gjermane është një shkollë më vete dhe kultura politike atje, një manifest jo vetëm për klasën tone politike. Gjithësesi, le të rendisim disa prej mësimeve gjermane, që mund të nxjerrin edhe liderët shqiptarë jo vetëm për menaxhimin e efekteve që sjellin proceset post elektorale. Por edhe për artin e arritjes së kompromisit, në rastet kaq ekstremisht të vështira që iu desh Angela Merkelit si fituese e zgjedhjeve, për të menaxhuar. Nga refuzimi që në fillim prej saj, të idesë për krijimin e një qeverie të minorancës, e deri tek kompromisi i madh për Gjermaninë dhe tek aftësia për tia dalë që të mbajë partinë e saj në pushtet, duke realizuar ndërkohë edhe ambicjen e vet të madhe, për tu bërë për të katërtën herë radhazi, Kancelare.
Mësimi i parë që del nga ky rast gjerman, lidhet në radhë të parë, me aftësinë e shtetit, për të mos humbur për asnjë moment, efiçiencën dhe rendimentin e funksionimit të vet, megjithëse prej 130- 140 ditësh nga përfundimi i zgjedhjeve, pa patur një qeveri të re qëndrore.
Mësimi i dytë, është koshienca politike e lidershipit të partive, për tu ngritur mbi interesin e ngushtë, deri në lartësinë e sfidave të momentit që solli vota e qytetarëve. Koalicioni me bazë të gjerë mes konservatorëve të Merkel dhe socialdemokratëve të Schulz, është si të krijonim në Shqipëri një qeveri të Sali Berishës me Fatos Nanon, apo të Edi Ramës me Lulzim Bashën. Megjithëse Berisha pak ditë më parë, tha se në 2009, nëse nuk do arrinte që të krijonte një qeveri me LSI e Ilir Metës pas zgjedhjeve, nuk do e çonte vendin drejt votimeve të parakohëshme, por do i kërkonte Edi Ramës e PS që të bashkqeversinin. Përderisa nuk ka ndodhur, as nuk kemi të drejtë që ta paragjykojmë, nëse Berisha është i sinqertë ose jo, në këtë pikë.
Mësimi i tretë, është serioziteti maksimal për të negociuar që përpara krijimit të qeverisë, çdo detaj politik, teknik, ideor apo parimor në tyrezë, të fiksuara me shkrim përgjatë një negociimi zyrtar me ekipe që kanë kaluar shumë ditë netë mbi projekte, derisa u arrit në një dokument bashkqeverisje që parashikon gjithça që në fillim të mandatit. Duke treguar seriozitet maksimal prej grash dhe burrash shteti të vërtetë, transparencë absolute brenda lidershipit të partive të tyre dhe përgjegjshmëri. Në mënyrë që pas kësaj, ky “libër rregullash të shkruara për bashkqeverisjen me bazë të gjerë” thjeshtë të zbatohet. Tani e tutje, është vetëm koha e punëve dhe jo e grindjeve për marrëveshje që më shumë duhet ti marësh me mend e tia kuptosh muzikën me vesh, derisa ti dali herët ose vonë tymi në mënyrë që shumica e energjive të shkojë gjithë kohën për zënka partish, sesa për punën për qytetarët.
Mësimi i katërt, lidhet me implementimin në formulën qeverisëse dhe në parimet e filozofinë e saj, nga burimet më të mira njerëzore të partive të koalicionit, që marin parasysh veçoritë dhe dallimet e tyre programore, premtimet elektorale dhe që harmonizohen në një dokument të vetëm strategjik qeverisjeje.
Mësimi i pestë, është se partia socialdemokrate pasi negocioi dhe ra dakord për marrëveshjen në parim, do duhet të presë akoma, për ta bërë atë funksionale në praktikë, për aq kohë sa rregullat e brendshme statutore të saj, e detyrojnë që të futet në një proces votimi brenda partisë, ku vota e anëtarëve do të vendosi përfundimisht nëse kjo marrëveshje do të zyrtarizohet ose jo.
Mund të rendisësh pafundësishëm mësime të tjera, të mëdha, të mesme apo të vogla. Por një gjë është më e rëndësishme se stërhollimet e pafund. Fakti se do na mjaftonin të nxirrnim qoftë edhe gjysmën e këtyre mësimeve gjermane që renditëm më lart, për të qenë të kënaqur me liderët tanë politikë, në sjelljen e tyre përballë votës së shqiptarëve pas zgjedhjeve.