Ata që nxitën dhe që realizuan shkatërrimin dhe djegien e KZAZ-ve në disa bashki të vendit, për të penguar zhvillimin normal të procesit zgjedhor të 30 Qershorit në Shqipëri, janë të njëjtët në 30 vjet.
Janë të njëjtët që shkatërruan pronën e përbashkët në 1991-1922 duke rrënuar, djegur e rrafshuar në emër të luftës kundër komunizmit qindra fabrika, uzina, kombinate, ferma, stalla, plantacione, pemtore, institiucione dhe gjithçka tjetër që prodhonte të mira materiale, pronë e popullit shqiptar.
Janë të njëjtët që për të mbrojtur pushtetin e tyre, pas grabitjes që iu bë kursimeve të 95% të shqiptarëve në firmat mashtruese piramidale në fillim të 1997, hapën depot ushtarake dhe armatosën popullsinë civile, duke shkatërruar e djegur gjithçka tjetër që i kishte mbijetuar valës së parë të postkomunizmit. E çishte më e keqja, 3000 nëna shqiptare mbetën shamizeza, për shkak të rënies së shtetit, mungesës së kontrollit mbi territorin dhe mbretërimit në kaos të bandave.
Janë të njëjtët që në 1998 përdorën arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari, për të realizuar grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998, duke sulmuar me armë zjarri institucionet, shkatërruar pronën publike e private dhe duke pushtuar Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Ndërsa sot po tentojnë të njëjtën gjë, nëpërmjet dekretit të Presidentit Ilir Meta, për të anulluar në mënyrë antikushtetuese zgjedhjet e 30 Qershorit.
Janë të njëjtët që u bënë bashkë për ti grabitur Edi Ramës LIVE përpara kamerave, në dritë të diellit dhe nëpërmjet Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, mandatin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës në vitin 2011, e për tia bërë atë dhuratë Lulzim Bashës. Atëherë, me atributet e “yllit në ngjitje” të skenës së djathtë të politikës shqiptare.
E si të mos mjaftontë “Kurban”-i i parë, tani janë bërë sërisht bashkë, për ti rrëmbyer mandatin e Kryeministrit këtë radhë, përsëri Edi Ramës. E për tia dhuruar sërisht, të njëjtit: Lulzim Bashës. Sot, me atributet e “liderit de jure” të opozitës shqiptare.
Por ndryshe nga hera e parë, tani nuk e duan më me KQZ, por peshqesh në tavolinë. Pa garë. Pa zgjedhje. Pa proces elektoral. Por thjeshtë dhe vetëm me dekret Presidencial. Me një akt administrativ individual, absolutisht të pavlefshëm, të firmosur nga Ilir Meta për aleatin e partisë së bashkëshortes së tij.
Janë të njëjtët të cilët kanë kuptuar se nuk garojnë dot. Se nuk fitojnë dot me garë. As me vote. Ndaj as nuk e marin mundimin si sot e 8 vjet më pare, që të futen qoftë edhe formalisht në proces. Sepse nga atëherë, sot ka një ndryshim të madh: Sali Berisha nuk është më Kryeministër. Për ti vënë në rresht e për të komanduar që nga policia, ushtria, drejtësia, shërbimi sekret, KQZ e deri tek Kolegji Zgjedhor e për tia bërë dhuratën pasardhësit të tij, edhe me ceremonial shtetëror.
Janë të njëjtët që sot si për ti kompensuar të gjitha këto mungesa, e duke shfrytëzuar pafundësinë e të keqes që mund të prodhojë mendja njerëzore, kanë vendosur që të vetvriten të gjithë politikisht. Me të vetmin qëllim; ashtu si kamikazi bashkë me veten hedh në erë edhe objektivin e tij, të marin me vete për në botën tjetër politike, edhe mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama. E shqipëria të rikthehet për tiu falur sërisht, “Mbretërisë së Kaosit”.
Janë të njëjtët që e dinë se sot nuk mund të fitojnë dot, as me me diferencën prej 10 votash të paktën. Që të dalin për të kërkuar më pas vota nëpër kazanët e kutive të gabuara. Ndaj, dogjën mandatet e deputetëve. Dolën nga Parlamenti. Dolën nga sistemi politik. Dolën nga sistemi demokratik. Dolën nga institucionet. Nuk u futën në zgjedhje. E si të mos mjaftonin të gjitha këto, tani janë sërisht të njëjtët që nuk duan të lenë as të tjerët që të zgjedhin e të zgjidhen, sipas parimit kushtetutes të peridocitetit të mbajtjes çdo 4 vjet, të proceseve zgjedhore në Shqipëri.
Janë të njëjtët që po kërkojnë me çdo çmim, që historia të përsëritet e të përsëritet dhe ata pavarësisht se çfarë kanë bërë e çfarë po bëjnë, të dalin sërisht të palagur dhe të arrijnë qëllimet e tyre për tu rikthyer me çdo çmim, me çdo mjet, e me çdo rrugë në pushtet.
Ata janë të njëjtët. Ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët në 30 Qershor duhet të tregojnë se nuk janë më të njëjtët. Duhet të tregojnë se kanë ndryshuar. Dhe se pas kësaj, nuk e meriton që të njëjtët të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Si 30 vitet e shkuara.