Shifra e dhënë nga ministria e Arsimit, tregon se në pesë vitet e fundit, ky numër që ishte plot 40 mijë nxënës në vitin 2013, u ul me plot 8 mijë gjatë këtij viti shkollor. Treguesi më i qartë i alarmit të dhënë edhe pak kohë më parë nga OKB-ja, për rënien e numrit të lindjeve dhe uljen e rritjes natyrore të popullsisë në Shqipëri, me ritme të frikshme.
Nostalgjia
Plot 45 vjet më parë, kur jam ulur për herë të parë në bankat e shkollës, ishte një realitet që sa vjen dhe harrohet. Jo për nga cilësia e mësimdhënies, pasioni i mësuesve dhe meraku i pashoq i prindërve që të dilnim sa më mirë në mësime, por nga disa elementë praktikë.
Për shembull, viti i ri shkollor nuk fillonte më 17 shtator si tani, por çdo vit fiks më 1 shtator. Zilja e parë e shkollës, nuk ishte një zile nga ato elektriket e tanishme, por ishte një zile mekanike, në formën e një këmbore nga ato që zakonisht i vendoseshin në qafë deshve që prinin kopetë. Tingulli magjik që përhapjes prej saj, niste nga dora e nxënësit derzhun, i cili e tundte rreth e rrotull godinës, me sa fuqi që kishte dhe me zell të paparë.
Brezi im e ka nisur klasën e parë, në kufirin mes traditës së mbajtjes së çantave prej lecke, me fillimin e futjes në treg të çantave plastike fillimisht, e më pas edhe prej lëkure. Sigurisht që, stilolapsat e sotëm as që ekzistonin dhe pjesë e pandarë e librave dhe fletoreve, për të shkruar, ishin kallamarja e kauçukut në formën e një topi të vogël e të rrumbullakët, mbushur me bojë kineze dhe penda.
Nxënësit mbanin përparëse të zeza dhe në vitet e arsimit fillor, quheshim fatosa. Në krahun e majtë të përparëses, zakonisht nënat na qëndisnin nga një yll të kuq. Ndërsa nga klasa e pestë e deri në të tetën, ishte i detyrueshëm të lidhej në qafë, shalli i kuq i pionierit. Sapo futeshe në derën e madhe të shkollës, për në hollin e korridorit kryesor, lart në mur varej një orë e madhe me lavjerrës, të cilën në shkollën tonë e kurdiste më i gjati prej mësuesve, që atë kohë jepte aritmetikë.
Secili duhet të mbante në çantë shaminë e bardhë të duarve, të pastër e të hekurosur në mëngjes, por kur riktheheshim në shtëpi ishte bërë gjithë bojë shkrimi, si edhe gishtat e duarve për shkak të derdhjes së kallamarëve, ndërkohë që luanin me çanta me njëri-tjetrin ose vraponim sa andej këndej. Ndërsa një herë në vit, të gjithë i nënshtroheshim kontrollit te dentisti i shkollës dhe duhej të bënim në mënyrë të detyrueshme edhe vaksinën për të rritur imunitetin, ndaj sëmundjeve ngjitëse ose epidemive.
Një pjesë e nxënësve bukën e mëngjesit, për shkak të nxitimit, e konsumonin në pushimin e madh, diku mes orës 10:30-11:00. Ndërsa më fatlumët, kishin ndonjë monedhë dhe nxitonin të blinin ëmbëlsira të ndryshme, te “gega” i shkollës. Në mungesë të ushtrimit të fesë së ndaluar me ligj atë kohë, mësuesit gëzonin statusin e një gjysmë perëndie dhe autoriteti i tyre mbi ne, ishte i padiskutueshëm.
E sotmja
Por sot me fëmijët, nipërit e mbesat tona që shkojnë për herë të parë në shkollë, por edhe me të tjerët në të gjitha vitet e sistemit parauniversitar shkollor, kemi një realitet tjetër. E për rrjedhojë, edhe halle e shqetësime krejt të tjera.
Problemi numër një i shpallur për këtë vit nga Kryeministri, është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë në klasa dhe brenda mjediseve të shkollës. Një rregull ky që do të aplikohet për herë të parë, jo vetëm për të gjithë nxënësit, por edhe për mësuesit. Mbajtja e telefonave celularë është përhapur aq shumë sot në Shqipëri, sa sipas statistikave zyrtare, secilit prej qytetarëve të kësaj republike, i takon të ketë mesatarisht 1.5 telefona celularë secili. Ose e thënë ndryshe, çdo dy persona kanë në pronësi, tri aparate telefoni me karta dhe numra aktivë.
