Lajmet që po prodhohen javët e fundit nga dhe për politikën, të krijojnë idenë se nga tri polare, jo vetëm skena e saj sigurisht që është bërë dy polare, por edhe vetë shteti, nga tri pushtete, duket se tashmë ka dy. Si të mos mjaftonte kjo, të gjithë duket sikur pyesin pas çdo zhvillimi, pas çdo lajmi, pas çdo debati, çështje të hapur apo të supozuar: kush është me kë, në gjithë këtë histori? Kush po mbron dhe po sulmon, kë?! Kush e do të mirën dhe të keqen, e kujt? Kush i ka trazuar ujërat, për ç’farë?!
Këto dhe shumë pyetje të tjera shpesh pa përgjigje e në disa raste edhe me përgjigje konkrete apo të supozuara, në vend që ta qartësojnë pamjen duket sikur e mjergullojnë gjithnjë e më shumë atë. Duke krijuar një gjendje pasigurie dhe ankthi permanent për të gjithë, ajo të krijon iluzionin sikur ndodhesh përpara një mase latente, që mund të mari në çdo çast cilëndo gjendje të lëndës që dëshiron.
Më konkretisht, si duhet ta kuptojmë këtë parashtrim dhe për ç’farë më konkretisht është fjala?
Pasqyrën më të qartë për ta parë këtë lloj situate, na e dha dje e sot vijimi i raportimeve në lidhje me ndalimin e një biznesmeni nga policia e Elbasanit, ku bashkë me të është lakuar edhe ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, për shkak se ju gjetën dy leje drejtimi me emrin e tij. Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorit të saj të komanduar në drejtorinë e Qarkut Elbasan, e sqaroi zyrtarisht situatën. Deri në atë moment, por edhe pas tij, palët politike, mediatike dhe ato publike vazhduan që ta shpjegonin të gjithën këtë sipas mënyrës së tyre.
Pikëpyetje u ngritën se mos e gjitha ishte një kurth për ta rënduar pozitën e Tahirit që po verifikohet nga Prokuroria e Krimeve në lidhje me disa përgjime të zhvilluara nga pala italiane për një çështje tjetër. Disa të tjerë, thanë se Prokuroria mund të ketë nxjerrë informacionin. Të tjerë akoma shtuan se policia nuk ishte treguar plotësisht e paanshme dhe profesioniste në këtë rast, duke hedhur hije dyshimi të forta se mund të ketë qenë me apo pa dashje, palë nga “brenda” me kundërshtarët dhe armiqtë e “jashtëm”. Ka nga ata që nuk e quajnë rastësi që e gjitha kjo ndodhi tani, pikërisht në Elbasan dhe në këtë kontekst. Ashtu siç ka edhe teori të tjera, sipas nivelit të fantazisë së palëve, që shkojnë në skenarë më pak apo edhe më të komplikuara sesa të gjitha këto.
Ky rast mjafton për të shpjeguar edhe shumbuj të tjerë të ngjashëm me të, duke i dhënë ushqim të bollshëm një kulture kombëtare, që “vdes” për ti bërë punët e zyrave të shtetit, në hije të rrapit në qendër të fshatit. Një kulturë që i bën dëm jo vetëm seriozitetit të institucioneve dhe pushteteve të cilat e kanë për detyrim kushtetues dhe ligjor që të ruajnë diskrecionin dhe seriozitetin e shtetit vetë, por edhe imazhit në tërësi të vendit. Nga ky imazh në dukje një nocion irreal, varen aq shumë raporte dhe dimensione reale, të cilat mund ta ndihmojnë apo dëmtojnë të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj është emergjencë kombëtare, që kësaj mjergullnaje që mund të krijojë herë pas here idenë e një amullie virtuale, ti jepet fund sa më parë. Duke i bërë të gjithë aktorët dhe faktorët publikë, të kuptojnë vendin dhe pozicionin e vetë në radhë të parë në raport me shtetin ligjor dhe të drejtat e detyrimet e veta kushtetuese. Por, edhe në raport me interesin e madh publik.
Konteksti i gjithë kësaj situate, është shumë e qartë dhe e thënë nga shumë të tjerë, se lidhet me një periudhë kohore që përkon me disa zhvillime të pritshme. Pas dorëheqjes së shefit të shërbimit sekret shqiptar Visho Ajazi, fillimit të punës si institucionit të Vettingut dhe implementimit të reformës në drejtësi, kuptohet që do të kishte edhe turbulenca publike.
Më e rëndësishme se pyetja që na mundon deri tani se “kush është më kë” në gjithë këtë histori, çështja është që të sqarohet ligjërisht dhe institucionalisht se “kujt i takon çfarë”. Në mënyrë që të gjithë të mos meremi kolektivisht me të gjitha, por secili më te vetën. Kjo është çështja. A e bëjmë dot?!


