Për të gjithë ata që mendonin se Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk është nga ata burra që e mban fjalën, sot janë zhgënjyer.
Sepse ai sapo e vrau veten, ashtu siç na kishte premtuar nga Pogradeci, si Presidenti kilian Salvador Allende më 1973.
Në ndryshim prej tij, ky akt dëshpërimisht “in extremis” nuk erdhi sepse pallati i tij presidencial, ishte i rrethuar nga trupa ushtarake, në përpjekje për të realizuar një grusht shteti.
Përkundrazi. Ai ishte i rrethuar nga opozita që kërkoi prej tij si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura që të bëntë një grusht kushtetues shteti, dhe ai nuk ua prishi.
Ua plotësoi dëshirën: Shkroi një letër ku thotë se paska vendosur që “të shfuqizojë Dekretin Nr. 10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.”
Arsyeja? As ai nuk e di. E rëndësishme ishte që ora e deklaratës së tij, të përputhej me fillimin e protestës së radhës, të opozitës së rrugës. Por do mendohet, sa të nxihet pak në diell, në plazh. E shtuna dhe e diela përpara janë.
Ndaj na tha: Në komunikimin të hënës, dt. 10 qershor, do të bëj publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.
Presidenti i Republikës sipas Nenit 92 pika “gj” të Kushtetutës, ka të drejtë vetëm të “caktojë datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;”
Pra, Presidenti nuk ka të drejtë të shfuqizojë dekretin e datës së zgjedhjeve. Kjo është arsyeja se përse ai nuk ka asnjë referencë Kushtetuese dhe Ligjore në deklaratën e tij. Ndaj na thotë se do mendohet deri të hënën.
Por ama, Meta thotë se paska argumenta “LOGJIKË”?! Po kjo çhynë këtu? Logjika është një disiplinë filozofike që merret me studimin e formave dhe të parimeve të të menduarit të drejtë dhe të vërtetë dhe është themeluar nga Aristoteli. Duhet të jetë për herë të parë në historinë e shteteve, që Kreu i saj, të drejtojë vendin me logjike dhe jo me ligje dhe Kushtetutë!
Duke qenë se jemi përpara një akti të kryer vetvrasjeje nga Presidenti në tentativë për ti bërë grusht shteti Republikës se vet, deri të hënën Parlamenti duhet të jetë mbledhur për ta shkarkuar. Vendi i Ilir Metës, nuk duhet lënë më, asnjë minutë bosh.