Ka një ndarje si me thikë në raportin e ndjeshmërisë politike dhe zhurmës mediatike, që shkaktojnë dy grupe të mëdha çështjesh, sa herë që ka ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme në Shqipëri. Në njërën grup problematikash përmblidhen të gjitha ato që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me interesin e qytetarit, publikut, shteti, institucioneve, sistemit, demokracisë, pluralizmit, të drejtave të njeriut, etj.
Në një grup të dytë temash dhe çështjesh, përmblidhen ato që kanë të bëjnë me pushtetin. Me pushtetin që zotëron ose jo mazhoranca ose opozita, pushtetin që kontrollon ose jo njëra apo tjetra palë apo pjesë e elitës dhe klasës politike. Me pushtetin që i forcohet ose i dobësohet njërës apo tjetrës, nëpërmjet pasojave që sjellin emërimet e drejtuesve të institucioneve të rëndësishme kushtetuese, reformat, apo ndryshimet që ulin e ngrejnë apo dhe ndryshojnë kuaj karroce, në varësi të ciklit të zhvillimeve qeverisëse dhe atyre opozitare.
Le të jemi pak më të qartë dhe konkretë.
Nëse është në lojë çështja e goditjes politike të një ministri, një pjese të qeverisë apo mazhorancës, për njërën apo tjetrën arësye dhe kjo mund të ndezi dritën e shpresës se mund të çojë në dobësimin apo rrëzimin e njërës palë dhe rikthimin e palës tjetër, atëherë makina e zhurmës dhe e baltës politike punon me kapacitet të plotë. E ndihmuar sigurisht edhe nga zhurma mediatike. Mjafton që për këtë të rikujtohet çështja Tahiri.
Nuk kishte ditë dhe natë, nuk kishte parti politike, event, takim, mbledhje apo zhvillim politik e parlamentar, media të çfarëdolloi dhe të çfarëdo rëndësie, që të mos merej pambarimisht me drogën, kanabisin, policinë, grupet e dyshuara, të përfolura apo perceptuara si të lidhura apo të ndihmuara nga politika. Do flitej për çdo gjë, për çdo detaj të pafundëm sado i rëndësishëm apo i parëndësishëm që të ishte ai. Sado i vërtetë, gjysëm i vërtetë apo krejt i pavërtetë që të ishte. Të kuptohemi, që nuk jam asfare kundër të gjithë kësaj. Përkundrazi.
Siç nuk jam kundër edhe kur shumë e shumë tema të tjera si këto, që konsumojnë aq shumë kohë politike, kohë ligjvënësish, liderësh partish politike ose jo, gazetarësh, analistësh, opinionistësh, ekspertësh të fushave edhe për çështje si ajo e ish Shefit të SHISH, ajo për Prokurorin e Përgjithshëm, ajo për Kryetarin e KQZ, etj. Përkundrazi.
Por nuk do ta kisha shkruar këtë shkrim, nëse politika dhe media, shoqëria dhe aktorët e faktorët kryesorë publikë te jetës së vendit, do të kushtonin të njëjtën kohë, të njëjtën energji, të njëjtën hapësirë publike dhe mediatike, edhe çështjeve të tjera. Përmbytja e fundit për shkak të kushteve atmosferike le të themi. Meqenës i kemi patur dhe i kemi akoma aq afër pamjet dhe përmasat e saj. Aq sa as uji e as balta ende nuk janë tharë e pastruar nëpër zonat e përmbytura.
Të mereshin edhe në këtë rast me parandalimin, me shkaqet, me lidhjet shkak- pasojë, me kontrollin e territorit, me digat, me kanalet, me urat, me rrugët, me banesat e njerëzve, me kullotat, të mbjellat dhe bagëtitë e fshatit, po me të njëjtin zell e pasion, me të njëjtin gjakim e nerv, me të njëjtin tension dhe mobilizim total si në të fundmen ditë të kësaj jete, si në debatin që u bë për çështjet që lidhen me interest e drejtpërdrejta të pushtetit. Një energji e pallogaritshme e cila në fund të fundit ka të vetmin shqetësim: Kush do mari çfarë, dhe kujt do i përkasi kush në gjithë këtë lojë. Duke bërë edhe llogarinë e tij të vockël apo të madhe personale ndërkohë, sigurisht.
Pse nuk është i njejti shqetësim edhe për çështje si buxheti i shtetit le të themi, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, për rritjen ekonomike siç thotë qeveria apo për krizën ekonomike siç thotë opozita, për investimet e huaja dhe vendase, për hapjen e vendeve të reja të punës, për klimën e biznesit, për cilësinë e shkollimit dhe arsimimit të fëmijëve të të gjithëve ne, për cilësinë e reformave, për përsosjen e institucioneve dhe sistemit. Duke mos folur këtu për shumë e shumë çështje të tjera, që do të quheshin luks i shfrenuar që të trajtoheshin në Shqipëri, por që janë fokusi dhe shqetësimi kryesor i shoqërive, shteteve dhe vendeve të tjera ku ne presim që të integrohemi.
E pra, duket sikur ka dy qasje, dy standarde, dy nivele ndjeshmërie dhe vëmendje, dy sensibilitete e për rrjedhojë dy anë komplet të kundërta vëmendje dhe interesi publik, për të dyja grupet e mëdha të çështjeve trajtuara. Një superndjeshmëri në nivelet sipërore absolute, kur vjen puna tek pushteti dhe interesat e klaneve dhe grupeve të interest të lidhura me to dhe një qasje komplet tjetër, një vëmendje dhe shpenzim krejt tjetër energjish dhe fokusi, për çështjet e shtetit dhe interesave të brezave dhe qytetarëve që ato do të duhej të përfaqësonin në fakt.
Kaq mjafton për të kuptuar atë që duket aq shumë e komplikuar, por që është fare e thjeshtë, si gjithë gjërat e stërholluara në rastet si ky: Eshtë çështje pushteti, nuk është çështje shteti!