Kanë kaluar dy javë tashmë, nga momenti kur më 27 tetor, Kryeministri pranoi dorëheqjen e Fatmir Xhafës dhe bëri publik emrin e Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm. Kanë ndodhur shumë zhvillime dhe kanë rrjedhur shumë ujëra nga ajo ditë, derisa propozimi i kreut të qeverisë, ka shkuar për herë të dytë për të marë dekretimin që nuk u konsumua në të parën. E bashkë me këtë, nuk u bënë publike as referencat kushtetuese dhe as arësyet e këtij veprimi.
Në pritje të përgjigjes për kërkesën e përsëritur të të njëjtit emër, le ti hedhim një vështrim telegrafik, edhe disa prej zhvillimeve “të padukshme” që e shoqëruan këtë proces, të cilat ndoshta vlejnë të evidentohen edhe për të ardhmen.
Së pari, ndryshe nga sa mund të jetë menduar, Presidenti i Republikës u la gjithnjë e më i vetmuar, sa më shumë ditë kalonin nga marja e “propozimit” të Kryeministrit për emrin e Sandër Lleshajt. Ende asnjë fjalë nuk ka për aktin e tij nga bashkryetarja e opozitës, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi! PD dhe Lulzim Basha ende nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim zyrtar në lidhje me kushtetueshmërinë ose jo të aktit të kreut të shtetit. Ndërkohë që ish Kryeministri Berisha shumë vonë, atëherë kur nuk kishte më vlerë për të, tha se Ilir Meta nuk është “honorifik”, një tezë josubstanciale kjo për thelbin e çështjes.
Së dyti, gjatë këtyre dy javëve ndryshe nga qasja e opozitës ndaj ministrave dhe kandidaturave për ministër të Brendshëm nga radhët e socialistëve, për Sandër Lleshin nuk është artikuluar as edhe një provë, fakt, dëshmi apo akuzë konkrete për diçka që do ta njolloste sadopak figurën e tij. Gjë e padëgjuar më parë pothuajse për çdo kandidat tjetër për ministër në periudhën postkomuniste në Shqipëri. Për punën dhe veprimtarinë e z. Lleshi u kërkua më shumë informacion nga më shumë burime se për asnjë kandidat tjetër për deputet, ministër, kryeministër, kryetar Parlamenti, President të Shqipërisë së 28 viteve të fundit.
Së treti, gjatë periudhës që Presidenti i Republikës nuk dekretoi por as nuk dha shpjegime për Sandër Lleshin, ai firmosi emërimin e kreut të shërbimit sekret shqiptar, një vendim që rrinte prej një viti mbi tryezën e tij. Dekretoi edhe ligje të reja, proces ky që kishte nga 2 gushti që kishte ngecur sepse z. Meta i kthente mbrapsht në Kuvend ato, shoqëruar edhe më arësyetimin e tij juridik e doktrinal të mosfirmosjes.
Së katërti, ata që ishin pro aktit të tij, mediat opozitare dhe ato që kanë qëndrime editoriale më afër LSI dhe z. Meta nuk ofruan gjithashtu argumenta, prova dhe bazë konkrete kushtetuese dhe ligjore, për ta mbështetur këtë hap. Një pjesë e tyre flsite për një akt politik, të tjerë për një veprim që e la me gisht në gojë mazhorancën, e të tjerë akoma për hamendësime e skenare hipotetike veprimesh që do ndërmerte qeveria dhe Kryeministri, të cilat nuk erdhën kurrë.
Së pesti, mosdekretimi i Sandër Lleshit Brenda 7 ditësh siç përcakton Kushtetuta, e shënoi emrin e Presidentit Ilir Meta, si të parin kryetar shteti në historinë e postkomunizmit shqiptar, që hedh një hap të tillë bazuar vetëm në “moskrijimin e bindjes së tij të plotë” dhe jo në kushtetutë e ligj.
Së gjashti, në websiten zyrtare të Presidencës, ku pasqyrohet me tekst, foto e video i gjithë aktiviteti zyrtar i z. Meta, ende nuk ka asnjë gjurmë të këtij rasti. Asnjë njoftim, asnjë lajm dhe asnjë dekret apo refuzim zyrtar ku të jetë shënuar diku emri i Sandër Lleshit. Për institucionin e kreut të shtetit, nëse i referohesh arkivit, kjo çështje deri më sot thjeshtë nuk ekziston!
Së shtati, z. Rama ka njoftuar se të hënën mazhoranca do e dërgojë çështjen e mosdekretimit herën e parë të ministrit të ri të Brendshëm, në Gjykatën Kushtetuese. Pak përpara kësaj, të vetmen anëtare të kësaj gjykate që është rikonfirmuar në detyrë pasi e ka kaluar vettingun, Presidenti e propozoi për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ajo është njëkohësisht edhe anëtare e KED (Këshillit të Emërimeve në Drejtësi), çka nëse e le këtë funksion, thjeshtë do ndihmonte që ta shtynte zbatimin e reformës në drejtësi, për në “kalendat greke”.
Së teti, fjalia prapa së cilës fshihen arësyet e vërteta të aktit të refuzimit të kreut të shtetit për të firmosur emërimin e ministrit të Brendshëm, besohet gjerësisht se është ajo që zëdhënësi i tij ka deklaruar: “Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”. Një koment krejtësisht politik, për një çështje kushtetuese! A do të thotë kjo se e gjitha është një lojë politike? Përgjigjen e saktë, do ta japi koha.
Së nënti, z. Meta apo për të, është referuar shpesh në këtë periudhë, se është në krye të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe se është “Komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura”. Ajo që nuk thuhet me zë të lartë, është fakti se Këshilli… është (neni 168/3) një organ këshillimor i Presidentit dhe se ai është komandant i përgjithshëm… vetëm në kohë lufte. Ajo që nuk kuptohet ose duhet thënë për ta kuptuar më mirë se përse theksohet sot kjo, është: Kush është në luftë, me kë dhe për çfarë?!
Sëfundi, e gjitha çfarë prodhoi kjo situatë dëmtoi gjithkënd përveç Kryeministrit dhe mazhorancës, që e menaxhuan “me qetësi dhe dashuri” këtë situatë. Duke dashur ta rikthejnë procesin e emërimit të ministrit të ri të Brendshëm, në shina kushtetutese. Nëse kjo do të ndodhë dhe nuk duket se ka rrugë tjetër pas kësaj, atëherë të fituar janë të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe Kryetari i shtetit të tyre, si “përfaqësues i unitetit të popullit”.