Hapësira shqiptare në Ballkan mund të ketë aktualisht, ndoshta brezin më sportiv të liderëve politikë në historinë e saj. Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Erion Veliaj, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Mimoza Kusari Lila, etj janë disa nga Presidentët dhe ish Presidentët, Kryeministrat dhe ish Kryeministrat apo kryetarë të bashkive në Shqipëri e Kosovë, të cilët e kanë kuruar publikisht figurën e tyre politike, edhe nëpërmjet ekspozimit të dimensionit sportiv.
Lista e politikanëve që ushtrohen rregullisht apo që janë marë herë pas here me sport, është padyshim më e gjatë. Shumë më e gjatë. Madje më e gjatë, se ajo e ish sportistëve që janë marë apo meren me politikë. Sepse në fund të fundit, jashtë zyrave, angazhimeve zyrtare dhe kamerave, ata janë qytetarë që kanë hobet e tyre, si gjithë të tjerët.
Ndryshe nga lista e emrave të mësipërm, shumë ministra a ish ministra, deputetë a ish deputetë, kryetarë bashkish apo komunash në hapësirat shqiptare në Ballkan, i ushtrojnë sportet për qefin e tyre. Duke e konsideruar atë si një mënyrë a dimension jete, pa patur me sa duket, as më të voglin qëllim që këtë gjë tia tregojnë dikujt apo shumëkujt, publikisht.
Presidenti i Republikës Ilir Meta e nisi të shtunën me një postim në facebookun e tij, ku fotoja me bluzën e bardhë të kombëtares kuqezi të futbollit, shoqërohej nga fjalët: “Nuk ka më mirë se ta nisësh ditën me 10 kilometra ecje, pasi dita është e jotja”. Një ditë përpara kësaj, ka qenë Kryeministri Edi Rama që ka publikuar një video në “Instastory”, ku shfaqet duke notuar në det. Pamje këto që gjithkujt i kanë rikthyer në memorie, videot e Sali Berishës, ku përgjatë çdo vere kur ishte Kryeministër, na njoftonte për thyerjen e rekordeve të tij personal, për kohën e qëndrimit në ujë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk harron kurrë që të ekspozojë asetet e tij muskulore prej ish bodyguardi, sa herë që poston foto familjare duke u ngjitur nëpër male apo duke u ushtruar në natyrë a palestër. Pamje këto që tregojnë vitalitetin e tij fizik, deri në atë masë që me siguri do ta kenë kompleksuar Presidentin Hashim Thaçi, i cili vitet e fundit kujdeset brenda limiteve të veta, që të na ekspozojë edhe ai natyrën e tij sportive dhe të të ushtruarit me aplinizëm, ecje apo ushtrime të ndryshme. Për të arritur tek dy maratonistët e politikës Erion Veliaj dhe Mimoza Kusari Lila që marin pjesë edhe në aktivitete zyrtare, ku vrapimi i tyre transmetohet live nëpër televizione dhe rrjetet e ndryshme sociale.
Raporti mes politikanëve dhe sportit e aktiviteteve të ndryshme fizike, nuk është një fenomen shqiptar. Përkundrazi. Ai është një fenomen po aq i vjetër sa edhe vetë politika. Ndaj, janë të shumta edhe tregimet apo dëshmitë për mbretër a perandorë, udhëheqës të zgjedhur apo me pushtet të trashëgueshëm, që janë marrë me gjueti, me not, me vrapime, ecje të gjata e deri në sporte më specifike, nga më të ndryshmet. Aq sa në epokën moderne imazhet e udhëheqësve që ushtrohen me sport, arrijnë të nxisin e të ndikojnë tek masat dhe popujt e tyre, për ti imituar dhe për tu orientuar edhe ato drejt një jete më sportive e të shëndetëshme.
Mao Ce Duni, ish udhëheqësi komunist i Kinës është legjendar për rekordet e tij të notimit në lumin Jance. Megjithë problemet shëndetësore edhe presidenti amerikan Kenedi na shfaqet në arkivat e filmimeve të kohës duke u argëtuar me familjarët e tij nëpërmjet sporteve të ndryshme. Sikundër më pas kanë qenë Presidentët Xhorxh W. Bush që vraponte rregullisht pothuajse çdo mëngjes dhe Barak Obama që luante basketboll, etj.
Rekordin e mban Presidenti rus Vladimir Putin, që është shfaqur herë duke bërë mundje xhudo, herë në peshkim a gjueti, herë duke notuar, e herë herë duke u ushtruar me orë të tëra nëpër pishina dhe palestra. Mesazhi që përcjellin këto imazhe janë nga më të ndryshmet, ashtu sikundër edhe perceptimi i tyre nga njerëz, popuj dhe kultura të ndryshme.
E sigurtë është se liderët shqiptarë nëpërmjet sportit, më shumë sesa mesazhe të një jete të shëndetëshme, japin mesazhe politike. Japin mesazhin e udhëheqësve të fortë, të shëndetshëm e vitalë, që ashtu siç edhe notojnë, vrapojnë e ecin, do të na udhëheqin dhe qeverisin gjatë. Këto mesazhe më shumë se për ata brenda gardheve të tyre, janë për kundërshtarët. Janë demonstrime muskujsh për armiqtë. Për të gjithë ata që mund të kenë vënë në pikëpyetje, të ardhmen e ndritur dhe lidershipin e gjatë e mundësisht të përjetshëm, të udhëheqësve tanë. Amen!


