Opozita shqiptare bëri provën e parë reale politike, në përgatitje të protestës së 27 janarit, të njoftuar tashmë prej disa ditësh. Një provë në ditën e parë të rikthimit të punimeve të Parlamentit, në nisje të sesionit të ri, ku që në start u mësuan disa prej 5-6 sfidave kryesore ku do të përqëndrohet puna e ligjvënësve shqiptarë deri në verë. PD dhe LSI kishin bashkuar firmat e gjithë deputetëve, për të ofruar një amendament për ndryshime kushtetuese që në thelb nuk bën gjë tjetër, veçse çon në zhbërjen e seancës së 18 dhjetorit, ose në shkarkimin e Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme e Republikës.
Në një dalje televizive në mbrëmbje Edi Rama kishte një përgjigje jo vetëm për këtë hap të opozitës por edhe për kërkesat e tyre të tjera, që në thelb përbëjnë atë që mund të konsiderohet edhe si “kauza” e saj për protestën e shumëdiskutuar. Përgjigja e Kryeministrit përpara se të rikthehen sërisht në sallën e Kuvendit me kërkesa si ajo për ndryshimin e Kushtetutës, si PD ashtu edhe LSI të shkonin e të trokisnin më parë në dyert e SHBA dhe BE, që kanë qenë dhe do të mbeten deri në fund, garantet e reformës në drejtësi.
EURALIUS dhe OPDAT dhanë ekspertizën e tyre juridike duke treguar rrugën nëpër të cilën do të ecte i gjithë procesi i zëvendësimit të Kryeprokurorit të atëhershmë në detyrë Adriatik Llalla, me anë të zgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm. E pas kësaj, është e qartë edhe sesi do të shkohet tani e tutje edhe drejt zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përhershëm të Republikës. Hapat janë duke u hedhur një e nga një dhe pas ngritjes dhe fillimit të funksionimit të KLP (Këshillit të Lartë të Prokurorisë) pritet të kemi shumë shpejt edhe kreun me mandat 7 vjeçar të organit të akuzës.
“Të shkojnë e të marrin mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian për këto ndryshime (Kushtetuese që kërkojnë) dhe më pas hajde të ulemi të diskutojmë. Shqipëria ka partner Shtetet e Bashkuara dhe BE. Kjo reformë pa Shtetet e Bashkuara dhe BE nuk do të ishte kurrë e mundur sepse ishin ato që jua futën të dyja këmbët në një këpucë të gjithë atyre që sot gjuajnë me këpucë dhe kërkojnë të kthejnë përmbys një proces që nuk ndalet më,- ka deklaruar Rama.
Pikërisht këtu duket se buron edhe qetësia me të cilën Rama e priti dhe e përcolli në sallën e Parlamentit debatin e opozitës rreth kësaj çështje. Por, mbi të gjitha qetësia me të cilën ai duket se vijon i pashqetësuar axhendën e tij qeverisëse, pavarësisht deklaratave për atë që opozita thotë se do të ndodhë në 27 janar.
E thënë kështu Edi Rama duket se ka bërë një goditje nga ato që konsiderohen si “me spond”, duke e larguar me finesë topin nga fusha e tij dhe duke e detyruar PD dhe LSI që të luajnë tani përballë SHBA dhe BE. Një përballje që edhe mund të ndodhë, por ajo është e tillë, që pakkush e dëshiron ta provojë realisht në kushtet shqiptare.
Gjithësesi, deri të shtunën e fundit të janarit, ka ende shumë ditë përpara. Me siguri që edhe mes opozitës ka ende mendje racionale dhe të arësyeshme që ta shmangin këtë përballje. Shpresa ka për aq kohë sa si PD ashtu edhe LSI gjetë forca brenda vetes së tyre edhe rreth një vit e gjysëm më parë, kur ndërmorën hapin historik jo vetë për të shkuar në sallën e Parlamentit por mbi të gjitha, për tiu bashkuar 140 votave unanime “pro” reformës në drejtësi, të cilën kërkuan ta amendonin sot.