Në gazetari ka një aksiomë sipas së cilës një lajm i mire, është një lajm i keq. Ndërsa një lajm i keq, është një lajm i mirë. Kjo për arësye se katastrofat ajrore, cunamet, tërmetet, atentatet, trazirat, luftërat, grushtet e shtetit, krizat, komplotet, vdekjet e njerëzve të shquar sidomos kur janë enigmatike dhe të parakohshme, rrëmujat, rënia e bursave, etj tërheqin më shumë vëmendjen e opinionit dhe për rrjedhojë ka edhe një vëmendje të shtuar të tyre, mbi punën e gazetarëve.
Përjashto finalet dhe eventet e mëdha sportive, koncertet e yjeve të muzikës, netët finale të festivaleve të famshëm, zgjedhja e Papës, zgjedhjet politike amerikane, që hyjnë tek natyra e lajmeve me interes të lartë njerëzor e që mund të klasifikohen si lajme të natyrës positive, që tërheqin vëmendjen e miliona e miliona njerëzve kudo në botë, lajmet e tjera janë relative. Janë lajme dhe zhvillime që nuk dalin nga mesatarja “normale” e interesit human, e për rrjedhojë krijojnë një lloj “klientele” të përherëshme brenda limeve të caktuara, që kuriozohen sipas interesave dhe nevojave të tyre për informim, argëtim apo edukim.
Një raport të tillë pak a shumë, e kanë edhe shqiptarët me mediat tona, të cila nuk ka si të bëjnë përjashtim nga ky steriotip i sjellës së shoqërisë njerëzore në tërësi. Por, nuk e di pse, ndoshta ne na duket ose është disi e vërtetë, që lajmet e mira nuk janë fare lajme të këqija në këto anë. Ato pothuajse nuk tërheqin aspak vëmendje, sado të mira apo të rëndësishme që të jenë në qasjen e tyre pozitive, për jetën e njerëzve të këtij vendi. Madje, duket sikur ato janë pak më keq se kaq. Lajmet e mira, nuk janë më lajm, fare. Duke mos patur asnjë interes. Ndaj ose nuk jepen nga mediat, ose nuk ndiqen nga njerëzit, ose edhe kur jepen dhe dikush i ndjek qoftë edhe pa dashje, nuk ia tërheqin vëmendjen dhe duket sikur nuk u bëjnë më përshtypje.
I tillë mund të konsiderohet përshembull lajmi se mazhoranca dhe opozita, PS dhe PD si rrallëherë në këto 27 vjet pluralizëm demokratik në këtë vend, firmosën sëbashku një deklaratë në unanimitet, ku i kërkonin Komisionit Europian që të rekomandojë hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë. Një deklaratë kjo e bërë në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Stabilizim- Asociimit në Tiranë, në prani edhe të një grupi eurodeputetësh. Siç u shprehën të dërguarit e Brukselit, ky ishte akti i fundit që vulos rekomandimin zyrtart të Komisioni Europian për Shqipërinë. Që do të thotë, se “de facto” është hedhur edhe hapi i parafundit dhe nuk mbetet më pothuajse më asnjë pengesë, që Shqipërisë ti jepet një datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Kemi shumë vite që e prisnim këtë moment për të hedhur hapin final. Kemi ndoshta edhe më shumë akoma, që prisnim të bënim bashkë në një mendje, në një deklaratë, në një kërkesë për diçka që kemi 27 vjet që e ëndërrojmë, të majtët dhe të djathtët. Të bënim të hidhnin firmat në një shkresë të përbashkët PS dhe PD. Mazhorancën dhe opozitën. E atëherë kur kjo ndodhi, kur kjo u arrit, kur ajo u realizua, u dakordësua, u formalizua dhe u zyrtarizua, nuk them se duhet të hidhnim fishekzjarret. As edhe të gëzoheshim sikur kemi fituar Kampionatin Europian të Futbollit. Se kjo do ishte se çdo ishte në këtë vend.
Të paktën, ti kishim kushtuar qoftë edhe një lajm të vetëm. Disa media e kaluan aty për aty shkarazi, ngaqë nuk e shmangnin dot me sa duket, sepse ishin edhe nëpër transmetim live të takimit. Disa media të tjera e thanë ashtu shpejt e shpejt si me bezdi dhe vijuan më lajme të tjera “më të rëndësishme”. U morën se kush u përplas me makinë, kush u gërvisht, kush u plagos, kush i ka shkruajtur kujt çfarë, çfarë tha kush kur heshti dikush.
E më pas lajme me shi, me borë, akull rrezik rrëshqitje, lumenj, ujë, intervista politikanësh që ndiqen si të ishin rock star dhe lajme me vip-a që kanë veshur një fustan të ri, që paskan vendosur një zemër në një status, dikush paska shkuar me pushime por që e paskësh tradhëtuar një detaj i vockël në foto për të cilën bëhet një lajm i madh. Madje, shumë i madh. Ndërsa për një akt që hap një derë, drejt një prespektive që aq shumë themi se e duam të gjithë si popull, bëjmë sikur nuk e shohim kur nis e ndodh përpara syve tanë.
Në këtë rast, ndoshta shqiptarët nuk kanë edhe aq shumë faj që nuk i gëzohen një lajmi të mirë, për ta përjetuar me të njëjtën vëmendje si edhe një lajm tjetër të keq. Po të kemi parasysh se janë lodhur 27 vjet duke e pritur. Ndoshta mospërjetimi i këtij momenti, me emocionin e një lajmi të mirë, kjo nuk e bën këtë gjë, domosdoshmërisht një lajm të keq. Apo jo?!


