Brenda këtij muaji, qytetarët e Kosovës pritet të lëvizin lirshëm në hapësirën Shengen, pasi vendimi i shumëpritur për liberalizimin e vizave edhe për ta, ndodhet në prag. Madje, Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negociatave për zgjerim, u tregua edhe më optimist se vetë kosovarët, kur tha se do të ketë një vendim për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, para fillimit të sezonit të pushimeve verore. Një vendim ky që i jep vlerën e merituar pasaportës së Republikës së Kosovës.
Lëvizja e lirë pas kësaj, e të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre në Ballkan, na bën, për herë të parë në histori, një komb të lirë në të gjitha dimensionet. Ky vendim që pritet të formalizohet shpejt, e bën lirinë tonë të realizuar dhe të kompletuar në të gjithë komponentët e saj. E drejta natyrore dhe universale e lirisë, fiton në këtë mënyrë edhe dimensionin e mrekullisë së lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve, krahas lirive të tjera të shprehjes, pronës, jetës, zgjedhjes dhe shumë elementëve të tjerë të saj.
Shqipëria hodhi, pak ditë më parë, një hap në procesin e integrimit, kur ministrat e jashtëm të BE-së në Luksemburg, i hapën dritën jeshile ambicies për çeljen e negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian më 2019.
Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Maqedonisë, që pas marrëveshjes së Ohrit e deri më sot, me gjithë vështirësitë dhe ulje-ngritjet e tyre, kanë ardhur duke u shtuar dhe pozitat e tyre si qytetarë të shtetit fqinjë, gjithmonë e duke u konsoliduar.
Çdo e keqe e ka një të mirë
Zyrtarët e Brukselit kanë kërkuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina), që të përfitojnë nga rikthimi i vullnetit dhe nga përpjekjet e ripërtërira të Bashkimit Europian, për një qasje ndryshe ndaj tyre. Ballkani ende konsiderohet si një hapësirë me sisteme të brishta demokratike, ku ekuilibri mes normalitetit dhe trazirave, shpeshherë qëndron i varur në fije të perit. Problemet e të kaluarës historike mes fqinjëve, vazhdojnë ende të diktojnë jo rrallëherë, axhendat politike të ditës.
Rritja e ndikimit rus në rajon, ambicia e Kinës për të qenë shumë më e pranishme përmes investimeve direkte në kuadër edhe të Nismave 16+1 dhe “Një brez, një rrugë”, kriza e emigracionit e vendeve anëtare të BE-së, rrëshqitja e Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin europian, pas largimit të Britanisë në vitin 2019 për shkak të Brexit dhe ndonjë faktori tjetër, janë disa nga arsyet që duket se po e detyrojnë Brukselin, t’i mbajë hapur portat e zgjerimit.
Para fillimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, në kuadër të procesit të Berlinit, Hahn tha se, “Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar shumë përparim gjatë muajve të fundit në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Europian. Sfidat lidhur me procesin e integrimit europian të rajonit, lidhen “ndonjëherë me vullnetin politik, vendosmërinë dhe gatishmërinë për të vepruar”.
Ai tha se, procesi i rritjes së bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, po tregohet i frytshëm.
“Por ka ende shumë për të bërë. Është një mundësi e mirë për vendet e rajonit që të përgatiten për një perspektivë europiane” – tha Hahn, duke nënvizuar se ka më shumë ndërgjegjësim në rajon, se çfarë duhet bërë.
Në Takimin e Londrës mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Au u takua në kryeqytetin britanik, me homologun e tij helen Tsipras, në vazhdën e përpjekjeve dhe negociatave zyrtare mes dy fqinjëve ballkanikë, për t’i dhënë fund problemeve bilaterale të mbartura mes nesh përgjatë historisë, që datojnë nga gjysma e parë e shekullit të kaluar, e deri më sot.
Një marrëveshje të ngjashme, Athina zyrtare përmbylli me Shkupin, për çështjen e ndryshimit të emrit, duke rënë dakord që shteti fqinj, të emërtohet: Republika e Maqedonisë së Veriut. Maqedonia në samitin e NATO-s që po mbahet në Bruksel me praninë edhe të Presidentit Amerikan, Donald Trump- konfirmohet si anëtarja e saj më e re. Në këtë mënyrë, çadra e sigurisë së NATO-s në Ballkan, pas Greqisë dhe Shqipërisë, të vijojë shtrirjen e nisur me anëtarësimin e Malit të Zi, edhe në Maqedoni.
Takimi i Londrës
Sipas asaj që raporton “Zëri i Amerikës”, takimi në Londër ishte në vazhdën e të quajturit procesi i Berlinit, i organizuar nga kancelaria gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, për të demonstruar përkushtimin e Bashkimit Europian ndaj aspiratave të rajonit për anëtarësim. Procesi synon nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kërkon nga Bashkimi Europian një ndarje më të favorshme të fondeve të tij për rajonin.
Kryeministrja britanike, Theresa May drejtoi takimin që u përqendrua në tri fusha: rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik. “Mbretëria e Bashkuar “- thuhet në një komunikatë të qeverisë britanike, “dëshiron një Ballkan Perëndimor të fuqishëm të qëndrueshëm dhe përparimtar. Duke qenë mikpritës të takimit në Londër, demonstrojmë interesin tonë të vazhdueshëm dhe përfshirjen në qëndrueshmërinë e rajonit, pavarësisht largimit nga Bashkimi Europian“.
Gjatë takimit në Londër, u nënshkruan tri deklarata të përbashkëta, që kanë të bëjnë me fqinjësinë e mirë, me çështjen e hetimit dhe ndëshkimit penal të krimeve të luftës dhe me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Kosova dhe Serbia, por edhe Bosnjë Hercegovina kanë shumë se ç’të japin e të marrin në realizimin e vullnetit publik, që pritet të përçojë fryma e deklaratave.
Përfundimi
Ndryshimet e mëdha dhe reale që po sjellin proceset e integrimit në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, qoftë në aspektin e marrëdhënieve bilaterale mes shteteve fqinje, qoftë në aspektin rajonal dhe qoftë në aspektin e qasjes së shteteve të saj drejt BE-së dhe NATO-s, duket se po vijojnë jo si një nevojë e brendshme e natyrale për zgjerim. Qëndrimet refraktare të Francës, Holandës dhe Danimarkës, ndaj procesit të çeljes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE-në, e konfirmuan edhe së fundi këtë. Nëse do ishte për humorin politik brenda vendeve të tyre, por edhe për atë sesi e shohin ata strategjinë e zgjerimit të unionit, drita jeshile për ne nuk do ishte hapur as për qershorin e ardhshëm.
Për ne dhe për shtetet e tjera aspirante të Ballkanit Perëndimor, pak rëndësi ka se për çfarë arsyesh do na qasin një ditë brenda në BE. Për ne, më e rëndësishme se kjo, është të plotësojmë standardet e kërkuara dhe të bëhemi më në fund, pjesë me të drejta të plota të familjes së madhe europiane dhe vlerave të saj. E rëndësishme është se, kur e mira të vjen qoftë edhe nga e keqja, të mos ia mbyllësh derën! Përkundrazi! AFP