Procesi i hetimit administrativ për 800 pjestarët e sistemit të vjetër të drejtësisë, që kërkojnë të vijojnë edhe në sistemin e ri, duket se ka hyrë në fazën e punës me kapacitet të plotë. Nuk ka ditë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) të mos fillojë procese, apo të mos japë vendime për të konfirmuar apo shkarkuar nga detyra, ndonjë gjyqtar apo prokuror.
Në këtë mënyrë, po i jepet fund hamendësimeve të deridjeshme, për efiçiensën e formulës që po aplikohet. Pak rëndësi ka pas kësaj, se sa më shumë që të zgjatet lista e të “vett-uarve”, aq më shumë nxitet debati mes opozitës dhe mazhorancës për emrat e përveçëm të të kualifikuave apo të skualifikuarve.
Për opinionin publik, nuk kanë rëndësi emrat e përveçëm të atyre që gëzohen apo hidhërohen nga ky proces. Përveç ndonjë emri me të cilin ata mund ta lidhin historitë e tyre personale të “persekutimit” 27 vjeçar nëpër dyert e gjykatave, për gjithë të tjerët, janë krejt indiferentë. Madje, për ta nuk kanë edhe aq shumë rëndësi, as edhe shifrat apo përqindja e atyre që pritet që të “mbesin në klasë” nga ky proces.
Për qytetarët diçka tjetër është shumë më e rëndësishme se të gjitha këto. Ata po presin me durimin e shpresës së shtuar, pastrimin e kolonës më të kalbur të shtetit, që synon ti japë fund edhe kulturës së pandëshkueshmërisë në këtë vend. Duke pritur që edhe në këto anë, drejtësia e drejtë të bëhet një ditë dhe “gjykatësi” të jetë më në fund aq i drejtë, sa ti fusi frikën fajtorëve dhe jo vetëm të dobtëve dhe viktimave gjithfarësh, që kanë patur punë me sistemin!
Në pritje të realizimit të kësaj shprese të madhe, pas përfundimit të procesit të pastrimit të sistemit të vjetër dhe ndërtimit e funksionimit të institucioneve të drejtësisë së re, qytetarët me siguri kanë filluar që të shijojnë që tani frutin e parë të fitores reale, nga procesi i vettingut.
Një fitore e vogël dhe e lehtë në dukje, nga ato me shije aperitivi, por një triumf shumë sinjifikativ. Një fitore që me siguri i ka shijuar gjithkujt që ka qenë i vëmendshëm për të parë se si gjyqtarët e prokurorët shkojnë e vijnë urtë e butë, kokëulur e të sikletosur në maksimum nga vëmendja publike dhe kamerat. Por mbi të gjitha, nga pozicioni I tyre përballë një trupe gjykuese. Një trupe gjykimi prej vërteti, me asistencë dhe me praninë e ekspertëve të huaj të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), nga SHBA dhe BE.
Qytetarët që prej më shumë se çerek shekulli kanë patur punë me prokurorinë dhe gjykatat, kanë qenë me dhjetra herë në pozicionin e tyre të sotëm. Në salla gjyqesh, në bankon e të akuzuarve, si të pandehur apo palë, si dëshmitarë apo familjarë. Këto ditë, për herë të parë pozicionet janë përmbysur dhe rolet kanë ndryshuar. Sepse janë qytetarët tani që po i shohin gjyqtarët dhe prokurorët, në pozicionin e tyre të deridjeshëm. Në pozicionin e atij që është akuzuar, hetuar, po gjykohet dhe prêt me ankth vendimin për fatin e tij të mëtejshëm administrativ, juridik apo penal.
Kjo është fitorja e parë reale e “vettingut”, sepse për herë të parë 800 gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë, kanë mundësi që të vendosen në rolin e qytetarit, për të kuptuar se çfarë ata kanë ndjerë dhe si e kanë përjetuar nëpërmjet tyre, përballjen me ligjin për 25 vjet me radhë nëpër qeli komisariatesh, nëpër zyra oficerësh të policisë gjyqësore dhe prokurorësh, e më pas nëpër sallat e gjyqeve në të gjitha shkallët e sistemit shqiptar të drejtësisë.
“Mos i bëj kurrë tjetrit, atë që ti vetë nuk do të doje, që të tjerët ta bënin me ty”,- me siguri është një shprehje që kujtdo mund ti jetë kujtuar këto ditë. Qoftë prokurëve e gjyqtarëve që janë përballur me “vettingun”, apo më tepër akoma, atyre të paktëve që janë kallëzuar pas kësaj në prokurori e që po ndiqen penalisht.
Qytetarët kanë parë me sytë e tyre sesi “karma” po funksionon, për të rivendosur balancën e shprishur, mes tyre dhe njerëzve të sistemit të drejtësisë së padrejtë. Duket sikur kemi të bëjmë me “orën e gjykimit”, por falë edhe Zotit, nuk është e tillë. Eshtë thjeshtë një proces që i kujton gjithkujt, se askush nuk është i përjetshëm në një pushtet. Sepse vjen edhe një ditë si kjo dhe gjithkush një ditë, do të japë llogari.
Produkti i parë i këtij procesi, i bën mirë edhe atyre që do të jenë nesër, pjesë e sistemit të ri të drejtësisë. Pasi të sigurohen se e kanë arritur atë që ëndërronin nëpër gjykata apo prokuroritë e ardhshme, me siguri që do ti kujtojnë gjatë, këto ditë të përballjes me “vettingun”. Atë moment kur edhe ata u vendosën përballë një trupe gjykimi, që i bëri të kuptonin se edhe ata janë të kontrollueshëm e të gjykueshëm, si gjithë qytetarët e tjerë.