Nga ana tjetër, është përhapur në masë përdorimi i telefonave inteligjentë që përdorin edhe internetin e për rrjedhojë, nga aty bëhen pjesë aktive e rrjeteve sociale dhe e komunikimeve online në mënyra dhe forma nga më të ndryshmet. Duke postuar tekste, mesazhe me shkrim ose zanore, komente, foto, video, etj. Një realitet që e ka ndërlikuar së tepërmi raportin e nxënësve dhe mësuesve me orët e mësimit, me librat e fletoret.
Shtoi kësaj edhe një sërë faktorësh të tjerë të nisur që pas vitit 1990 e deri më sot për arsimin kombëtar, përfshi edhe seriozitetin e orëve të mësimit, të shkollës dhe të raportit mes vetë nxënësve dhe figurës së mësuesit etj., atëherë kuptohet se sfidat janë krejt të ndryshme nga sa më parë.
Për herë të parë, këtë vit, nxënësit nga klasa e parë e deri në të katërtën, do t’i marrin tekstet falas. Një hap që pritet të shoqërohet edhe me një më të rëndësishëm pas pak vitesh, i cili synon që të gjithë nxënësit e sistemit 9-vjeçar të përfitojnë nga kjo nismë e qeverisë. Le të shpresojmë se kjo do ta lehtësojë sadopak barrën ekonomike të familjeve të varfra dhe me pak të ardhura në Shqipëri. Duke ndikuar pse jo, edhe në rritjen më shumë të interesit për shkollën dhe cilësinë e mësimdhënies e mësim nxënies.
Hapja dhe demokratizimi i vendit, ekonomia e tregut dhe rritja e lirisë së lëvizjes dhe e përhapjes së dukurive kriminale si droga nëpër shkolla, rrethimi i oborreve të tyre me kafene pafund dhe lojëra fati, rritja e trafikut të makinave sidomos në mëngjes në rrugët e qyteteve gjatë orareve të nisjes së mësimit etj., janë gjithashtu bashkudhëtare të këtij viti të ri shkollor.
Policia deklaron se është angazhuar më shumë për rritjen e sigurisë përgjatë perimetrave të shkollave dhe në rrugë për të normalizuar trafikun, bashkia e Tiranës ka dekurajuar prindërit në përdorimin e makinave, duke inkurajuar ecjen në këmbë dhe përdorimin masiv të biçikletave, sidomos në ditët e para të shkollës, sikundër vazhdon të investojë në infrastrukturën arsimore për të ulur dhe eliminuar mësimin me dy turne. Të gjitha këto janë sfida për tu menaxhuar, stabilizuar dhe përballuar. Ndërkohë që, kryesfida mbetet, rritja e standardit të mësimdhënies dhe cilësia e arsimit, për t’iu përgjigjur sfidave të epokës sonë dhe kërkesave nesër të tregut të punës. Sidomos në raportin mes shkollave të mesme të përgjithshme, arsimit profesional dhe nevojave të vendit.
E ardhmja
Se si do të jetë e ardhmja e arsimit shqiptar dhe dita e parë e shkollës, pas 45 vjetësh, pra, në shtatorin e vitit të largët 2063, këtë ndoshta shumë prej nesh të brezit tim, nuk do ta mësojnë dot. E sigurt është që nuk do të jetë kurrë si kjo e sotmja.
E para, sa i takon teknologjisë që do të përdorin nxënësit e mësuesit, jo vetëm personalisht, por edhe në procesin e mësimdhënies.
E dyta, nëse parashikimi i raporteve për demografinë do të rezultojnë të vërteta, e sigurt është që numri i nxënësve shqiptarë që do të nisin klasën e parë, do të jetë shumë më i vogël, sesa ai i 32 mijë vogëlushëve që nisin sot udhën e re të dijes.
E rëndësishme, si 45 vjet më parë, si sot dhe si pas 45 e më shumë vitesh të tjera, është cilësia e shkollës. Nga e cila do të varet e ardhmja e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar, në mes të shteteve dhe kombeve të tjera në Europë dhe Botë.
AFP