Protesta e zhvilluar nga banorët në Himarë me flamujtë e Greqisë ndër duar, duke kundërshtuar forcat e policisë, që kishin shkuar në mbështetje të aksionit për lirimin e hapësirave për përfundimin e projektit të rikualifikimit urban të sheshit të qytetit, më risollën një kujtim gati të harruar të 15 viteve më parë. Në verën e vitit 2002, familjarisht shkuam për të kaluar pushimet verore në plazhet e saj të mrekullueshme, por u detyrova ti lija përgjysëm. Shkak për këtë, u bë një ngjarje sa e pakuptueshme, aq edhe fyese për marrëdhëniet mes një pjese të vendasve dhe turistëve që zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre vjetore atje.
Kishim marë me qera një dhomë në një familje që banonte në kodër, pranë godinës së ish- spitalit të vjetër dhe duke qenë se gatuanim aty, mua më binte radha të shkoja për të bërë pazarin. Një ditë shkova tek një minimarket i vogël ku ndërkohë që unë sodisja mallrat dhe çmimet, i zoti i saj bisedonte me një bashkëqytetarin e vet. Pasi e vendosa se çdo merja, e pyeta për çmimin e një lloj djathi në banak. Filloi të më fliste greqisht, ndërkohë që deri atë çast, e gjithë biseda mes tyre ishte zhvilluar në gjuhën shqipe.
Mendova për një çast se ishte keqkuptuar dhe ia përsërita edhe njëherë pyetjen dhe ai mu përgjigj po në të njëjtën mënyrë. U revoltova aq shumë, sa i thashë që si është e mundur që ne vijmë nga Tirana apo nga kudo tjetër dhe ju flisni deri tani shqip me njëri- tjetrin dhe kur ne si klientë kërkojmë të blejmë dhe tu japim para, ju si shpërblim na flisni greqisht?! Po në këtë vend po vijnë deri edhe kinezët dhe mësojnë shqip,- i thashë, për të respektuar veten dhe klientin, ndërsa ju bëni të kundërtën? Kur e kuptoi që kishte shkuar larg në këtë komunikim, mu kthye në shqip: Epo avash, avash. Ske pse nxehesh. Se nuk të ka as lezet, se je edhe intelektual!
Nuk më kujtohet se çfarë mund të kem folur atë çast nëpër dhëmbë duke dalë nga dera pa “psonisur”, por ajo që di me siguri, është se i lashë pushimet përgjysëm dhe nuk kam fjetur më asnjë natë të vetme në Himarë që nga ajo ditë. Pavarësisht se atje kam shumë miq të mirë, ndaloj kur më bie rruga për kafe, për ndonjë ndalesë disaorëshe në ndonjë nga plazhet e saj të jashtëzakonshme jashtë qytetit. Madje njëherë bashkë me disa të afërm emigrantë në SHBA, kemi ndaluar më vonë në qendrën shëndetësore gjatë rrugës për në Sarandë, për një nevojë urgjente dhe kemi marë aty ndoshta shërbimin më të mirë që mund ta kemi marë ndonjëherë nga mjekësia shqiptare, në aspektin human.
Verën e kaluar isha përsëri dhe u gëzova pa masë, kur shoku im i vjetër që nga shkolla, Gjergj Goro ia kishte dalë më në fund, që të niste realizimin e ëndrrës si Kryetar Bashkie atje, për ta rivitalizuar totalisht Himarën. Mjafton të kesh sytë në ballë, për ta kuptuar se ai projekt për zhvillimin urban është shumë ambicioz, sepse mundëson kthimin e një gjysëm fshati e gjysëm qyteze të deridjeshme, në një qytet fantastik bregdetar, me ambicjen për të qenë një nga destinacionet më të lakmuara të turizmit në Mesdhe. Projekti ende nuk ka përfunduar, sepse duhen çliruar edhe disa hapësira të mbetura, në mënyrë që plani i rehabilitimit të shkojë deri në fund.
