Nëse je sadopak i vëmendshëm rreth zhvillimeve politike në Shqipëri, ditët e fundit ka dukshëm një tendencë, që të krijon idenë se skena politike ka marë qartë trajtën më serioze, të lojës popullore të tërheqjes së litarit. Nga njëra anë është Kryeministri Rama me qeverinë dhe grupin parlamentar të tij dhe nga ana tjetër e litarit, janë bërë bashkë të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë opozitarë dhe antimazhorancë, jo vetëm brenda për brenda kampit dhe gardheve politike. Me sa duket, pamja ka marë fokus të qartë, për shkak se askush nuk duket të ketë mbetur jashtë këtyre dy rreshtimeve të mëdha. Aq e qartë është e gjitha kjo, sa edhe roli i albitrit, duket se i ka mbetur fatkeqësisht që ta luajë si në shumë në raste të tjera, sërisht faktori ndërkombëtar.
Litari tashmë është tendosur dukshëm dhe të dyja polet që po i tërheqin fort, po i japin kurajo njëri tjetrit brenda kampeve të tyre që të mos dorëzohen, gati sa duket sikur thonë; ja edhe një kolpo e fortë na duhet dhe do ia arrijnë që ta tërheqim kundërshtarin përtej vijës që i bën ata, humbësit e kësaj loje. Eshtë një lojë ku edhe nëse ndonjëri dorëzohet dhe tërhiqet brenda njërit prej dy grupeve, në vend që ti dekurajojë të tjerët rrotull, kjo duket sikur po i motivon ato akoma edhe më shumë. Për aq kohë sa kanë shpresë, ajo po i mban gjallë dhe nuk I bën që të dorëzohen kurrësesi tani, në atë që po luhet prej tyre, si në të fundmen lojë. E nga ana tjetër, duket se nuk dorëzohen, edhe për një arësye tjetër. Për aq kohë sa kanë jo vetëm shpresë, por edhe pak më shumë kohë. Të paktën deri në janar, kur abasadori i SHBA, u caktoi edhe deadline-n e fundit për të burgosur disa nga peqshit e mëdhenj, pas nisjes tashmë të vettingut dhe zbatimit të reformës në drejtësi.
Si ta dallojmë këtë vizatim virtual, konkretisht dhe realisht në lëvizjet e përditëshme politike të palëve?- lind pyetja.
Nëse sheh nga mazhoranca socialiste, duket se ka një përpjekje të madhe për të patur në përditshmëri një axhendë të vetën politike, një program konkret takimesh, aksionesh dhe prioritetesh, një ritëm të caktuar dhe një kalendar që rreket të japë me çdo kusht pa u sforcuar, idenë se të gjitha ato, nuk diktohen e nuk ndikohen asfare nga zhurma e opozitës, medias, debati në rrjetet sociale apo nga zëri ndjellës e tundues i “magjistricave” vërdallë nëpër qytet. Ndoshta është kjo arësyeja se përse mazhoranca qeverisëse dhe parlamentare duket e fokusuar tek disa “topics”, ose tema kyçe të caktuara, duke mos hequr dorë prej tyre, edhe në kulmin e “furtunave” dhe “cikloneve” virtuale publike.
Buxheti i shtetit 2018, diskutimi dhe debatimi i tij sa në komisionet parlamentare e sa me grupet e interesit dhe në terren; caktimi sot i datës për mbledhjen për herë të parë të komisionit të reformës elektorale; denoncimi publik nëpërmjet një loje verbale politike i veprimeve të drejtësisë dhe Prokurorisë ndaj dosjeve dhe çështjeve që targetojnë ish qeverinëBerisha; inspektimi dhe vijimi i miratimit të projekteve dhe investimeve; veprimtari kushtuar nismës për bashkëqeverisjen me qytetarët; aktiviteti i grupit Parlamentar dhe i strukturave kryesore drejtuese të PS. Këto dhe të tjera, duket se kërkojnë ti japin fokus punëve për të cilat kjo mazhorancë u votua duke mbajtur një profil të ulët në debatet televizive, përjashto rastin e Kryeministrit që po ndjek një qasje të re me median, duke dashur që ta ballafaqojë atë në sy të njerëzve me përmasën e vet reale në raport me profesionalizmin dhe misionin informues.
Ndërsa kampi tjetër opozitar, o është larguar rrugës së protestave, mitingjeve, bojkotit, aksioneve me një tematikë të caktuar në terren të kombinuar me përplasje të forta parlamentare, në funksion të qëllimit për të afirmuar kauzat e veta e për të futur nën presion e dobësuar shumicën qeverisëse e parlamentare. Përkundër kësaj, ajo po rreket që të bëjë target individë të caktuar brenda mazhorancës, siç ishte rasti i ish ministrit të Brendshëm Tahiri, në përpjekje për të bërë shembuj të fortë e të dukshëm publikë, për ta vënë në vështirësi shefin e PS duke tentuar që ti shkëpusin ndonjë hallkë kyçe, duke tentuar më pas që të shkojnë drejt rrëzimit të tij.
E shoqëruar kjo edhe me mbështetjen e mediave rrotull saj, opozita i ka varur të gjitha shpresat e saj me sa duket tek lufta kundër krimit, drogës dhe fenomenit të “kanabizimit të vendit” dhe lidhjeve të tyre me “pushtetarët”, për të ringjallur frymën opozitare të shuar pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit. Me shpresën se bashkë me dimrin e vështirë, pranvera mund ti ripërtërijë sythet opozitare të përkrahësve dhe mbështetësve te tyre.
Të dyja palët, po ta shohësh me kujdes, nuk është se po luajnë keq. Për aq kohë sa të kemi parasysh pozicionet, peshën reale politike, mundësitë dhe hapësirat që kanë brenda kampeve dhe partive të tyre. Mazhoranca me shpresën se fillimi i efekteve konkrete të reformës në drejtësi, do tia forcojë më shumë pozitat, për shkak të dobësimit të anës tjetër të lirarit. Opozita, me shpresën se rezistenca, fitimi në kohë dhe rritja e frymës antiqeveritare, do ia shtojë radhët me të pakënaqur të rinj që po shkarkohen nga administrata, me të mospërfshirë në projektin e ri të mandatit të dytë të qeverisjes së PS dhe nga mediat që janë aty gati, si në çdo vend tjetër, për tu bërë palë me kundërshtarët e atyre që prodhojnë më shumë lajme dhe e ndejkës për ta.
E sigurtë është që loja do vijojë të jetë e fortë edhe në javët në vijim, me shpresën e palëve se në fund të fundit, asgjë nuk ka për të ndodhur si edhe në lojërat e tjera të këtyre 27 viteve. Për aq kohë sa ashtu si edhe në lojën reale popullore, litari nuk këputet dhe të dyja palët për shkak të shtërngimit dhe tërheqjes me të gjitha fuqitë, do të rrëzohen në të dyja kahjet e kundërta. Ose njëra palë ta tërheqi aq fort palën tjetër, duke e detyruar të dorëzohet, duke e pranuar humbjen e lojës e ti hapi krahun për të provuar forcat, një pale të re. E sigurtë është vetëm që albitri do të jetë aty në mes, përsëri me bilbil në gojë, në pritje të fillimit të lojës së radhës dhe me litarin e ri të radhës.