Ka shumë elementë që mund të renditen në lista të pafund argumentash për atë që e dallon perëndimin e zhvilluar kapitalist, nga ish lindja komuniste ende e prapambetur dhe e pa integruar. E sidomos në shtetet e Ballkanit Perendimor, ku varfëria e trashëguar historikisht për shkak të historisë, izolimit të egër dhe luftrave kanë lënë akoma vulën e tyre tek këto shtete, si të ishte damka e një mallkimi të përjetshëm. Një vulë, që kërkon me sa duket një solucion shumë specifik që të shuhet, për të shpëtuar në këtë mënyrë, edhe trupat që e kanë bartur, por edhe ata që ia vunë.
Megjithë ndryshimet e thella pozitivisht radikale, për shkak të rënies së Perdes së Hekurt dhe si pasojë e lirisë së lëvizjes të njerëzve, ideve, mallrave dhe informacionit, ekonomisë së tregut, zhvillimeve të ekonomisë globale, rajonale e kombëtare, shumë prej këtyre shteteve, përfshi edhe Shqipërinë, do u duhen ndoshta dekada të tjera, për tu barazuar me mesataren e standardeve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Të gjitha shtetet aspirante, sa më shumë avancojnë me axhendën e tyre të integrimit, aq më qartë e shikojnë dhe e kuptojnë diferencën e thellë që i ndan.
Në kërkim të një shpjegimi të thjeshtë, për thelbin e këtij ndryshimi mes Ballkanit dhe perëndimit në standardin e jetesës së qytetarëve të vet dhe zhvillimet social- ekonomike, përgjigja që japin “think tanks”-at janë disa. Por të gjitha konvergojnë në një pikë të vetme. Sipas tyre, perëndimi është bërë ai që është sot, për shkak të kulturës së planifikimit. Ndërsa lindja, e ka të përhapur gjerësisht si një mënyrë jetese, kulturën e improvizimit. Një kulturë që në perëndim ka sjellë zhvillim nëpërmjet projeksioneve afatgjata të nevojave, që I paraprijnë sfidave të së ardhmes dhe që mungon në lindje, ku mendohet vetëm për të sotmen.
Për të kuptur këtë diferencë, mund të ofrohen shembuj të pambarimtë. Por, mjafton të tregosh se si përshembull në Gjeramani mund të të qëllojë që të devijosh udhëtimin tënd me makinë drejt një rruge dytësore, për shkak se autostrada nga 4 apo 6, mund të jetë duke u bërë me 6 ose me 8 korsi. E nëse pyet, me siguri që do të të thonë se kjo bëhet, për shkak se sipas studimeve të institucioneve të zhvillimit të infrastrukturës, pas 10 vjetësh fluksi I trafikut në atë segment, do të rritet aq sa duhen marë masat që sot, për ti paraprirë të ardhmes.
Ndërsa në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë apo shtete të tjera të rajonit tonë, e ke gati të pamundur, që përgjatë një udhëtimi të mos hasësh devijim trafiku në kulmin e sezoneve turistike, apo në ditët e festave apo të pushimeve verore a dimërore. Arësyeja: Vetëm kur afrohet piku I kërkesës, presioni i detyron institucionet që të improvizojnë zgjidhje, të cilat në vend që tia lehtësojnë jetën qytetarëve të vet, ia rrit nivelin e stresit deri në atë masë, saqë edhe kur një punë përfundon, ata nuk arrijnë dot as që ti gëzohen.
Kjo kulturë improvizimi nga pothuajse të gjitha institucionet respektive, përcëritet në formën e një rituali të bezdisshëm ciklik, duke u shndërruar në një mënyrë jetese. Si shembulli I rrugëve, mund të jepen pafundësisht të tjerë, gati në çdo sferë të jetës së përditëshme dhe në shumë sektorë shtetërorë e publikë të qeverisjeve qëndrore e lokale, të cilat në vend që të vendosen në shërbim të lehtësimit të jetës së qytetarëve të vet, bëjnë të kundërtën. Ato shndërrohen në një lloj makthi, sikur ekzistojnë thjeshtë dhe vetëm për ti nxirë jetën qytetarëve të vendeve të tyre.
Këto dhe shumë të tjera, janë arësyet se përse pikërisht këto shtete, renditen pothuajse gjithmonë në vendet e fundit të listës së klasifikimeve europiane apo botërore të indekseve të ndryshme që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës, me lehtësitë që duhet tu krijojë shteti dhe qeverisja, qytetarëve. Vetëm një sistem i përsosur e funksional, i cili mbahet në këmbë nëpërmjet kulturës së planifikimit afatgjatë dhe në kohë të të gjitha nevojave dhe sfidave që i dalin përpara shoqërive të tyre, do të mund ta mbushi për një kohë shumë më të shpejtë, hendekun e madh që ndan mesataren e zhvillimit të 27 vendeve të BE, me atë të vendeve aspirante.
Më 28 qershor, Shqipëria do ta mari “PO”-në e shumëpritur të çeljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Me shumë gjasa, ky vendim do të jepet me shumë kushte. Një nga kryesfidat tona, duhet konsideruar hedhja pas krahëve e asaj kulture, që na ka lënë historikisht jashtë familjes europiane. Pavarësisht, se zëvendësimi i kulturës së planifikimit europian, me atë të improvizimit tonë të përjetshëm, është e sigurtë që nuk do të figurojë në asnjë dokument zyrtar të Brukselit me Tiranën.