E në vend që për këtë, banorët të jenë në mos të lumtur, bashkëpunues sepse ky projekt ia ka disafishuar vlerën e pronës dhe ia ka zgjeruar shumë diapazionin e kohës kalendarike për ta shfrytëzuar për bizeneset e tyre aq të lidhur me turizmin, jo vetëm thjeshtë në 30- 40 ditë në muajt korrik e gusht, po ndodh e kundërta. Ka shumë nervozizëm, protesta, akuza por mbi të gjitha çështja është politizuar, deri në atë farë feje, sa e kanë detyruar qeverinë e Athinës, të shndërrohet në zëdhënësen e disa prostetuesve që si shpërblim, i janë me sa duket mirënjohës, duke valëvitur flamujtë e Greqisë.
Historiani Pëllumb Xhufi tha se këto protesta janë të nxitura dhe kanë një prapavijë të qartë që synon që përmes bllokimit të punimeve të fitojnë pjesën e përkatësisë. Ai paralajmëroi se e keqja e gjithë kësaj, është se kjo mund të çojë në humbjen e identitetit. Mes Shqipërisë dhe Greqisë ka ende shumë probleme që duhen zgjidhur, nisur që nga çështja e kufirit detar, pronave të shqiptarëve atje, ligji i luftës, kufiri tokësor etj. E si të mos mjaftonin të gjitha këto, qeveria helene na akuzon shpesh për moszbatimin e standarteve në trajtimin e minoriteteve dhe pakicave, duke qenë i vetmi vend i BE që as nuk e ka marë mundimin që të miratojë qëoftë edhe formalisht në letër, një ligj të tillë vetë. Ndaj duket sikur Himara dhe himariotët përdoren sa herë që tu jepet mundësia, si një “Gozhdë Nastradini”, ku qeveritë në Athinë kërkojnë të varin xhaketën e problemeve të tyre me Tiranën.
Ajo që duhet thënë troç, është fakti se Greqia sa më shumë zhvillohet Shqipëria dhe sa më shumë ajo avancon në proceset e saj integruese europiane, aq më shumë duket se në Athinë bëhen gjithnjë e më shumë nervozë pa shkak. Ne nuk duhet tja mohojmë kurrë dhe i duhet të jemi mirënjohës përjetë për pritjen e rreth gjysëm milioni emigrantësh që ata na kanë bërë në vitet tona më të vështira social- ekonomike që kemi kaluar pas rrëzimit të komunizmit e deri sot. Por, kriza e tyre e fundit financiare nga ku ende nuk kanë dalë akoma, nuk ka pse i bën sado pak xhelozë për liberalizimin e vizave për shqiptarët, anëtarësimin tonë në NATO (Greqia e dha e fundit votën e saj pro?!), boom-in tonë në industrinë e turzimit, apo në afrimin e marjes së datës për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Megjithatë, edhe protestat e këtij karakteri një ditë do shuhen, edhe plani i rehabilitimit urban të qytetit do të realizohet, edhe Himara dhe himariotët do të pasurohen gjithnjë e më shumë sa nga puna e tyre, sa nga dhurata që i ka bërë Zoti e sa nga boom-i që pritet të sjellin investimet e shumta në bregdetin e jugut. Flamujtë grekë do të vazhdojnë përsëri të valëviten edhe ca kohë, e ndoshta edhe përgjithmonë. Sapo të kalojmë qafën e Llogarasë me makinë për të udhëtuar drejt Sarandës, në celularët tanë ndoshta do të vazhdojë të na vijë përsëri mesazhi: Mirëseerdhët në Greqi!
Kur të ndaloj në minimarketin e dikurshëm, i zoti ndoshta do të më flasi përsëri greqisht. Deri atëherë edhe mua do të më ketë dalë inati dhe do rikthehem për të fjetur në hotelet e mrekullueshme të himariotëve. E sigurtë është që edhe kur unë edhe kur gjithë turistët e tjerë të largohen, për tu rikethyer e rikthyer përsëri në Himarë, i zoti i dyqanit dhe komshiu i tij, do të vazhdojë të flasin përsëri shqip me njëri- tjetrin. Derisa ta kuptojnë një ditë, se “Gozhda e Nastradinit” helen është kalbur dhe do të marin e ta shkulin sëbashku. Ajo që është e sigurtë që tani, është se pasi të hiqet gozhda, si në vargjet e njohura tashmë, aty do të mbetet veç vrima.