Në 27 vitet e post komunizmit, pas shkatërrimit të ekonomisë së centralizuar që ishte projektuar për “ndërtimin e komunizmit me forcat tona” ku “do hanim edhe bar, por parimet nuk do ti shkelnim”, jemi ende në kërkim të shtyllës, kolonës dhe sektorit kryesor, mbi të cilën do të bazohet e sotmja dhe e ardhmja e ekonomisë sonë kombëtare.
Të gjitha shenjat janë se 2018-ta, ndoshta do ti mbushi mëndjen edhe më skeptikut në këtë vend, se është turizmi industria jonë kryesore ku duhet të mbështesim programet kryesore qeveritare dhe projektet startegjike të zhvillimit, për të orientuar investimet, shkollimin, punësimin, kulturën e shërbimit dhe harmonizimin e tregjeve të brendshme dhe bashkëpunimin me ato rajonale.
Dilemat tona për të përcaktuar degën, sektorin, industrinë kryesore të ekonomisë sonë kombëtare kanë qenë të shumta sidomos pas 1990. Ku gjithçka trashëguam u shkatërrua, u dogj e u rrënua në emër të luftës kundër trashëgimisë së diktaturës, duke zbatuar politikën e “tokës së djegur” me shpresën e ardhjes së “çekut të bardhë” nga perëndimi, që “na e kishte borxh” për shkak të vujatjeve tona.
Fillimisht ekonomia nisi të mbahej në këmbë nga emigracioni, nga remitancat që u bënë për një 10- 15 vjeçar,- e vazhdojnë akoma edhe sot,- një nga kanalet tona kryesore të furnizimit financiar të ekonomive familjare, duke mbajtur në këmbë edhe sektorët e tjerë të tregëtisë së vogël dhe shërbimeve që nisën të lulëzojnë. Më pas erdhën firmat mashtruese piramidale, që injektuan në masë tek njerëzit, opiumin e “rritjes së parave në pemë”, ku mjafton të fusje ca para dhe çdo muaj ti merje aq interesa sa nuk kishe nevojë as të punoje më(?!)
Shkatërrimi i firmave që mernin para me fajdeve, bashkë me flakën që iu rivu vendit më 1997, tregoi se sa pak dhe sa keq po e kuptonim ekonominë e lirë të tregut, në një sistem kapitalist të marrëdhënieve në prodhim, që kishim zgjedhur për të jetuar pas komunizmit.
Përpjekjet për orientimin e ekonomisë kombëtare drejt një dege, industrie a sektori bazë, luhateshin herë nga ekonomia e zezë e gri e trafiqeve, herë nga paratë emigracionit, herë nga industria e ndërtimit, herë nga shërbimet, herë nga fasonët, herë nga call center-at, herë nga bujqësia e blegtoria, herë nga industria nxjerrëse e mineraleve, herë nga industria e lehtë e ushqimore, e herë nga të gjitha nga pak, e pa u bazuar gjerësisht e masivisht përmes një strategjie kombëtare, tek një apo pak sektorë të cilët të bëheshin strumbullari rreth të cilëve të vërtitej e gjithë jeta social ekonomike e vendit.
Artikujt e media prestigjioze si “Lonely Planet”, “Financial Times”, “El Pais”, “Conde Nast Traveller”, “TTG Media”, “Euroneës”, “Vogue”, “AFP”, “Paste Magazine”, e shumë të tjera gjatë këtij viti, që e përcaktojnë Shqipërinë si një ndër destinacionet kryesore turistike të 2018, por edhe shifrat e deritanishme dhe pritshmëritë e operatorëve turistikë, tregojnë se më në fund e kemi gjetur. “EUREKA”: Eshtë TURIZMI. Eshtë industria turistike me sa duket, e sotmja dhe e ardhmja e ekonomisë sonë kombëtare.
Me gjithë investimet dhe ndryshimin e pamohueshëm, duhet të pranojmë se kemi akoma njëmijë e një probleme me infrastrukturën, me rrugët, me dritat, me ujin, me kapacitetet akomoduese, me burimet njerëzore, me cilësinë e shërbimit, me harmonizimin e rrjetit të furnizimit nëpërmjet një zinxhiri të pandërprerë ushqimor nga ekonomia fshatare e deri tek tryeza e restoranteve, tek pastërtia e të gjitha plazheve, tek aplikacionet orientuese e informuese. Por, edhe për diversfikimin e ofertës jo vetëm me ujë deti, rërë e shezllong, por edhe me destinacionet e turizmit kulturor, malor, familjar, të aventurës, agroturizmit, etj.
Megjithatë, fakt është se gjithnjë e më shumë njerëz, biznese dhe operatorë, po e kuptojnë se dy detrat e mrekullueshëm që na ka falur Zoti, mbi 400 kilometrat linear të një bregdeti fantastik, mbi 250 ditët më diell në vit dhe ambicja për të qenë konkurues dhe kompetitivë në një treg sa kombëtar aq edhe rajonal të turizmit, janë asete të jashtëzakonshme për të përballuar me sukses me anë edhe të përvojës së fituar në emigracion dhe punës së këtyre viteve në Shqipëri, boom-in e pritshëm turistik të këtij viti.
Kur ia kanë dalë përpara nesh edhe kroatët, edhe malazezët, e shumë më përpara edhe grekët e italianët dhe më pas turqit, e sigurtë është që edhe shqiptarët do ia dalin. Sepse në këtë botë është e provuar se kur dikush ka ditur që të mbijetojë dhe të mësojë që të prosperojë, duke punuar për të tjerët, e sigurtë është që do të mbrothësohet e lulëzojë, kur të vijë dita që të punojë për vete dhe për familjen e tij.
Viti 2018 nuk është më as 1991, as 1997 e 1998. Kanë kaluar shumë vite që nga ajo kohë e errët, kur turizmi nuk ishte në modë në këto anë dhe Shqipëria e shqiptarët vetë, nuk e kishin të qartë se cila ishte e ardhmja e ekonomisë së tyre kombëtare.